Sport

Mbappe po largohet, PSG përgatit oferta për Silva-n dhe Felix-in


Largimi i Kylian Mbappe nga Paris Saint-Germain duket tashmë çështje e kryer.

Kryeqytetasit e Francës tashmë po përgatiten që ky largim të kalojë pa “dhimbje”, duke synuar t’i sjellin dy futbollistë cilësorë në skuadër.

Sipas asaj që raporton “Marca” Parisi do të synojë transferimin e Bernardo Silva-s Joao Felix-it.

Sa i përket Silva-s, ai ende thuhet se është i paqartë rreth të ardhmes së tij, duke preferuar të ndryshojë ambient në të ardhmen.

28-vjeçari ka kontratë me kampionët e Anglisë deri në verën e vitit 2025, por një dëshirë e tij për t’u larguar, raportohet që nuk do të pengohej nga ekipi i Pep Guardiola-s, sidomos kur ofrohet një shumë që flitet të jetë mbi 80 milionë euro.

Mesfushori portugez ishte një nga futbollistët më të mirë në edicionin e kaluar, kur skuadra e tyre fitoi “tripletën”, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar tetë asistime.

Në anën tjetër, situata e Joao Felix mbetet shumë e paqartë, i cili para pak ditësh u rikthye te Atletico Madrid-i nga Chelsea që ishte i huazuar.

Ai nuk mban raporte të mira me trajnerin e Atletico-s, Diego Simeone, andaj pritet që këtë verë të gjejë një ambient të ri, përkundër faktit që kontrata e tij në Madrid zgjat deri në verën e vitit 2027.

“Marca” shkruan se Felix gjithashtu e dëshiron një lëvizje në kryeqytetin francez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore