Lajme

MB/ Amazon-i detyrohet t’u përmbahet rregullave të furnizuesve


Në Mbretërinë e Bashkuar, biznesi i shitjes me pakicë të ushqimeve të Amazon-it po përballet me rregullore të shtuara.

Kjo pasi mbikëqyrësi i konkurrencës ka vendosur që rregullat se si ushqimoret duhet të trajtojnë furnizuesit e tyre, tanimë do të zbatohen edhe për gjigantin amerikan.

Të mërkurën e 9 shkurtit, Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) ka deklaruar se, për shkak të aktivitetit në rritje të Amazon-it në sektorin e ushqimeve, duhet të pajtohet me Kodin e Praktikës së Furnizimit me Ushqime.

Agjencia e lajmeve “Reuters” tregon se Kodi zbatohet për shitësit me pakicë me një qarkullim vjetor prej më shumë se një miliard paund në shitje ushqimore.

Paçka se Amazon-i nuk nxjerr shifra për shitjet ushqimore në Mbretërinë e Bashkuar, përcaktimi nën kod konfirmon se shitjet e saj kanë kaluar pragun prej një miliard paund.

Për sa i përket kodit, ai siguron që shitësit ushqimorë t’i trajtojnë furnizuesit në mënyrë të drejtë.

Ai i kufizon firmat që të bëjnë ndryshime në kontratat e furnizimit dhe gjithashtu kërkon që shitësit me pakicë të japin një periudhë të përshtatshme nëse nuk duan të përdorin më një furnizues dhe të japin arsyet për përfundimin e kontratës.

Kodit i nënshtrohen të gjitha grupet kryesore të supermarketeve në vend, duke përfshirë liderin e tregut Tesco, Sainsbury’s, Asda dhe Morrisons.

“Familjet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar po përdorin gjithnjë e më shumë Amazon-in për të blerë ushqime dhe sende të tjera thelbësore”, ka dalluar Adam Land, drejtues i lartë te CMA-ja.

Dhe se “vendimi për Amazon-in ndihmon për të siguruar një fushë loje të barabartë për kompanitë aktive në sektorin e produkteve ushqimore teksa zakonet e blerjes së njerëzve evoluojnë”.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i kompanisë ka thënë se A u përpoq të ndërtonte marrëdhënie të suksesshme dhe afatgjata me furnitorët.

“Jemi krenarë që punojmë me mijëra furnizues dhe ofrojmë një vitrinë të shkëlqyer për produktet e tyre në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën”, ka shtuar zëdhënësi.

Në vitin 2021, zgjerimi i kompanisë në Mbretërinë e Bashkuar përfshiu 17 dyqanet e para fizike, 15 dyqane ushqimore Amazon Fresh dhe dy dyqane me pakicë.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore