Shqipëria

Mazhoranca miraton projektligjin për punën e detyruar të studentëve të mjekësisë


Deputetët e mazhorancës kanë miratuar shtesat dhe ndryshimet në ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë së përgjithshme, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kështu në projektligjin e votuar me 73 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim shkurtohen vitet e punës së detyrueshme pas diplomimit.

Konkretisht: nga 5 në 3 vjet për studentët e vitit të parë, nga 3 në 2 vjet për studentët e viteve të dyta, treta dhe të katërta dhe 1 vit për studentët e vitit të pestë dhe gjashtë.

Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda tre muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në nëntë muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor.

Kjo për një periudhë jo më të gjatë se ky afat.

Gjithashtu atij i ofrohet të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda nëntë mujore në institucionet shëndetësore publike.

Ky projektligj fillimisht u miratua në korrik të vitit të shkuar si masë për të parandaluar largimin e mjekëve nga Shqipëria.

Por solli kundërshtinë e studentëve, të cilët lanë auditorët për të protestuat për të dretjën e tyre.

Pas dërgimit në Kushtetuese – dhe me pezullimin e përkohshëm – studentët iu rikthyen jetës normale.

Vetë Kushtetuesja tha se, afati 5-vjeçar i miratuar nga Qeveria nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Gjë që tashmë është plotësuar me ligjin e ri.

Lajmi në përditësim 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore