Shqipëria

Mazhoranca do të miratojë draft-rezolutën e saj për Kosovën


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se në parlamentin shqiptar do të miratohet draft-rezoluta e mazhorancës, duke u linjëzuar totalisht në shenjë solidariteti me Kuvendin e Kosovës.

Lajmi u bë i ditur gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, e cila u ndal në disa tematika të ndryshme mbi Kosovën, rajonin e më gjerë.

“Ne do të miratojmë draft-rezolutën e shumicës, duke u linjëzuar 100 për qind në shenjë solidariteti me Kuvendin e Kosovës, si edhe duke përcaktuar edhe çfarë pritet nga qeveria jonë, edhe për çfarë e nxisim qeverinë simotër të Kosovës, në përpjekjen tonë të panegociueshme për paqen përfundimtare, sigurinë e padiskutueshme dhe të ardhmen e pashtyshme për 100 vjet të tjera, që duam për shqiptarët këtej e andej bjeshkëve”, u shpreh fillimisht Rama.

Në këtë pikë, kryeqeveritari nuk ndali as akuzat dhe ironitë ndaj opozitës duke iu kujtuar se “shumica e zgjedhur tre herë e këtij Kuvendi, e di mirë se çfarë thotë, çfarë bën, çfarë do”.

“Si përfundim, ne, shumica e zgjedhur tre herë e këtij kuvendi, e dimë mirë se çfarë themi, çfarë bëjmë, çfarë duam, siç e dimë pse jemi ne shumica dhe jo ju, që rezolutën tuaj mund ta votoni në asambletë e shtatë partive tuaja e pastaj, kur ta gjeni vulën, mund edhe ta vulosni, duke bërtitur nga shtatë penxheret, ‘Poshtë tradhëtarët e kombit! Vdekje vëllait të Vuçiçit'”, shtoi ai.

Çfarë përmban draft-rezoluta?

Draft-rezoluta e propozuar nga mazhoranca për Kosovën, e cila pritet të miratohet në përfundim të seancës plenare përmban tre pika.

Pikë së pari, ajo mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila u miratua në seancën plenare të datës 28 shtator.

Në radhë të dytë, rezoluta kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë, të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës.

Së fundi, ajo inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

Replika për draft-rezolutën

Kryeministri shqiptar deklaroi në vijim të fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë se mocioni për një draft-rezolutë, doli nga i njëjti oxhak i tymit kinse patriotik, fill pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës.

Kjo, lidhur me ngjarjen tragjike të vrasjes së efektivit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, nga “një grup kriminal serb që ushtroi terror në veri”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën, po edhe në detyrën e tij, të miratojë rezoluta të kësaj natyre, të cilat i drejtohen për mbështetje politike e institucionale, fuqive aleate dhe organizmave ndërkombëtare, ku Republika e Kosovës nuk bën pjesë.

“Po Kuvendi i Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE, i cili ka ulësen, ka të gjitha rrugët e komunikimit institucional me botën demokratike, ka ambasadorët e vet në të gjitha organizmat e politikës ndërkombëtare, kujt ia drejton këtë rezolutë?”, pyet fillimisht kreu i Qeverisë.

“Cilat parlamente të vendeve anëtare të NATO-s apo kandidate të BE-së, miratojnë, si të ishin asamblera parlamentare të përbëra nga shumë shtete, rezoluta të tilla drejtuar organizatave të komunitetit euro-atlantik, ndërkohë që janë vetë pjesë e tij dhe cili është qëllimi i një nisme të tillë, përtej propagandës kinse patriotike për audiencën e brendshme kombëtare?”, vijon kryeministri shqiptar.

Ai thekson se draft-rezoluta të tilla të kuvendit tonë shfaqen “me shpejtësi të rrufeshme, herë si zgjatim i thonjve të krizës në veriun e Kosovës, herë si politikë ditore e llojit më të ulët me viktimat e Millosheviçit në Kosovë, madje deri në Bosnjë”.

Sulmi në Banjskë

Kreu i Qeverisë kujtoi sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku po ashtu gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë.

“Shfaqja ogurkeqe e hijes së përgjakshme të së shkuarës, me armë e me uniforma ushtarake, në skenën e ngarkuar me frymën e ekstremizmit nacionalist serb, armatimet e trafikuara për sulm e jo për mbrojtje dhe thasët e financimeve kriminale në veriun e Kosovës, ishte si kronika e zezë e një vdekjeje të paralajmëruar”, u shpreh Rama.

Sipas tij, lajmi i vrasjes së efektivit të policisë së Kosovës në krye të detyrës ishte si “një bombë, që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali të paekuivok përshkallëzimi të konfliktit në atë skenë”.

Në veri të Kosovës, shtoi kryeministri shqiptar, prodhohet tensioni që kthen mbrapsht sistematikisht procesin e dialogut të normalizimit mes Kosovës e Serbisë dhe “ndez llambën e vjetër të krizës ballkanike në sytë e botës demokratike”.

“Zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjes pas shpërthimit, kishte pamjen e një materiali arkivor nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku ngujimi i kriminelëve serbë në një manastir ishte si një ftesë tejet provokuese, për ta çuar konfliktin e armatosur në një pikë pa kthim dhe prodhuar alibira haluçinante vetëmbrojtjeje nga terrori imagjinar i shtetit të Kosovës”, nënvizoi më tej Rama.

Gjatë fjalës së tij, ai konsideroi se fundi i ngjarjes ishte shembullor, falë veprimeve të forcave të sigurisë së Kosovës.

Këta të fundit, për Ramën, nuk ranë në kurthin e dëshiruar prej organizatorëve, po me gjakftohtësi të admirueshme dhe profesionalizëm të lartë, e neutralizuan rrezikun e zgjerimit e të zgjatjes së paparashikueshme të konfliktit.

Kjo, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë të mundshme, “provokimit djallëzor të grupit kriminal serb”.

“Ndërsa epilogu i ngjarjes, shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës, ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes të së shkuarës, e cila bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë, mu si hija që e ndjek kudo njeriun, sapo del drita”, mendon kryeministri Edi Rama.

Asociacioni

Kryeministri Rama theksoi se mos-bërja e Asociacionit është kthyer në një litar që shtrëngon këmbët e Republikës së Kosovës.

“Nuk duhet shkencë, po vetëm logjikë e ftohtë elementare për të kuptuar se ai asociacion, duke mos u bërë, është kthyer në një litar, i cili do të vazhdojë të shtrëngojë pa asnjë arsye të qenësishme këmbët e Republikës së Kosovës”, deklaroi kryeqeveritari në Kuvendin e Shqipërisë.

Rama shtoi se ka përsëritur qëndrimin e tij mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i, fokusimit tek suksesi e jo dështimi i planit tejet të favorshëm franko – gjerman dhe dhënies drejtim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kjo, si një nyje, e cila pikërisht pse ka marrë proporcione krejt të pamerituara për substancën që në të vërtetë ka, “nuk duhet mbajtur si një litar në këmbë, që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj drejt OKB-së, BE-së, NATO-s. Po duhet këputur një orë e më parë”, vijoi kryeministri shqiptar.

Sipas tij, Kosova sot po rrezikon ta humbasë shansin historik që i jep Plani Franko-Gjerman, për të bërë progresin më kuptimplotë në luftën diplomatike me Serbinë, siç po humbet dita – ditës, edhe prej mos-bërjes së atij asociacioni, besimin dhe respektin e atyre që e njohën si shtet të pavarur.

“Ndërsa duke u bërë fakt i kryer, pikërisht ai asociacion kaq i mistifikuar si të ishte kali i rilindur i Trojës që aleatët strategjikë po duan ta fusin me hile në Prishtinë, do të kthehet në një litar në këmbët e Serbisë”, mendon ai.

Rama tha se nëse asociacioni bëhet si duhet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët, Serbia nuk do të lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këto kohë mes Brukselit e Washington-it.

Kjo, duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut dhe refuzimin me një çmim krejt të paarsyeshëm të një asociacioni komunash, “i cili i kyçur brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, do të ishte i zhveshur nga çdo potencial kërcënimi për de-stabilizim të shtetit të Kosovës”.

KFOR-i

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tregoi se thirrja e tij për marrjen e kontrollit në veri të Kosovës nga ana e KFOR-it lidhet me arsyen “pse rrjeta e kufirit në këtë zonë është e çarë nga të katër anët”.

“Kështu që kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për KFOR-in, duhet të shpjegojë pse rrjeta e kufirit në veri është e çarë nga të katër anët? Si hyjnë aq kollaj në atë zonë prej vitesh tanimë armatimet e panumërta?”, pyeti fillimisht kreu i Qeverisë.

Ai vijon me pyetjen se duke shtuar se çfarë garancish ka që vrasja e efektivit të policisë nuk do të përsëritet.

“Cila është rruga alternative e përparimit në dialogun e ndërmjetësuar nga aleatët strategjikë, për të garantuar rend ligjor, qetësi e sovranitet të plotë shtetëror në atë territor?”, u shpreh më tej kryeministri shqiptar.

Problemi i vërtetë, sipas Ramës, është se pikërisht sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës mund të lëndohet prej një rruge të tillë.

“Nuk është lëndimi imagjinar i sovranitetit nga rritja e konsiderueshme e trupave të KFOR-it dhe vënia nën kontroll real e atij territori, ku çdo ditë mund të sjellë një telash të ri anti-shtet për Republikën e Kosovës!”, thekson kryeqeveritari.

“Po cili sovranitet iu rrezikuaka Kosovës nga shtimi i forcave të NATO-s në veri dhe si duhet kuptuar ky sovranitet, kur në atë zonë ndizet e shuhet konflikti sipas agjendës së individëve e grupeve, që jo vetëm janë një miks i politikës ultra-nacionaliste serbe me llumin e krimit të organizuar, po gëzojnë edhe mbështetjen e turmave të indoktrinuara dhe të varfëruara nga izolimi të banorëve të atjeshëm, të cilët ushqehen me lëmoshat e Beogradit e të tutorëve të krimit të organizuar, ndërkohë që shtetit sovran të Kosovës nuk i njohin asnjë autoritet dhe nuk i paguajnë asnjë taksë, e madje asnjë faturë dritash?!”, tregon në vijim Rama.

Për kryeministrin shqiptar, kjo mënyrë e qasjes ndaj një problemi kaq serioz, duket si një “alibi për të mbajtur gjallë burimin e konfliktit dhe jo si shqetësim logjik për sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës”.

“KFOR-i nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë, po është njësia e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës apo nuk e mbajnë më mend të gjithë këtë? – se helbete koha kalon dhe kur tjetri të ruan shpinën prej shumë vitesh, pasi të ka shpëtuar kokën, ekziston edhe mundësia që të të gënjejë mendja sikur rreziku nuk ekziston më, madje sikur edhe kokën e ke shpëtuar pa ndihmën e askujt, prandaj mund të të duket deri edhe sikur ai që të ruan, në fakt po të spiunon për llogari të atij nga i cili të shpëtoi kokën!”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri.

Ai sqaroi se KFOR-i do të vazhdojë të rrijë në Kosovë, deri kur dialogu i normalizimit me Serbinë të jetë kryer me sukses, të jetë garantuar paqja përfundimtare dhe Kosova të jetë njohur përfundimisht si shtet nga të gjithë.

Kurti dhe Haradinaj

Rama deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvend se homologun kosovar Albin Kurti e ka më shumë mik se sa Ramush Haradinajn.

“Unë Albin Kurtin e kam mik më shumë se sa Ramush Haradinajn, me të cilin në një segment të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër. Ndërsa me Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje në nivelin personal e kam kënaqësi çdo bisedë me të”, theksoi fillimisht kryeqeveritari.

Ai shtoi se me kryeministrin aktual të Kosovës ka “divergjenca botëkuptimore, mbi mënyrën se si arrihet tek qëllimi i përbashkët kombëtar”.

Prandaj, vërejti Rama, marrëdhënia miqësore nuk më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka se si më pengon sot, as që t’i kem dhe as që t’i shpreh divergjencat e lidhura pazgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua si person.

“Por gjithashtu fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi, nuk ka sesi më pengon që të shpreh këtu, publikisht, neverinë time të madhe, për një video propagandistike të shpërndarë ditët e fundit përmes tastierave të luftës civile digjitale, ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe bëhej copë nga trolls-at e tru-shpëlarjes kinse patriotike!”, deklaroi kryeqeveritari.

Sipas tij, Ramush Haradinaj, si çdo komandant tjetër që ka parë “gjakun në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste” dhe si çdo luftëtar që ka fituar “luftën me armë të vërteta me Serbinë nuk ka sesi ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në një koktej krejt të zakonshëm”.

Kryeministri shqiptar ravijëzoi se “kush nuk ka mizë nën kësulë dhe e hedh gurin pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe bën paqen kur është për të bërë paqen”.

Krerët e UÇK-së

Kryeministri i Shqipërisë iu adresua opozitës gjatë fjalës së tij në Kuvend duke i pyetur se pse nuk kanë paraqitur asnjë draft-rezolutë për gjykimin e komandantëve të UÇK-së.

“Ata që e kanë sjellë draft-rezolutën që u bë sebep për këtë mocion me debat dhe që sjellin, një vit po e një vit jo, drafte të tilla deri edhe për të luftuar diktaturën komuniste, a dinë të na e thonë pse nuk e kanë sjellë deri më sot ndonjë draft-rezolutë, për t’i bërë thirrje botës demokratike të rihulumtojë burimin kah rrjedh procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit e tre komandantëve të tjerë të UÇK-së”, theksoi Rama fillimisht.

Rama kujtoi se ky është Kuvendi i një shteti, i cili i ka të gjitha mjetet në dispozicion për ta ngritur ndërkombëtarisht, në çdo instancë të botës demokratike këtë shqetësim.

“E ka bërë e do ta bëjë deri në fund, kurdoherë, kudo e përballë kujtdo që duhet ta dëgjojë të vërtetën rrënqethëse mbi burimin dhe rrjedhën e atij procesi; ashtu siç ka bërë dhe do të bëjë, deri në fund, kurdoherë, kudo e përballë kujtdo, përmes kësaj qeverie, detyrën në mbështetje të domosdoshmërisë së njohjes përfundimtare të Kosovës, duke i thënë të vërtetat siç janë; duke e ngritur zërin siç duhet; duke i parë në kokërdhok të syrit të gjithë ata që duhet t’i dëgjojnë”, deklaroi kryeqeveritari.

Kjo dramë, sipas tij, nuk luhet vetëm në lëkurën e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

“Po luhet mbi pasqyrën e stërmadhe të gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës, mbi ngrehinën e brishtë të shtetit të ri të Kosovës, mbi pastërtinë e flamurit të pavarësisë së Kosovës dhe akoma më tutje, mbi figurën e vetë Kosovës në sytë e një bote, e cila në gati gjysmën e saj nuk e njeh ende të drejtën e ekzistencës së saj si shtet të Republikës së Kosovës”, shtoi Rama.

Rama nënvizoi se vetëm “parafytyrimi se nesër, një vendim largqoftë fajësie i dhënë nga Gjykata Speciale për udhëheqjen e lartë politike të UÇK-së, si të ishte komanda supreme e një ushtrie të rregullt që ka kryer krime lufte, mund të kthehet në argument për të frymëzuar, nxitur, orkestruar dhe penguar në pafundësi formësimin e plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.

“Arsyeja e braktisjes ulëritëse të atyre atje në Hagë nga të gjithë ata që i kanë braktisur është një tjetër, sa banale aq edhe koherente me thelbin e qorrbelasë politike, e cila e përndjek shqiptarinë dhe shtetin shqiptar qysh prej vitit 1912. E dini si e ka emrin? Urrejtje! Urrejtja për Hashim Thaçin, si fitimtar i luftës që donte medoemos të fitonte edhe paqen”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri shqiptar Edi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore