Lajme

Maya Angelou – gruaja e parë me ngjyrë imazh i një monedhe amerikane


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë hedhur në treg monedhën me imazhin e poetes dhe shkrimtares, Maya Angelou.

Angelou është gruaja e parë me ngjyrë imazh në një monedhë amerikane.

“Sa herë që ridizenjojmë monedhat tona, kemi mundësinë të tregojmë më shumë për vendin tonë. Atë që vlerësojmë më shumë dhe sa kemi përparuar si shoqëri”, tha sekretarja e Thesarit të SHBA-ve, Janet Yellen.

Monedhat me figurën e Angelou-s janë pjesë e Programit Amerikan të Grave në Monedha.

Poetja Maya Angelou

Ndër gratë e tjera që do të stampohen në monedha janë Sally Ride, gruaja e parë amerikane në hapësirë, Wilma Mankiller, shefja e parë femër e Kombit Cherokee dhe Nina Otero-Warren, një nga luftëtaret për të drejtën e votës.

Nuk do të mungojë as imazhi i Anna May Wong-ut, yll i filmit kinezo-amerikan.

Angelou u bë e njohur me botimin e autobiografisë së saj “I Know Why the Caged Bird Sings” (Unë e di pse këndon zogu i mbyllur), në vitin 1969. Një rrëfim i sinqertë i përdhunimeve dhe racizmit në vendlindje.

Ajo gjithashtu punoi me udhëheqësit e të drejtave civile, Martin Luther King, Jr. dhe Malcolm X.

Poetja ka recituar disa poema në ceremoninë e inaugurimit të parë presidencial të Bill Clinton-it.

Në vitin 2010, Barack Obama e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Shkrimtarja Angelou u nda nga jeta në vitin 2014, kur ishte 86 vjeç.

Marrë nga “The New York Times”, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore