Shqipëria

Manastirliu: Pritet lëvrimi i 8190 dozave të Pfizer


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë se në krizën shëndetësore për shkak të COVID-19, bota është ndarë në dy kategori shtetesh. “Aktualisht kemi dy kategori shtetesh. Shtete, që e kanë filluar fushatën e vaksinimit dhe shtete që nuk kanë mundur të administrojnë as edhe një dozë të vetme vaksine”. Ministrja deklaroi se janë rreth 146 vende që nuk kanë nisur ende vaksinimin. Vendi ynë hyn në kategorinë e parë të këtyre shteteve, që kanë siguruar 70% të dozave të disponueshme të vaksinave për vitin 2021.

Pritet mbërritja e 8 mijë e 190 dozave të tjera të vaksinave nga kontrata me Pfizer

Manastirliu nënvizoi se duhet të mendojmë përpjekjet që i janë dashur të bëjë vendit tonë të vogël  për të siguruar një kontratë të drejtpërdrejtë me Pfizer për 500 mijë vaksina, nga e cila kanë mbërritur mbi 8 mijë doza deri më sot. Pritet lëvrimi i 8 mijë e 190 dozave të tjera sot dhe kështu duke vijuar me kalendarin e ardhjes së vaksinave. Kemi parapaguar për COVAX për 1 milionë e 140 mijë doza vaksinash.

Ministrja e Shëndetësisë shtoi se sot kemi mbi  4600 jetë mjekësh, infermierësh që janë më të mbrojtur për shkak të vaksinimit.  Mbi 400 jetë të moshuarish në azile, të moshuar mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh më të mbrojtur për shkak të fillimit të vaksinimit.  Shumica e të vaksinuarve janë qytetarë të zakonshëm.

Procesi i vaksinimit për grupmoshën mbi 80 vjeç

Ministrja shprehu keqardhjen për dezinformonin që ushqeu disa reagime për njerëzit publik që do të vaksinoheshin kundër COVID-19.  Manastirliu tha se këta personalitete i përkisnin grupmoshës mbi 80 vjeç.  Ajo shtoi se vetëm kriteri i moshës i mundësoi të ishin pjesë e procesit të vaksinimit për këtë grupmoshë. Ajo saktësoi se do të vijojë plani i vaksinimit për këtë grupmoshë.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit

Manastriliu në fjalën e saj u ndal dhe në  spitalin e ri që po ndërtohet, Spitalin Rajonal Memorial në Fier. Ajo tha  se spitali që  po ndërtohet me mbështetjen bujare të Turqisë mike që do të ofrojë shërbim jo vetëm për rajonin jugor, por dhe më gjerë.    Ky spital do të jetë një model i ri, një  koncept që do të shënojë hapat e parë drejt  një epokë të re në administrimin e spitaleve në Shqëipëri dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Ky spital do të vendosë gurin kilometrik për ndërtimin e një mënyre krejt të re të menaxhimit spitalor në vend, që do të vlerësojë mjekët sipas punës, me modelin e autonomisë spitalore. Shumëkush mund të pyesë pse nuk e bëtë më parë? Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në kushtet ku e gjetëm shëndetësinë, operacion i domosdoshëm ishte rindërtimi i infrastrukturës, për të kaluar më pas në një model të ri, aq shumë të nevojshëm për administrimin e spitaleve publike në vend, që bazohet në parimet e autonomisë spitalore dhe vlerësimit të performances”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Manastirliu rikujtoi gjendjen shëndetësore të spitaleve shtatë vite më parë.  Manastriliu  deklaroi se pavarësisht transformimit të dukshëm ka ende shumë punë për të bërë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore