Kosova

“Mashtrimi s’kalon”, Haradinaj, Kurtit: Mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën sa ti ke qeverisë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është rritur punësimi për 20 për qind.

“Kryeministër, 211,749 qytetarë e kanë braktisë Kosovën për 4 vite sa t’i ke qeverisë. Nëse flet me të rinj, shumë prej tyre janë duke aplikuar dhe duke u përpjekur që të ikin diku. Nuk ke asnjë ide asnjë koncept me ndihmu vendin përveç populizmit, fjalëve të bukura dhe veprimeve boshe”, shkroi ai në Facebook.

“Mos abuzo me statistika e mos mashtro. Kërkah s’është drejtimi që i ke dhënë Kosovës. Me trendet që i ke nuk besoj që të duhet fitorja në zgjedhje. Nuk përfiton Kosova e jam i sigurt që as ti, sepse ‘zullumi këputet për së trashi’ thotë populli”, shtoi.

Ish-kryeministri Haradinaj ka theksuar se “askush” nuk iu beson shifrave të Kurtit për punësim, derisa e ka akuzuar se po abuzon me numra.

“Askush nuk ju beson më shifrave tua e edhe militantët që të rrinë përreth e dinë që je duke mashtruar dhe po abuzon me numra për zhvillim ekonomik dhe punësim. Nëse e ke rritë buxhetin për 35%, pse të paktën s’po i rritë pagat e pensionet, bile të paktën 25%? Ndoshta po pret fushatën zgjedhore e pastaj ta realizosh rritjen se të duhet për vota”.

“S’ka lidhje. Përfito me këtë formë të ulët mashtrimi por veç ngriti pagat sepse njerëzit e këtij vendi janë dhe kanë shumë nevojë për rritje pagash e pensionesh. Çdo ekspert buxheti e din që ke mundësi për rritje deri në 25-30% pa asnjë problem qysh sot”.

Për kreun e AAK-së në Kosovë për katër vite nuk është krijuar “asnjë vlerë” e re, as politike as ekonomike dhe nuk ka progres në asnjë sferë të jetës.

“Kemi sanksione nga BE dhe kemi humbur për një vit rreth 500 milionë EURO veç nga këto masa. E ke dëmtuar rëndë pozicionin e Kosovës në integrime euro-atlantike dhe askush nga vendet aleate nuk të sheh si partner por si person që duhet menaxhuar”.

Po ashtu, Haradinaj ka akuzuar Kurtin se ka “dëmtuar” raportet me investitorë dhe ka mbajtur ata larg nga Kosova.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se për tri vjet të qeverisjes së tij punësimi në Kosovë është rritur 20 për qind.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencisë së Statistikave të Kosovës në tre mujorin e parë të vitit 2022 shkalla e papunësisë në vend ishte 16.6 përqind.

Ndërsa, gjatë vitit 2023 e njëjta kishte rënë në 11.8 për qind. Në raportin e World of Statistics, Kosova ishte renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë pas Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore