Lajme

MASHTI përgjegjës për (mos)sigurimin e teksteve shkollore


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Nxënësit e klasave të gjashta, shtata, teta dhe të nënta në Kosovës ende janë në pritje të librave, ani pse ata kanë filluar mësimin me 27 shtator.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci duke hequr fajin nga ministria që drejton, fajëson Drejtoritë Komunale të Arsimit, ndërsa ‘harron’ se obligim ligjor i MASHTI-t është sigurimi i teksteve shkollore.

Procesi mësimor i paraparë të filloj me 1 shtator ishte shtyrë deri më datën 27, kjo kishte ndodhur për shkak të numrit të madh të infeksionit COVID-19.

Mirëpo, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) kishte deklaruar disa herë se janë bërë të gjitha parapërgatitjet për fillimin e procesit mësimor, përfshi ndërmarrjen e masave anti-COVID-19.

Madje edhe vet ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci disa herë kishte deklaruar por edhe ka postuar në rrjetet sociale se janë gati për fillimin e procesit mësimor, por e masat e ndërmarra nga institucionet e shtetit parashihnin që procesi mësimor të mos filloj.

Postimi i Nagavcit ku thotë se janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vititi të ri shkollor

Ajo ka deklaruar se si MASHTI-i po ashtu edhe Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) i kanë bërë të gjithë hapat e nevojshëm, madje MASHTI kishte dërguar nëpër shkolla edhe inspektorët për të parë nga afër parapërgatitjet.

Albanian Post, pas marrje së informatës se nxënësit e klasave të gjashta, shtata, të teta dhe të nënta në Komunën e Prishtinës, po përballen me mungesë të librave, menjëherë ka dërguar pyetje në Drejtorinë Komunale të Arsimit, MASHT dhe tek Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës (KPKP) dhe në Këshillin e Prindërve të Kosovës(KPK) për të parë se pse nuk janë furnizuar nxënësit e këtyre klasave me libra.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit lidhur me pyetjet e dërguara nga Albanian Post ka zgjedhur të përgjigjet vet ministrja Nagavci nëpërmjet faqes së saj në rrjetin social Facebook, pak orë pas dërgimit të pyetjeve.

Ajo ka thënë se fajin për mungesën e teksteve shkollore për këto klasa e kanë Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA).

“Andaj, ju informoj se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha Drejtoritë komunale të Arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7 si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge”.

MASHTI i ka njoftuar DKA-të se sipas “Udhëzimit Administrativ nr.13/2016, tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor”, ka shkruar Nagavci.

MASHTI nuk ka siguruar tekstet

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala është përgjigjur menjëherë pyetjeve të dërguara nga Albanian Post.

Ajo ka thënë se tekste për klasat e gjashta, shtata dhe të nënta nuk ka pasur nga MASHTI.

“Shkollat janë duke funksionuar me tekste që nxënësit i kanë kthyer në qershor, por shumica janë të pa përdorshme për shkak te dëmtimit dhe gjithashtu, fletoret e punës janë të plotësuara nga nxënësit e vitit të kaluar, dhe nuk mund të përdoren nga nxënësit sivjet”.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala

Ndërsa për pjesën tjetër të furnizimit për klasën e tetë ajo ka thënë se  do të “përgjigjet komisioni i DKA brenda ditës”, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Prindërit të shqetësuar për mungesën e librave

Kryetari i Këshillit të Prindërve në Komunën e Prishtinës, Jeton Demi për Albanian Post ka thënë se në bazë të informacioneve që i ka nga prindërit ende vazhdon të ketë mungesë të librave për klasat e gjashta, shtata, teta dhe të nënta.

Demi ka thënë se mungesa e librave shkollor për nxënësit edhe pas dhjetë (11) ditësh të fillimit shkollor është shqetësuese, ndërsa ende nuk ka ndonjë informatë lidhur me këtë vonesë nga MAHT-i.

“Kjo ishte shumë shqetësuese që po shkon edhe java e dytë e mësimit pa mundësi të realizimit të plotë të orarit mësimor”.

Ai ka thënë se deri në fund të javës do të presin librat, në të kundërtën do të udhëzojnë prindërit që t’i blejnë ato.

“Po presim deri të premten që më pas të udhëzojmë prindërit t’i blejnë vetë librat ngase kjo nuk është aspak normale”.

Kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës (KPK), Ymret Reshiti ka thënë se, sipas zëvendësministres së arsimit, mungesa e librave nëpër shkolla është pasoj e planifikimit jo të duhur nga DKA-të.

“Këshilli i Prindërve të Kosovës e konsideron papërgjegjësi të të gjithë atyre zyrtareve komunal që kanë dështuar në planifikimin e saktë të furnizimit me libra të nivelit fillor”.

Kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës (KPK), Ymret Reshiti

Sipas Reshitit, KPK kërkon nga MASHTI që të ndërhyjë dhe të “dërgoj kontigjentet me libra të nevojshëm për ato komuna që kanë dështuar në planifikim që të mos pësojnë fëmijët”.

Ai ka kërkuar që të angazhohen inspektorët e arsimit për të parë se ku saktësisht qëndron problemi i dështimit të furnizimit dhe shpërndarjes të librave për nxënësit.

Reshiti ka kërkuar që të vihen para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë dështuar në këtë proces.

“Është koha e fundit që personat e tillë të vihen para përgjegjësisë ligjore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore