Lajme

MASHTI penalizon nxënësit që kopjuan në Testin e Arritshmërisë


Testi i Arritshmerisë

Të gjithë nxënësit që u zunë duke kopjuar në pjesën e dytë të Testit të Arritshmërisë do penalizohen nga MASHT, duke u kalkuluar vetëm pikët e testit të parë.

Kështu ka njoftuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit përmes një shkrimi në Facebook.

“Lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë marrë masat adekuate ndaj 2 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin celular dhe që janë evidentuar nga administruesit t’u llogariten vetëm pikët nga lëndët në pjesën e parë të testit”, njofton MASHT.

Kjo, pas një raporti të nxjerrë nga informatat e mbledhura në terren gjatë ditës së testimit të dytë të mbajtur më 14 qershor të këtij viti.

“Problemet e evidentuara gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit; vonesa të administruesve në disa qendra të testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit”, thuhet n njoftim.

MAShTI, në fund falënderon Drejtoritë Komunale të Arsimit për bashkëpunimin dhe angazhimin e shtuar në eliminimin e problemeve gjatë procesit të mbajtjes së testit.

24 mijë nxënës në tërë Kosovën, i janë nënshtruar Testit të Arritshmërisë në pjesën e dytë, i cili u mbajt më 14 qershor.

Testi i Arritshmërisë organizohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe ka për qëllim orientimin e nxënësve në karrierë.

Ndaj këtij testi shpeshherë ka pasur kritika, kjo për shkak të parregullsive që ndodhin gjatë mbajtjes së tij.

Shumë herë është përfolur për kopjim, ku nxënësit lirshëm arrijnë të shkëmbejnë përgjigje, qoftë në mënyre direkte, ashtu edhe përmes mjeteve të komunikimit.

Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet Testi i Arritshmërisë u mbajt dy ditë.

Ndryshimi që kishte ky test nga testet e kaluara të këtij niveli ishte se në të ishin të përfshira 200 pyetje nga të gjitha lëndët.

Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Iliriana Pylla, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, kishte treguar qëllimin e këtij institucioni që po synohet përmes këtij ndryshimi.

“Në ditën e parë do të jetë testi nga gjuha shqipe, angleze, historia dhe gjeografia, ndërkaq në ditën e dytë, do të jetë testi nga matematika, fizika, informatika, kimia dhe biologjia”.

“Qëllimi i këtij ndryshimi është që të mund të fokusohemi pak më shumë në vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve nga të gjitha lëndët relevante dhe jo të shkojmë me një numër të vogël pyetjesh”.

Testi i u mbajt më me 4 qershor dhe i dyti me 14 qershor, pas përfundimit të vitit shkollor.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore