Kosova

Masha e Vetëvendosjes – Kush është Dejona Mihali?


Foto: Albanian Post

Dejona Mihali, këtë të premte, është intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Siç raportoi Albanian Post, ajo është intervistuar në lidhje me rastin për dyshimet për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), apo siç njihet rasti i Nagip Krasniqit.

Ftesa për intervistim Mihalit i është bërë për të premten e kaluar, por ajo nuk ishte përgjigjur pozitivisht deri për këtë të premte.

Dejona Mihali intervistohet nga Specialja, në lidhje me rastin e Nagip Krasniqit

Kush është Dejona Mihali?

Dejona Mihali zyrtarisht në Lëvizjen Vetëvendosje (VV), mban pozitën Koordinatore e Komiteteve të kësaj partie, por roli i saj në VV dhe në vendimmarrjen shtetërore, duke qenë se partia e saj ka pushtetin, është jashtëzakonisht i madh.

Mihali, njeriu më i besuar i kryeministrit Albin Kurti, e konsideruar si “nëntoka” e VV-së apo “masha e kontrollit”, ka hegjemoni të plotë mbi pjesën më madhe të ministrave dhe deputetëve të VV-së, madje këtyre të fundit, pjesës më të madhe, ua shkruan edhe fjalimet.

Mihali është nga Shqipëria, por aktivitetin e saj politik qysh moti e zhvillon në Kosovë, si një nga njerëzit më të rëndësishëm në VV edhe pse për një gjë e tillë deri vonë publiku kosovar nuk ka pasur njohuri.

Emri i saj për herë të parë do të bëhej i njohur në vitin 2016. Ajo më 18 korrik 2016, ishte ndaluar në pikën kufitare në Morinë që të hyjë në territorin e Kosovës.

Në lidhje me këtë ndalim kishin reaguar ashpër nga VV-ja. Atë kohë nga kjo parti që ka sot pushtetin e patën quajtur “vendim arbitrar të pushtetit të [Hashim] Thaçit, [Isa] Mustafës dhe [Kadri] Veselit”.

Për fuqinë e saj brenda VV-së, rrjedhimisht tani brenda shtetit, ishte kuptuar pasi që VV-ja erdhi në pushtet, posaçërisht herën e dytë. Krejt këtë fuqi Mihali e ka të deleguar nga Albin Kurti.

I pari që do fliste për të dhe do ta akuzonte për “pastrim të figurave” brenda VV-së, do të ishte deputeti Haki Abazi.

Abazi, kur filloi të shprehte pakënaqësitë me VV-në, pati drejtuar akuza të rënda ndaj ish-partisë së tij, si “ngufatje e zërit të deputetëve” dhe demokracisë brenda grupit parlamentar. Personin që e kishte apostrofuar për këtë kishte qenë Dejona Mihali.

Sipas Abazit, Mihali është “masha e kontrollit” të deputetëve të partisë që udhëheqë me vendin.

“Unë e kam iniciuar krijimin e Komisionit për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Ajo është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së, duke mbivendosur mbi vullnet e çdo deputeti dhe pa legjitimitet. Mihali nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e garës së brendshme të VV-së, por është njeriu kryesor që kryeson, menaxhon dhe merr vendime brenda aty”.

Pas kësaj, burime të shumta brenda VV-së, kishin treguar – jozyrtarisht – se ajo është e përfshirë në mënyrë direkte në eliminimet politike që ndodhin në VV para dy viteve. Kandidatët për kryetarë të degëve ose jepnin dorëheqje ose nuk merrnin certifikim nga organet e partisë.

Se Mihali ua shkruan një pjese të deputetëve fjalimet nuk ka dilema. Tanimë ka edhe fakte për këtë.

Mediumi “Nacionale” kishte publikuar një komunikim të drejtpërdrejtë të deputetes Ardiana Matoshi me Mihalin. Aty shihej se “komisarja” e VV-së ia përgatit ligjvënëses disa fjali për të sulmuar një gazetar kosovar: Ilir Mirenën, pasi që ky i fundit ishte tallur me VV-në.

“Ish-Zv. ministri i PDK-së, njohësi i thellë i fushës së shpronësimeve në Hade, tash pronar portali “Periskopi”, ka kohë që në mënyrën më të ultë merret me mua. E kuptoj që është në opozitë dhe fondet nuk i ka më siç i kishte, por e inkurajoj për durim e vetëpërmbajtje. I bën mirë edhe për shëndetin”, ishin fjalitë që Mihali i shkruante Matoshit për ta sulmuar Mirënen.

“A ta qes post në Facebook?”, e pyeste Matoshi, “më vonë”, iu përgjigjej ajo.

Fuqia e Mihalit, me delegim të Kurtit, raportohet se ekziston edhe në institucionet e sigurisë, konkretisht në Agjencinë Kosovare te Inteligjencës (AKI).

Albanian Post kishte raportuar se si në një takim të Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me Mihalin kishte qenë edhe Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Kujtim Shala – mik i ngushtë i kryespiunit, Petrit Ajeti.

Dorë të fuqishme Mihali ka edhe në emërimet dhe shkarkimet që bëhen në institucionet publike.

Këtë më së miri e ka ilustruar ish-drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj, i cili kishte thënë se ka dhënë dorëheqje nga RTK për shkak të “presionit politik”, kishte treguar se largimin e tij nga televizioni publik e kishte kërkuar ekskluzivisht Dejona Mihali.

Madje, ai kishte thënë se Mihali “sundon Kosovën”, dhe kjo, sipas tij, “nuk është një mit”.

Në postimet e saj në Facebook, Mihali është jashtëzakonisht aktive në mbrojtjen e të gjitha kauzave të VV-së, derisa akuzon vazhdimisht opozitën.

Muajin e kaluar, Mihali në një postim të gjatë e kishte pyetur kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, “se nga cila anë e urës gjendesh?”, në një kohë kur diskutohej për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Gjatë angazhimit të saj politik në VV, Mihali nuk ka qenë e ekspozuar. Rrallë herë është parë në ndonjë aktivitete të partisë së saj.

Ajo asnjëherë nuk ka qenë as kandidate për deputete nga lista e VV-së. Mihali është pjesë e aktivistëve të VV-së nga Shqipëria, apo siç njihen “Grupi i Tiranës” – të cilit i ishte ndaluar hyrja në Kosovë nga ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, pasi që kishte konsideruar se janë rrezik për “sigurinë kombëtare”.

Dejona Mihali intervistohet nga Specialja, në lidhje me rastin e Nagip Krasniqit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore