Lajme

Masat e reja do respektohen “me kusht që Qeveria na ndihmon financiarisht”


Mbledhja në të cilën Qeveria miratoi masat e reja anti-COVID’19

Pas rritjes së numrit të rasteve me të infektuar nga COVID-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë masa të reja kundër COVID-19.

Masat, të cilat më shumë prekin sektorin e gastronomisë dhe hotelerisë, janë pranuar nga bizneset që operojnë në këto fusha, por me vërejtjen që të ndihmohen financiarisht nga qeveria, ndryshe dëmi do jetë i papërballueshëm.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se janë pajtuar që këto masa të jenë në fuqi nga data 20 gusht e deri më 1 shtator. Por, në rast se do të merret ndonjë vendim për mbyllje totale ai ka thënë se do të kundërshtojnë.

“Në takimin me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, në njëfarë forme jemi dakorduar që këto masa të jenë që nga data 20 gusht e deri në 1 shtator për shkak të përkeqësimit të gjendjes dhe rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 jemi pajtuar. Jemi dakorduar që dasmat të mbahen me një numër të kufizuar”, ka thënë ai.

Kur pyetet se cili do të jetë qëndrimi i tyre në rast se do të ndërmerren masa më rigoroze, Sogojeva ka theksuar se do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me ministrinë e shëndetësisë, dhe sipas tij, në rast se bie numri i rasteve atëherë nuk ka arsye të mbahen masat aktuale.

“Nëse rritet numri i rasteve me të infektuar atëherë do të mundohemi të gjejmë një mes në mënyrë që t’i ruajmë edhe bizneset dhe shëndetin por që ju them që mbylljet totale nuk i lejojmë”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka deklaruar se do të kundërshtojnë vendimin e qeverisë dhe ministrisë në rast se këto të fundit nuk do të ndajnë subvencione për këtë kategori.

Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Veton Zuka, ka thënë për Albanian Post se për shkak të ruajtjes së shëndetit publik do t’iu përmbahen masave aktuale mirëpo siç ka theksuar ai “jo pa ndihmën financiare nga shteti”.

“Ashtu si masat e kaluara edhe këto të tashmet vijnë si pasojë e gjendjes dhe rritjes së numrave me të infektuar dhe të vdekur nga Coronavirusi. Por pasojat e mbylljeve sidomos të klubeve të natës janë të mëdha sepse nuk kemi as një subvencion nga shteti andaj i kundërshtojmë”, ka thënë Zuka.

Po ashtu, Zuka ka theksuar se nëse masat në javët në vijim do të shtrëngohen dhe në të njëjtën kohë bizneset nuk do të përfitojnë asnjë ndihmë atëherë “do të veprojmë si biznese dhe nuk do të lejojmë mbyllje totale”.

Ndërkaq, masat e ndërmarra nga ministri Vitia më 17 gusht të vitit 2021, i ka komentuar edhe infektologu Ilir Tolaj.

Tolaj, për Albanian Post ka thënë se me këto masa është vështirë të ndikohet në ndalimin e përhapjes së infeksioneve me variantin tashmë të njohur Delta.

“Masat e tanishme janë masa gjysmake, vështirë të realizuara dhe edhe më vështirë të mbikëqyrura”, është shprehur Tolaj.

Sipas tij, në këtë fazë duhet të ketë masa “më energjike” për segmente të kufizuara të veprimtarive ekonomike, kjo për shkak që siç thotë Tolaj, duhet bërë në mënyrë që të kursehet pjesa tjetër e punës dhe e jetës së shoqërisë.

Po ashtu, infektologu Tolaj ka thënë se “ndalimi i vendtakimeve masive të popullatës, ku qëndrojnë në vende të mbyllura e gjysmë të hapura, me sisteme ajrosjeje joadekuate për COVID-19 apo edhe pa kurrfarë sistemi, për shumë orë dhe në dendësi të madhe, do të duhej të ishte masa e parë urgjente”.

Sa i përket procesit të vaksinimit anti-COVID, Tolaj ka konsideruar se ky proces duhet të përshpejtohet.

“Gjatë kësaj kohe, autoritetet shëndetësore të Kosovës duhet të intensifikojnë edhe më shumë vaksinimin e popullatës duke përfshirë edhe moshat nga shtatë vjeç e tutje”.

Sipas tij, mbrojtja e vetme ndaj Coronavirusit është vaksinimi.

“Të gjithë duhet të vaksinohen, pa përjashtim. Nuk ka asnjë arsye, as shkencore, klinike, morale e as etike për ta kundërshtuar vaksinimin”, ka deklaruar Tolaj.

Tolaj, bazuar në aspektin epidemiologjik ka thënë se dallimi në mes varianteve Alfa dhe Delta është se ky i fundit përhapet shumë më shpejt dhe më lehtë.

“Në vendet ku grumbullohen shumë njerëz dhe qëndrojnë kohë të gjatë bashkë, varianti Delta mund të shkaktojë aq shumë infeksione të reja të cilat më pas manifestohen si valë e re e pandemisë”.

Ndërsa në aspektin klinik, sipas Tolajt dallimet në mes këtyre dy varianteve janë “minore ose të papërfillshme”.

Në anën tjetër, ai ka treguar se ecuria klinike e infeksionit me variantin Delta është pothuajse e ngjashme me variantet e tjera.

“Të njëjta ose të ngjashme janë simptomat, ndërlikimet dhe rreziku për vdekje. Mjekimi i infeksioneve të shkaktuara nga varianti Delta është i njëjtë si i atyre të varianteve tjera”.

Kur pyetet se cila kategori është më e ndjeshme ndaj këtij varianti, Tolaj ka potencuar se ky variant është njëjtë i ngjashëm për të gjitha moshat e kategoritë.

“Çdokush që nuk e ka kaluar infeksionin në mënyrë të natyrshme ose nuk është i vaksinuar është potencialisht i rrezikuar për tu infektuar”, shtoi ai.

Ndërkohë, vetëm gjatë të mërkurës së 18 gushtit Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar katër persona të vdekur nga COVID-19 dhe dy mijë e 110 persona të infektuar.

Numri i të infektuarve vjen nga 10 mijë e 258 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 130 persona gjithsejtë.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë mijë e 12 mijë e 159.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm brenda 24 orëve të fundit janë vaksinuar 20 mijë e 358 persona kundër Coronavirusit.

Numri i të vaksinuarve me dozën e parë të vaksinës anti COVID është 406 mijë e 739 ndërsa numri total i të vaksinuarve me të dy dozat e vaksinës është 215 mijë e 329.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore