Lajme

Masakra në Mal të Zi, Policia zbulon kronologjinë e krimit


Policia e Shtetit në Mal të Zi mbrëmjen e 13 gushtit ka zbërthyer etapat e ngjarjes tragjike në Cetinë, një 34-vjeçar vrau me një armë zjarri 11 persona.

Sipas deklaratës së dhënë nga zyrtarët e Policisë, ky institucion është njoftuar nga disa qytetarë në orën 15:30 se të shtëna me armë zjarri ishin përdorur në Medovina.

Gjithashtu rezulton se rreth orës 15:30 autori i ngjarjes ka pasur një bisedë telefonike me një person tjetër, identitetin e të cilit nuk është bërë publik për momentin.

Më pas në vendin e ngjarjes janë dërguar menjëherë efektivët, të cilët kur kanë arritur në afërsi të vendbanimit Medovina kanë dëgjuar të shtëna armësh, britma dhe zhurmë nga vendasit.

“Në të njëjtën kohë, i dyshuari ka përdorur armë zjarri ndaj policëve të cilët janë kundërpërgjigjur. Më pas policët kanë gjuajtur rreth 20 fishekë në drejtim të autorit”.

Policia njoftoi se gjatë shkëmbimit të zjarrit, një polic ka mbetur i plagosur në pjesën e kokës.

“Nga masat dhe veprimet e deritanishme rezulton se njëri prej plumbave të shkrepur nga punonjësit e policisë ka goditur autorin dhe e ka plagosur rëndë me atë rast”.

Policia shpjegon se pas përdorimit të alternuar të armëve të zjarrit nga efektivët dhe autori në një moment kjo ka ndaluar.

Këtë e vërteton edhe deklarata e dëshmitarit i cili ka folur në telefon me autorin rreth orës 15:50, pra rreth njëzet minuta pas bisedës së mëparshme telefonike. .

Administrata policore njoftoi se në përputhje me procedurat e saj, në kuadër të zbardhjes së plotë të fakteve të këtij rasti, do të kontrollojë të gjitha veprimet e punonjësve të saj për të konstatuar me autoritet nëse ato kanë qenë në përputhje me ligjin dhe standardet.

“Së fundi, i bëjmë thirrje edhe mediave që të përdorin komunikimin me policinë dhe prokurorinë dhe në përputhje me standardet profesionale, të kontrollojnë të gjitha pretendimet në këto adresa përpara publikimit. Policia do të vazhdojë të informojë opinionin për të gjitha detajet e këtij rasti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore