Shqipëria

Martin McDowell do të drejtojë përkohësisht punët diplomatike të SHBA-ve në Tiranë


H. Martin McDowell ka filluar shërbimin prej datës 1 gusht si i Ngarkuari i Përkohshëm me Punë në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë.

Ky vendim është marrë për të mbuluar vakancën diplomatike pas largimeve të ambasadores Yuri Kim dhe zëvendësit të saj Damian Smith.

Martin është një anëtar karriere i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe punonte si Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore (EUR/SCE).

Ai së fundmi shërbeu si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA-ve në Chisinau, Moldavi.

Detyrat e tij të mëparshme jashtë shtetit përfshijnë Sllovakinë, El Salvadorin, Moldavinë (2004-2007) dhe Slloveninë.

Në Washington, përpara pozicionit të tij aktual, Martin shërbeu si Zëvendës Drejtor në Zyrën për Çështjet e Evropës Qendrore, Asistent Special për Evropën në Zyrën e Nënsekretarit për Çështjet Politike dhe Zyrtar i Tavolinës për Norvegjinë dhe Suedinë.

Lindur dhe rritur në Alabama, Martin mori një Master nga Universiteti i Alabama-s në vitin 1996 dhe një Master në Studime Strategjike nga Kolegji i Luftës së Ushtrisë së SHBA-ve në vitin 2010.

Martin flet rumanisht, rusisht, çekisht, sllovenisht, spanjisht dhe sllovakisht.

Senati amerikan do të miratonte më herët kandidaturën e diplomatit David Kostelancik si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Vetë Kostelancik, i emëruari i presidentit amerikan Joe Biden, ka parashtruar përballë Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan, të gjitha përparësitë e tij si ambasador, në mandatit që e pret në rast konfirmimi në këtë post.

Thelbi për të, mbetet tek forcimi i institucioneve demokratike dhe atyre të drejtësisë në vend, si parësore të dyja për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian”, shtoi ai përballë senatorëve amerikanë.

Biden zbulon emrin që do të zëvendësojë Yuri Kim

Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, tha ambasadori i emëruar, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje.

Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022, tha ai, tregoi nevojën për të për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qëndrueshëm.

Shtetet e Bashkuara, vijoi më tej, kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim.

Ndërkohë që, një përparësi, do të jetë edhe forcimi i klimës së biznesit në vend, ku interesat amerikane, shërbehen përmes një tregu transparent në Shqipëri.

Kush është David Kostelancik

Kjo nuk do të jetë detyra e tij e parë në Shqipëri, pasi Kostelancik ka shërbyer në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.

Ai aktualisht po shërben si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.

Më herë ka mbajtur postin e Shefit të Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-ve në Budapest të Hungarisë.

Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Kostelancik ka shërbyer gjithashtu dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë.

Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-ve në OSBE dhe NATO e në Ankara të Turqisë.

Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti.

Ai ka gjithashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Michigan-it. Diplomati flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

Biden zbulon emrin që do të zëvendësojë Yuri Kim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore