
Martin Berishaj, do të jetë ambasadori i ri i Kosovës në Kroaci.
Berishaj i cili e ka zëvendësuar ish-ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, gjatë ditës së hënë ka dorëzuar letrat kredenciale tek autoritetet kroate.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ai nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook.
“Të hënën ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, Martin Berishaj, i dorëzoi kopjen e letrave kredenciale te udhëheqësja e Protokollit Diplomatik në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Emilija Vuçiniç – Margeta”.
Ndryshe Misioni diplomatik i Kosovës në Kroaci ishte pa ambasador nga 19 maji i këtij viti, pas vendimit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, për të shkarkuar nga pozita 12 ambasadorë.

Emërimi i ambasadorëve të rijnë ka ardhur pas një periudhe gjashtë mujore vakumi që kanë pasur misionet diplomatike kosovare.
Kështu sipas kryediplomates Gërvalla, Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfaqësohet nga Ilir Dugolli, i cili së fundmi ka qenë ambasadori i Kosovës në Turqi.
Ambasada e Kosovës në Britaninë e Madhe do të përfaqësohet nga Ilir Kapiti, i cili para emërimit si ambasador ishte zëvendësministër në Ministrinë e Financave.
Gërvalla, ka bërë të ditur se Mehdi Halimi do jetë ambasadori i Kosovës në Francë.
Shefja e diplomacisë kosovare po ashtu ka njoftuar se përfaqësuese e Kosovës në Çeki do të jetë Albesjana Iberhysaj, ndërsa ambasadori i ri i Kosovës në Gjermani do të jetë Faruk Ajeti.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com