Lajme

Marrëveshja e përsëritur që vështirë gjen zbatim


Ilustrim

Marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë e arritur më 30 shtator në Bruksel ka hy në ditën e tretë të zbatimit nga të dy palët.

Deri më tani nga shteti i Kosovës nuk është shfaqur asnjë pengesë, ndërsa në Serbi është paraqitur rasti i parë i moszbatimit të kësaj marrëveshje.

Një kamion i një prodhuesi nga Kosova që po eksportonte mall për në Gjermani duke kaluar transit nëpër Serbi, është bllokuar nga autoritetet serbe, pasi në dokumente shkruan RKS, ka thënë Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha.

“Arsyeja e bllokimit është se në dokument shkruan RKS dhe përmes marrëveshjes së re autoritet serbe nuk e pranojnë asnjë dokument ku shkruan RKS edhe pse është i destinuar për vendet tjera. Do të thotë bllokadat, pengesat dhe vështirësitë me të cilat përballen kompanitë kosovare nuk kanë të ndalur. Menjëherë duhet të reagojnë institucionet e Kosovës!!”, ka shkruar Panxha në llogarinë e tij në Facebook.

Astrit Panxha

Por, marrëveshja e arritur me 30 shtator me ndërmjetësimin e të deleguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.

Marrëveshja për targat-30 shtator 2021-Bruksel

Por, ku janë ngjashmëritë dhe dallimet mes kësaj marrëveshje (të 30 shtatorit) e cila përmban tre pika, dhe marrëveshjes së më hershme (e vitit 2016) për targat, e cila përmban gjithsejtë nëntë pika.

Rikthimi nën Rezolutën 1244 të OKB-së

Opozita në Kosovë e ka akuzuar Qeverinë se nuk ka pasur nevojë të nënshkruaj një marrëveshje të re për targat, e cila sipas tyre ka rikthyer në Kosovën në një gjendje të më hershem, pra nën Rezolutën e OKB-së, 1244.

Për Albanian Post, studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Yll Sokoli ka thënë se në vitin 2016, në Bruksel, është arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për reciprocitet të plotë për targat e veturave. Kjo marrëveshje sipas tij pati obliguar qytetarët e dy shteteve të mbulojnë me afishe pjesët përfaqësuese shtetërore në targat e veturave në momentin kur kalohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithsesi, nuk mund të thuhet që reciprociteti ka qenë efektiv, pasi që është vepruar njëanshëm nga Serbia”.

Yll Sokoli

Mirëpo, marrëveshja e fundit (30 shtatorit) në Bruksel mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë,  sipas Sokolit erdhi si rezultat i disa spektakleve për konsum të brendshëm zgjedhor, sidomos nga Serbia, “obligon qytetarët e dy vendeve të vendosin afishe në ato pjesë të targave në momentin kur kalohet kufiri ndërshtetëror”, gjë që është identike me marrëveshjen paraprake, por ka vetëm pak dallime, gjë që do të varet gjatë zbatimit të saj se sa Kosova është e gatshme “të qëndroj te vendosmëria e qeverisë së Kosovës për reciprocitet efektiv”, ka thënë ai.

“Një dallim tjetër i marrëveshjes së vitit 2021 nga ajo e vitit 2016 është përfshirja e KFOR-it në situatën e krijuar. Karakteri teknik ngadalë po shndërrohet në karakter politik”.

“Po ashtu, në vitin 2016 u dakordua për fushatë informuese për çështjet teknike të marrëveshjes (është pritur të jetë marrëveshje në terma afatgjatë). Ndërkaq, me marrëveshjen e vitit 2021 u dakordua që çështjeve të përkohshme teknike (me afishe) t’u gjendet një zgjidhje e përhershme (çështjet teknike të diskutuara janë në terma afatshkurtër – 6 muaj, pastaj të gjendet një zgjidhje permanente)”, ka përfunduar Sokoli.

Fituesit që nuk do të fitojnë asgjë

Edhe për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Florent Haziri, e mira e marrëveshjes për targat e 30 shtatorit është që nuk ka pas asnjë viktimë apo të lënduar.

Haziri ka thënë për Albanian Post se, kjo marrëveshje është një marrëveshje “win-win” (fitore-fitore, duke aluduar në fitoren për Kosovën dhe për Serbinë), përkundër faktit që pushteti po proklamon që kjo marrëveshje është bërë “për të legjitimuar shtetësinë”.

“Konsideroj që është qesharake me mendua që kjo marrëveshje është ma e mirë se ajo e 2016”.

Marrëveshja për targat e vitit 2016-Bruksel

Ai konsideron se dallimet mes marrëveshjes së vitit 2016 dhe kësaj të 30 shtatorit, qëndrojnë në kontekstin “kohorë” se kur dhe si janë arritur marrëveshjet në fjalë.

“Në vitin 2016 është pranua subjektiviteti ndërkombëtarë i Kosovës thotë ai.

“Por, ngjashmëritë qëndrojnë tek faktet se marrëveshjet në fjalë po i lejojnë Serbisë të vazhdon t’i të lëshoj targa për qytetet e Kosovës”.

“A ka mundur të implementohej ky vendim i qeverisë, sigurisht që po, pasi që edhe vet zgjidhja e këtij problemi u gjend përmes procesit negocues”.

Florent Haziri

Haziri njëjtë sikur Sokoli, konsideron se Veriu i Kosovës po i kthehet një realiteti të para disa vitesh pasi që tash KFOR-i vazhdon të kryej detyrat që Policia e Kosovës i ka kryer deri me thash.

“Ajo çfarë është e dhimbshme këtu është fakti që janë barazuar protestuesit dhe bllokuesit e rrugëve dhe ligjvënësit, respektivisht policia e shtetit”.

Mungesa e vizionit barazon policinë me kriminelët

Haziri konsideron se marrëveshja e arritur gjithsesi nuk duhet shikuar si sukses diplomatik i Kosovës.

“Këtë nuk duhet parë si sukses, përkundrazi, është dështim karshi procesit negociator, se nuk kemi paraqit asnjë kërkese mksimale por, vetëm në zbutje të status quo-s së krijuar”.

“Kjo nuk është as fitore e Prishtinës as e Beogradit, se dy palët nuk kanë arritur një marrëveshje që e ndryshon realitetin në teren. Kjo ishte një zgjidhje e pritshme, por, jo fitore”.

Tutje, Haziri konsideron se i vetmi dallim mes dy marrëveshjeve është ai i “baras-vlerësimit të Policisë së shtetit dhe krimineleve në Veri”.

“Mos të harrojmë që Beogradi nuk e ka blloku rrugët por, kriminelët serb të dirigjuar nga Beogradi, por ironia është që Beogradi negocioj largimin e kamionëve që bllokuan rrugën, të cilët kishin regjistrime të lëshuara nga Serbia për qytete të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Haziri për fund ka deklaruar se ajo çfarë mbetët të shihet se si do implementohet kjo marrëveshje “kornizë, dhe se si do gjendet zgjidhja pas 6 muajsh”.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për fillimin e zbatimit të reciprocitetit të targave me Serbinë, Kosova dërgoi me 20 shtator Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës në Veri, përkatësisht në Jarinje dhe Bërnjak.

Menjëherë pas vendosjes së Policisë speciale, serbët bllokuan dy rrugët kryesore që dërgojnë për Jarinje dhe Bërnjak, duke vendosur kamion në rrugë.

Protesta e tyre u bë në emër të kundërshtimit të vendimit qeveritar, por që shumë shpejtë organizatorët, përkatësisht liderët e Listës Serbe të cilët ishin tërë kohën prezent me protestuesit, dolën me kërkesa.

Kërkesat e tyre ishin të njëjta me ato të Beogradit, pra ishin të sinkronizuara dhe shihej se ishin të dirigjuara nga pushteti në Serbi.

Serbët kërkonin, shfuqizimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, largimin e Njësisë Speciale të Policisë nga Veriu, themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, Beogradi i cili do të bisedoj në emër të tyre(serbëve në Kosovë) në Bruksel me Kosovën, kërkonte kërcënonte se dialogu nuk mund të filloj pa realizimin e kërkesave.

Por, ky nuk ishte provokimi i vetëm i Serbisë, ata në vazhdimësi për 12 ditë rresht kanë provokuar situatën në Veri, madje duke futur helikopterët në Kosovë, dërguar ushtrinë me artileri pranë kufirit me Kosovën, duke provokuar edhe vet NATO-n, e cila është përgjegjëse për sigurinë e kufijve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore