Kosova

Marrëdhënja (marrja dhe dhënja) mes Kurtit e Osmanit në rënie të pariparueshme


Foto: Albanian Post

Mosshkurja e kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin që e kishte thirrur presidentja, Vjosa Osmani, me krerët e partive, deklaratat e presidentes Vjosa Osmani në konferencë për media pas këtij takimi, deklaratat e kryeministri Kurti në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e deri te reagimi i Presidencës së Kosovës, një ditë pas kësaj konference, treguan për një raport tejet të ftohur mes krerëve të shtetit.

Analistët politik thonë se raportet e tyre jo të mira u konfirmuan edhe përmes deklarimeve të fundit që patën Osmani e Kurti.

Analisti, Afrim Kasolli, në një koment për Albanian Post deklaron se tashmë raportet e tyre janë në një fazë në të cilën vështirë se mund të rregullohen.

“Tashmë kjo aleanca e tyre politike ka hyrë në një rënie të pariparueshme. Për Kurtin, reagimi i presidentes nuk paraqet qëndrim institucional shtetëror, por vetëm atë të një qytetari të zakonshëm, kurse për Osmanin pikërisht ky reagim i shërben propagandës kundër interesave të shtetit të Kosovës”, thotë Kasolli për AP.

Sipas tij, rivaliteti i brendshëm politik mes dy liderëve kryesorë të shtetit tashmë është shndërruar në konflikt të hapur, duke e përulur dhe nëpërkëmbur dinjitetin diplomatik shtetëror.

“Kjo armiqësi po ndodh në një kohë kur Kosova rrezikon të futet në një cikël të ri të përplasjeve dhe tensioneve më partnerët kryesore të Kosovës, sikur se shtetet e QUINT-it dhe KFOR-it, për shkak të refuzimit kategorik të këtyre të fundit për t’i mos i përkrahur planet e Qeverisë për ndryshimin e statusit të urës mbi lumin Ibër”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti

“E të mos flasim këtu për tensionet e reja gjeopolitike që po agravohen dita ditës në nivel ndërkombëtar”.

Analisti politik, Fidan Ukaj, thekson për Albanian Post se gjeneza e problemeve mes kryeministrit dhe presidentes është më e hershme.

Ai thotë se ftohja e raporteve ka ndodhur që nga koha kur ministrja Donika Gërvalla, i kishte dërguar letër Këshillit të Evropës (KiE), për zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

“Që nga atëherë e deri tani e kemi parë një ftohje mes kryeministrit dhe presidentes, siç duket kjo marrëdhënie jo e mirë mes dy krerëve institucionalë dhe shtetërorë të vendit po thellohet edhe më shumë edhe në reagimin e fundit që e kishte presidentja Osmani rreth incidentit të ndodhur në Shkup – kjo tregon qartë që raportet mes kryeministrit dhe presidentes janë në pikën kritike”, thotë Ukaj për Albanian Post.

Madje, ai raportet aktuale mes dy krerëve të shtetit i quan “marrëdhënie inekzistente”.

Nga këndvështrimi i tij, Osmani s’do të ketë edhe një mandat e prandaj edhe është krijuar e gjithë kjo situatë.

“Unë nuk pres që Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti, t’i japë edhe një mundësi Osmanit për ta marrë edhe një mandat dhe si duket ajo e ka nuhatur dhe kjo ka dërguar në ftohje raportesh me kryeministrin Kurtin”.

Deklaratat që treguan për ftohjen e raporteve mes Kurtit e Osmanit

Ndryshe nga Presidenca e Kosovës që e kishte vlerësuar incidentin e presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit më 2 gusht si “provokim”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rasti nuk ishte provokim dhe se duhet të presin zbardhjen e ngjarjes nga institucionet kompetente.

Madje, Kurti u shpreh se as nuk është i informuar se rasti i Osmanit nga ndonjë institucion është vlerësuar si “provokim”.

“Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës kësi qëndrime, mund ta ketë thënë ndokush tjetër por jo institucionet e Kosovës. MPJD ka dhënë qëndrimin e saj besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin e situatës”.

“Le të zbardhet rasti janë organet përkatëse që e bëjnë këtë”, ka thënë Kurti në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të hënën.

Një ditë më pas kësaj konference reagoi sërish Presidenca e Kosovës, në lidhje me mënyrën se si është trajtuar incidenti ndaj Kosovës në konferencën për media që është mbajtur në Shkup të hënën nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski

Sipas presidencës, deklaratat e dhëna në këtë konferencë për incidentin e Osmanit në Aeroportin e Shkupit janë për “keqardhje” dhe i kontribuojnë edhe më shumë “propagandës kundër Kosovës”.

E Osmani, më 31 korrik në konferencë për media kishte thënë se nuk i di arsyet e mungesës së kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin me krerët e partive që u zhvillua të mërkurën e ku u bisedua për mbajtjen e zgjedhjeve të reja nacionale.

“Nënkryetari Glauk Konjufca ka shprehur gatishmëri të plotë të vijë në takim. Por, pasi partitë kanë qenë vetëm në nivel kryetarësh, e kemi mbajtur parimin për të gjithë dhe Konjufca me mirëkuptim e ka zbatuar. Sot nuk ka qenë prezent kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk i dimë arsyet besoj mund ta pyesni drejtpërdrejt atë, po supozoj se është në zyrë. Kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni”, tha Osmani para gazetarëve.

Viti i ardhshëm 2025 është vit i rregullt zgjedhor në Kosovë, datat që janë prezantuar në takimin mes partive dhe Osmanit kanë qenë 26 janari ose 2,9 dhe 16 shkurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore