F1

Marc Marquez, jashtë garës në Qatar


Marc Marquez, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit Ruber Internacional, vendosi të mos marrë pjesë në dy garat e para të sezonit në Losail (Qatar), më 28 mars dhe 4 prill.

“Pas kontrollit të fundit, mjekët më këshilluan se gjëja më e matur ishte të mos merrja pjesë në Grand Prix (GP) të Qatar-it dhe të vazhdoja me planin e rimëkëmbjes që kemi ndjekur javët e fundit”, shpjegon piloti në një deklaratë për shtypin spanjoll.

Në vijim ai thotë se, “Do të më pëlqente të merrja pjesë në garën e hapjes së Kampionatit Botëror, por duhet të vazhdoj të punoj për t’u rikuperuar dhe për të qenë në kushtet optimale kur të kthehem në gara”.

Gjatë kontrollit të ekipit mjekësor, u vu re një përmirësim i kushteve. Kjo, pas intensifikimit të trajnimit 15 javë pas operacionit në humerusin e krahut të djathtë.

Sidoqoftë, duke marrë parasysh gjendjen aktuale të procesit të konsolidimit të kockave, mjekët besojnë se është më e saktë të mos përshpejtohet kthimi i Marquez në pistën në Qatar pas një periudhe kaq të gjatë pasiviteti.

Spanjolli do t’i nënshtrohet një tjetër kontrolli mjekësor të hënën e 12 prillit, në fillim të javës së tretë të GP, në Portimao (Portugali).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore