Kosova

Maqedonci takohet me delegacionin e SHBA-së: Të gatshëm për të zhvilluar misionin e mbrojtjes së territorit


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në takim me departamentin e mbrojtjes së SHBA-ve.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqendonci, është takuar me delegacionin nga departamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), me të cilët ka diskutuar për implementimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit.

Takimin e ka bërë Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Së bashku u dakorduam për rrugën përpara me përkushtimin e përbashkët për implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit që do të kulmojë me arritjen e kapaciteteve të plota drejt një force profesionale, multi-etnike, të ndërveprueshme me NATO-n dhe të gatshme për të zhvilluar misionin e mbrojtjes së territorit”, ka shkruar Maqedonci.

Më 18 shkurt, ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci në një intervistë për The Geopost, ka thënë se Kosova po përballet me një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare, duke shtuar se 48 bazat e përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë një kërcënim i vazhdueshëm për vendin.

“Janë diku prej 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufitare e Kosovës dhe janë të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë.

Përveç këtyre 48 bazave, është për t’u theksuar edhe fakti që 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe ato të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë”, tha Maqedonci.

Ai ka theksuar se shumica e kapaciteteve luftarake, duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë.

Sipas tij, kjo nuk paraqet kërcënim vetëm për Kosovën, por për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimorë dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore