Kosova

Maqedonci: S’kemi frikë nga kërcënimet e Vuçiç-it


Ejup Maqedonci

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të martën paralajmëroi “masa serioze” në raport më Kosovën brenda 72 orëve.

Për ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, këto kërcënime të sigurisë të ardhura nga Serbia nuk është “diçka e re” dhe se shteti “nuk frikësohet” nga këto.

“Kërcënimi i fundit nga presidenti Vuçiç nuk është diçka e re, Serbia në vazhdimësi ka kërcënuar sigurinë e vendit tonë dhe ne nuk frikësohemi nga këto kërcënime, normalisht që këto kërcënime na bëjnë që të rrisim vigjilencën, të jemi më të përgatitur por asnjëherë të frikësohemi”, tha ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Vuçiç tha të martën se do t’i drejtohet Kosovës me “masa serioze” në 72 orët e ardhshme.

“Serbia është gjithmonë pro dialogut, unë jam gjithmonë i gatshëm për dialog, por Serbia nuk do të lejojë persekutimin dhe pogromin e popullit serb”, shkroi presidenti serb në platformën sociale, Facebook menjëherë pas takimit me diplomatin sllovak.

Presidenti i Serbisë njoftoi se do t’i adresohet popullit serb për kërkesat e Serbisë pas “sulmeve brutale mbi popullin serb” në pjesën veriore të Kosovës, derisa akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se ai “dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb” në Kosovë.

“Do të kemi shumë takime të rëndësishme, duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, duhet të kërkojmë aleatë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur… sepse tani është plotësisht e qartë se Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb dhe mendoj se kjo nuk është e qartë vetëm për ne, por edhe për të gjithë të tjerët”, shtoi ndër të tjera presidenti serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore