Lajme

Maqedonci: Pjesa më e madhe e punës në FSK është duke u bërë në investime kapitale


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se pjesë më e madhe e investimeve që po bëhen në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është në investime kapitale.

Maqedonci, gjatë një interviste për Albanian Post kishte deklaruar se si synim kryesor kanë edhe ndërtimin e infrastrukturës për FSK-në.

“Pjesa më e madhe e investimeve është duke u bërë në investime kapitale, e që kryesisht përbëhen nga blerjet e sistemeve të armatimit dhe ndërtim të infrastrukturës”.

Sipas tij, që nga viti 2021 ka pasur një rritje të madhe të investimeve në blerjen e sistemeve të armatimit.

“Ministria e Mbrojtjes vazhdon të planifikoj dhe mbështesë kompletimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me pajisje, sisteme të armatimit dhe automjete taktike luftarake. Që nga viti 2021 e deri më sot, ka një rritje të madhe të investimeve në blerje të sistemeve të armatimit”, kishte deklaruar ai për AP.

Tutje ai kishte treguar edhe sistemet e avancuara që ka armatimi.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, sot në inventarin e saj ka sisteme të avancuara të armatimit, duke përfshirë: armë të këmbësorisë, sisteme të armatimit të mbështetjes me zjarr dhe të artilerisë, kapacitete të mbështetjes ajrore dhe sisteme tjera të rëndësishme për operacionalitetin e forcës”.

Më 8 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte listuar disa nga investimet e Qeverisë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, derisa ka theksuar se “me FSK-në jemi të sigurt në mbrojtje të Republikës”.

“Ministrisë së Mbrojtës iu ndanë 100 milionë euro buxhet për herë të parë në vitin 2021. Prej atëherë, minimumi është aq, kurse tavani sa vjen e ngritet. Për vitin 2023, buxheti për ushtrinë është 141 milionë euro, më shumë se dyfishim krahasuar me kohën kur morëm në drejtim qeverinë”, kishte thënë ai.

Po ashtu ai kishte treguar se FSK-së i janë shtuar 1 mijë e 852 ushtarë të rinj, duke rritur numrin e përgjithshëm të ushtarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore