Lajme

Intervistë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci: Rasti në Banjë shpërfaqi qëllimet agresive të Serbisë dhe tregoi nevojën e prezencës së shtuar në Veri


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ndërtimi i kapaciteteve luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), mirëmbajtja e kapaciteteve aktuale të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile, rritja e mbikëqyrjes civile-demokratike dhe rritja e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me vendet partnere, janë katër objektivat kryesore të Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Në një intervistë për Albanian Post, ministri Maqedonci flet për rritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së, por edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit, posaçërisht për ikjen e një numri të madh të terroristëve.

Ikja e terroristëve, siç thekson Maqedonci për AP, është bërë për shkak të terrenit malorë në atë pjesë, por edhe për shkak se terroristët e njihnin mirë terrenin, si dhe për shkak të “kontrollit” që kishin në atë pjesë të Kosovës.

“Policia e Kosovës ka përballuar këtë sulm në mënyrën më profesionale të mundshme, pavarësisht disproporcionit në aspektin e armëve dhe taktikave ushtarake. Suksesi në këto raste nuk llogaritet me numrin e të vrarëve dhe të arrestuarave, por me mposhtjen e gatishmërisë dhe vullnetit për të vazhduar zbatimin e planit”, tha Maqedonci për AP.

Ministri, si të gjithë institucionet e tjera të Kosovës, nuk ka fare dyshime se kush e organizoni sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Dështimi i këtij grupi shpërfaqi botërisht qëllimet agresive të Serbisë në raport me vendin tonë dhe i dha arsyeshmëri tejet të bazuar nevojës së prezencës së strukturave të sigurisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit tonë”, shtoi ai.

Maqedonci, në pozitën e Ministrit të Mbrojtjes erdhi pas dorëheqjes së Armend Mehajt, më 8 gusht të këtë viti.

Në këtë intervistë ai shpalos synimet e tij që planifikon t’i realizojë brenda këtij mandati.

Intervista e ministrit Ejup Maqedonci për Albanian Post

Albanian Post: Ministër nëse mund të na sqaroni se si qëndron Kosova në rritjen e kapaciteteve ushtarake, çfarë armë ka FSK-ja dhe sa është avancuar që nga themelimi i saj?

Ejup Maqedonci: Ministria e Mbrojtjes vazhdon të planifikoj dhe mbështesë kompletimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me pajisje, sisteme të armatimit dhe automjete taktike luftarake. Që nga viti 2021 e deri më sot, ka një rritje të madhe të investimeve në blerje të sistemeve të armatimit.

E gjithë kjo vjen si rezultat i mbështetjes që Qeveria e Kosovës i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës, në aspektin e buxhetit. Për dy vite, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK, është rritur për 120%, kurse për vitin 2024, është planifikuar rritje për 24% në krahasim me vitin aktual.

Pjesa më e madhe e investimeve është duke u bërë në investime kapitale, e që kryesisht përbëhen nga blerjet e sistemeve të armatimit dhe ndërtim të infrastrukturës.

Forca e Sigurisë së Kosovës, sot në inventarin e saj ka sisteme të avancuara të armatimit, duke përfshirë: armë të këmbësorisë, sisteme të armatimit të mbështetjes me zjarr dhe të artilerisë, kapacitete të mbështetjes ajrore dhe sisteme tjera të rëndësishme për operacionalitetin e forcës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Albanian Post: Nga këndvështrimi i juaj si ish-ushtarak, a mund të na tregoni se si arritën që të largoheshin një numër i madh i terroristëve nga Banja më 24 shtator?

Ejup Maqedonci: Largimi i një pjese të grupit terrorist nga Kosova, pas sulmit në Banjë, sipas këndvështrimit tim mund të këtë ardhur për shumë arsye. E para kompleksiteti që paraqet hapësira ku u strehuan, pra manastiri dhe objektet e banimit për rreth i kanë ofruar mundësi lëvizje një pjese të grupit.

E dyta, normalisht që duke e kontrolluar me vite atë teren, ata kanë pasur njohje të mirë të terrenit dhe e treta duke qenë të mposhtur rrugëdalja e tyre e vetme ishte tërheqja dhe largimi nga Kosova.

Policia e Kosovës, ka përballuar këtë sulm në mënyrën më profesionale të mundshme, pavarësisht disproporcionit në aspektin e armëve dhe taktikave ushtarake. Suksesi në këto raste nuk llogaritet me numrin e të vrarëve dhe të arrestuarave, por me mposhtjen e gatishmërisë dhe vullnetit për të vazhduar zbatimin e planit. Me tre të vrarë, disa të plagosur dhe të arrestuar, ky grup u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe dështoi tentativa e tyre për kapje të terrenit.

Mbi të gjitha vlerësoj që suksesi i shtetit tonë në Banjë, ishte sukses strategjik i ndërthurur me fitore taktike. Dështimi i këtij grupi shpërfaqi botërisht qëllimet agresive të Serbisë, në raport me vendin tonë dhe i dha arsyeshmëri tejet të bazuar nevojës së prezencës së strukturave të sigurisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit tonë.

Manastiri në Banjskë, Zveçan.

Albanian Post: Para këtij rasti dhe në krahasim me situatën aktuale ku jemi tani, sa ka qenë prezenca e Policisë së Kosovës, e pranishme në atë pjesë në të kaluarën dhe sa është tani?

Ejup Maqedonci: Në të kaluarën prezenca reale e strukturave të sigurisë, me theks të veçantë të policisë lojale të Republikës së Kosovës, ka qenë pothuajse e pavërejtshme dhe kjo ka ndikuar dukshëm në inkurajimin e grupeve paramilitare, terroriste dhe kriminale për të operuar në katër komunat veriore.

Dy vitet e fundit, prezenca e Policisë në Veri të vendit ka qenë shumë më e madhe dhe rrjedhimisht shtrirja e ligjit dhe rregullit dukshëm më efikas. Goditja e krimit të organizuar dhe strukturave paralele gjatë këtyre dy viteve, përveç vendosjes së rendit publik dhe kushtetues u ka dhënë shpresë qytetarëve tanë të Veriut për integrimin e tyre.

Albanian Post: Në shtator na është ritheksuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), nuk duhet të vendoset në Veriun e banuar me Shumicë Serbe të Kosovës, pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it. Nga ana juaj, sa e shihni të nevojshme prezencën e FSK-së në këtë pjesë për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në vend?

Ejup Maqedonci: Institucionet e Republikës respektojnë zotimin e vitit 2013, për zhvillimin e operacioneve të FSK në Veri pas një koordinimi paraprak me KFOR-in si autoritet ushtarak ndërkombëtar në Kosovë me detyrë ruajtjen e kufirit dhe garantimin e sigurisë.

Forca e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të misionit të saj ndër detyrat kyçe ka mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe në këtë aspekt ne koordinohemi në vazhdimësi me KFOR-in për të qenë të sigurt që KFOR të ketë në konsideratë mbështetjen nga FSK-ja për operacione luftarake në rast të nevojës. Përndryshe, FSK në vazhdimësi analizon dhe përditëson plane për të ekzekutuar detyrat e saj.

Albanian Post: E kemi parë një arsenal të armëve në Kosovë i cili ka hyrë nga grupe terroriste të Serbisë. Ministër, jemi informuar që këto armë nuk kanë hyrë në Kosovë vetëm me 24 shtator, hyrja e këtyre armëve për në vendin tonë është bërë gjatë gjithë kohës. Përse ka ndodhur kjo dhe në situata të tilla në mbrojtjen e kufirit a është e domosdoshme edhe prezenca e FSK-së në parandalimin e këtyre veprimeve?

Ejup Maqedonci: Ministria e Mbrojtjes, autorizon mobilizimin dhe operacionet e FSK-së, kurdoherë dhe kudo që kërkohet nga udhëheqësia e vendit dhe sa herë që KFOR, vlerëson që iu duhet mbështetja jonë, përfshirë dhe patrullimin e kufirit.

Foto: Policia e Kosovës – sekuestrimi i armëve në Banjë.

Albanian Post: Ndër vite, cili ka qenë viti që Kosova ka blerë armë më së shumti për mbrojtje dhe cilat janë vendet ku Kosova furnizohet me blerje të armëve, dhe nga cilat vende pranon më së shumti donacione për armë?

Ejup Maqedonci: Kosova kulmimin e furnizimit me armë e ka gjatë vitit 2022 dhe gjatë vitit aktual. Ne vazhdojmë të furnizohemi me armë dhe të gjitha blerjet bëhen sipas konceptit shtet me shtet, kryesisht me SHBA, Turqinë, Italinë, Gjermaninë, Kroacinë dhe vendet e tjera të NATO-s.

Albanian Post: Sa ushtarë të Kosovës janë duke u trajtuar jashtë shtetit aktualisht dhe në cilat vende?

Ejup Maqedonci: Pothuajse rregullisht FSK-ja ka dhjetëra e shpesh herë mbi 100 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë që trajnohen dhe edukohen në institucione edukative ushtarake jashtë vendit.

Shumica e pjesëtarëve të FSK, shkollohen dhe trajnohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëri të Bashkuar, Turqi, Shqipëri dhe Gjermani.

Albanian Post: Cilat janë prioritetet e juaja si ministër, konkretisht ku do të jetë fokusi më i madh i juaj?

Ejup Maqedonci: Objektivat e mija kryesore janë katër: Ndërtimi i kapaciteteve luftarake të FSK, mirëmbajtja e kapaciteteve aktuale të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile, rritja e mbikqyrjes civile-demokratike dhe rritja e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me vendet partnere.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore