Kosova

Maqedonci: Për herë të parë u akredituan atashe të mbrojtjes jorezident në katër shtete


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se për herë të parë nga Kosova janë akredituar atashe të mbrojtjes jorezident në Slloveni, Kanadë, Zvicër dhe Holandë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Maqedonci ka vlerësuar se kanë zgjeruar rritjen e diplomacinë ushtarake përmes akreditimit të atasheve të mbrojtjes në shtetet partnere.

“Vetëm gjatë një viti janë akredituar për herë të parë atashe të mbrojtjes jorezident në këto shtete: Slloveni, Kanada, Konfederatë të Zvicrës dhe Holandë”.

Ndër të tjera, ka përmendur edhe prezencën ushtarake të Kosovës në shtete të tjera.

“Përfaqësuesit tanë ushtarakë tanimë janë të pranishëm edhe në disa shtete të tjera me të cilat kemi bashkëpunim të shkëlqyer bilateral si në ShBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi, Kroaci e Shqipëri, ndërsa në proces është akreditimi i atasheve në Itali, Japoni e Republikë Çeke”.

“Zgjerojmë përfaqësimin dhe partneritetin për të ruajtur paqen, marrëdhëniet ndërkombëtare që ne zotohemi të mbrojmë: një rend të lirë dhe të hapur të bazuar në rregulla”.

Para 5 ditësh, ministri Maqedonci kishte thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), sipas sondazhit për Ballkanin Perëndimor të Institutit Ndërkombëtar Republikan është vlerësuar si institucioni më i besueshëm në Kosovë.

“Në sondazhin për Ballkanin Perëndimor të Institutit Ndërkombëtar Republikan, Forca e Sigurisë së Kosovës nga 86% e të anketuarve vlerësohet si institucioni më i besueshëm në Kosovë. Në këtë sondazh qytetarët e Republikës së Kosovës janë përgjigjur që kanë besim në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, kishte shkruar ai.

Buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për vitin 2024 është rreth 150 milionë euro. Ky buxhet përfshin investime në pajisje të reja, trajnim, dhe modernizim të kapaciteteve të FSK-së.

Ndërsa nga buxheti i vitit 2023 për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) ishin ndarë 123 milionë euro.

Buxheti i FSK-së për vitin 2022 kapte shumën prej 100 milionë eurove. Ndërsa buxheti për vitin 2023 ishte diku rreth 20% më i lartë se ai i vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore