Kosova

Maqedonci ia konfirmon ministrit kroat vendosmërinë e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministri kroat Ivan Anushiç.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të mërkurën është takuar me ministrin e mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiç, me të cilin ka diskutuar për sigurinë dhe mbrojtjen e Kosovës.

Pas takimit, Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se kanë shqyrtuar mundësitë për të rritur bashkëpunimin.

“Me Ministrin Anushiq shqyrtuam mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, diskutuam rreth situatës së sigurisë në regjion si dhe në nivel global”.

“Ministrin Anushiq e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë-dimensionale nga Kroacia për Kosovën si dhe konfirmova vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka vlerësuar se miqësia mes Kosovës dhe Kroacisë është e përjetshme sepse i ka themelet në “historinë, vlerat dhe të ardhmen e përbashkët”.

“Partneriteti dhe në veçanti bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë është në nivelin më të lartë”.

Ai ka kumtuar lajmin se gjatë vizitës është nënshkruar marrëveshje për shkollimin e kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Akademinë Ushtarake “Franjo Tugjman” e që rrit edhe më tej kapacitetet tona humane në mbrojtje dhe siguri.

Forcat e Armatosura të Kroacisë (HKoV), marrin pjesë në operacionet e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që nga 16 qershori i vitit 2009.

Vendimi ishte marrë nga Kuvendi i Kroacisë në korrik të vitit 2008, derisa për vitin 2023 dhe 2024 qeveria kroate ka miratuar dërgimin e deri 160 pjesëtarëve të ushtrisë në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Rreth 1 mijë ushtarë më shumë – nga vende të ndryshme anëtare të NATO-s – numërohen më shumë në kuadër të KFOR-it, pas tensioneve të shumta që mbizotëruan vitin e kaluar në Veri të vendit, pra rritja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë drejtim, NATO ka marrë vendim që të dërgojë trupa shtesë në kuadër të misionit të tij në Kosovë, për të parandaluar kështu ndonjë konflikt eventual që mund të cenonte sigurinë dhe paqen e rajonin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore