Lajme

Maqedonci e homologu i tij italian flasin për situatën e sigurisë në vend


Ejup Maqedonci dhe Guido Crosetto.

Situata e sigurisë në vend ka qenë tema qendrore e diskutimit në takimin në mes të Ejup Maqedoncit dhe Guido Crosetto.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, ku bëri me dije se kanë diskutuar edhe për format se si mund të zgjerohet bashkëpunimi në fushën e shkollimit si dhe trajtimit të ushtarakëve, “e po ashtu në fushën e industrisë së mbrojtjes”.

“Ministrin e falënderova për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it”, shkroi Maqedonci.

Po ashtu, Maqedonci ka njoftuar se homologun e tij se përditësuar rreth mbështetjes “që jemi duke i ofruar Ukrainës përmes ofrimit të trajnimeve dhe dhurimit të automjeteve taktike e predhave që pritet të dërgohen së shpejti”.

“Kërkova mbështetjen e Italisë në proceset për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, për të cilën pranova dhe konfirmimin nga ministri Crosetto se do të kemi mbështetjen e pakursyer të Italisë”, shtoi.

Ai theksoi se janë dakorduar se integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të krijonte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, Crosetto, pas takimit me Maqedoncin, ka thënë se prania e trupave italianë në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s (KFOR), është vendimtare për të shmangur çfarëdo tensioni të mundshëm.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë, përmes një postimi në platformën X.

“Mbi 20 vjet angazhim italian ndaj misionit të KFOR-it për të promovuar paqen dhe stabilitetin konfirmojnë lidhjen e fortë të miqësisë midis Italisë dhe Kosovës. Prania jonë vendimtare për të zbutur tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin midis palëve”, ka thënë Crosetto.

Ndryshe, Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, të premten është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.

Crosetto, gjatë qëndrimit në Kosovë do të vizitojë ushtarët italianë të cilët po shërbejnë në vend në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Në njoftimin e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë bëhet e ditur se Crosetto do të festojë me ushtarakët italianë festën e Premtes së Madhe.

“Po nisem për Kosovë për të kaluar të Premten e Madhe me ushtrinë tonë. Atyre do t’i sjell përshëndetjet dhe mirënjohjet e shtetit dhe italianëve”.

Në njoftim bëhet e ditur se Crosseto do të zhvillojë edhe “takime të rëndësishme institucionale”, por pa dhënë detaje shtesë se me kë saktësisht do të takohet ministri italian.

Ministri i Mbrojtjes i Italisë takon Maqedoncin: Prania jonë në KFOR, vendimtare për të shmangur tensionet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore