Lajme

Mantelbardhët të zhgënjyer me koeficientin, kanë pesë kërkesa për Qeverinë


Federata e Sindikatave të Shëndetësisë është shprehur e zhgënjyer me vlerën prej 105 euro të koeficientit të pagave.

Kjo federatë ka dalur me pesë kërkesa që të nisin me urgjencë negociatat për Kontratën Kolektive Sektoriale e që shtesat prej 60 eurosh të vazhdojnë deri të shpallet fundi i pandemisë së COVID-19.

Në pikën e parë është shprehur zhgënjimi me vlerën e koeficientit.

Në pikën e dytë, FSSHK-ja ka kërkuar me urgjencë të niset negocimi i Kontratës Kolektive Sektoriale, ndërsa më pas në pikën e tretë kërkohet që të vazhdohet shtesa prej 60 eurove deri të shpallet fundi i pandemisë COVID-19.

Gjithashtu, është kërkuar që të miratohet shujta prej 60 eurosh për të gjithë të punësuarit në sektorin e shëndetësisë e të bëhen publike koeficientet për stafin mbështetës në të gjitha nivelet shëndetësore.

Nga FSSHK-ja është thënë se pret reflektim të Qeverisë para se të ekzekutohen pagat për muajin shkurt.

“Në fund FSSHK mirëpret reflektim  nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me kërkesat e Këshillit Drejtues të FSSHK-së para ekzekutimit të pagave për muajin Shkurt”, thuhet në komunikatën për media.

Vlera e koeficientit për rreth 83 mijë punëtorë të shtetit ishte 120 euro dhe pritej që me Ligjin e Ri të Pagave do shkonte në 130, ose së paku vlerën koeficienti ta mbante të njëjtë, e të rritej numri i koeficientit në paga, por s’ka ndodhur as njëra dhe as tjetra, prandaj nga Sindikata e Ministrisë së Shëndetësisë thonë për Albanian Post se ka mundësi që do ta dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Tevide Imeri, deklaroi për AP se i ka befasuar vlera e koeficientit, të cilën qeveria prej muajsh e mbante të fshehur.

“Vlerën e kemi kërkuar që të jetë 130 euro, nëse jo 130 euro gjithsesi duhet është dashur të jetë 120 euro”, thotë Imeri për AP.

Përtej dërgimit në Kushtetuese, opsion janë edhe grevat, pohoi Imeri, por fillimisht duhet të shihet në çfarë niveli është pakënaqësia e punëtorëve të shëndetësisë.

Jo më shumë, as aq sa ishte, as më pak, por shumë më pak u përcaktua vlera – vetëm 105 euro.

Përkundër se veç këtë të mërkurë u mor vesh koeficienti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me 4 janar e kishte dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.

Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

“Kërkuam vlerë të koeficientit 130 euro… së paku 120 – s’u bë asnjëra”, Sindikata e Shëndetësisë ankesën gati për Kushtetuese

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore