Shqipëria

Manovra të rrezikshme në rrugë, Policia: 35-vjeçari ishte i dehur dhe me drogë


I dehur dhe me drogë nëpër rrugët e Tiranës.

Policia e Tiranës ka bërë me dije se ka arrestuar një 35-vjeçar, me iniciale B. A., pasi në rrugën “Dritan Hoxha” po bënte manovra të rrezikshme.

Pasi u njoftuan nga banorët e zonës, autoritetet iu vunë në ndjekje shtetasit në fjalë. Ky i fundit, pasi ka parë patrullën e Policisë Rrugore, nuk i është bindur shenjës së ndalimit dhe ka shtuar shpejtësinë. Në këtë kohë, 35-vjeçari ka aksidentuar një automjet tjetër në lëvizje dhe ka rrezikuar edhe kalimtarët e tjerë të rastit.

Kapja e tij, njofton Policia, është bërë në rrugën “Ibrahim Rugova” dhe fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme në njerëz.

Pas testimit për alkool, policia ka rezultuar se B.A. ishte në gjendje të dehur në masën 0.66 mg/l.

Gjithashtu, gjatë kontrollit personal, 35-vjeçarit iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar si canabis sattiva.

Në përfundim të këtyre veprimeve, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin në fjalë për veprat penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore