Shqipëria

Manja përshëndet vendimin e opozitës për të miratuar Amnistinë Penale, “zhvillim pozitiv”


Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë, ka përshëndetur së fundmi vendimin e opozitës për të miratuar Amnistinë Penale.

“Përshëndes vendimin e opozitës për të miratuar më në fund Amnistinë Penale, e cila u vonua si asnjëherë tjetër nga agjenda politike të turbullta që e morën peng këtë akt kushtetues mëshire të shtetit, duke dëmtuar afro 700 përfituesit e kësaj amnistie”, ka shkruar ai në mediat sociale.

“Me kënaqësi të veçantë konstatova se opozita mbështeti variantin e amnistisë së propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, ku as nuk bëhej fjalë për amnistimin e subjekteve të SPAK-ut e të Gjykatës Speciale”.

Manja ka shtuar se nuk e fsheh kënaqësinë që Amnistia Penale do të marrë të gjitha votat e deputetëve.

Ai po ashtu ka vijuar duke thënë se ky zhvillim pozitiv “le të shërbejë edhe për ata që s’kanë pse ikin më nga tavolina e punës, për të marrë rrugë të shkurtra që s’çojnë askund dhe si përfundim për t’i dalë gjatë rikthimit në tavolinë”.

Grupi Parlamentar i Rithemelimit ka mbështetur miratimin e amnistisë penale duke vendosur tre propozime të reja.

Me anë të një reagimi, grupi thekson se kanë kërkuar që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.

Gjithashtu kërkon përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.

Dhe pika e tretë e grupit është propozimi për një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 mars 2024, nga 31 janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.

Miratimi i aministisë kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore