Mandati i Xhaçkës, Komisioni i Venecias pranon kërkesën e Kuvendit për opinion

Në përgjigjen e saj, Presidentja e Komisionit të Venecias informon se kjo çështje është vendosur për shqyrtim në mbledhjen e Komisionit të datës 6-7 dhjetor 2024
SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
25.09.2024 18:14
Loading Icons...

Komisioni i Venecias ka pranuar kërkesën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet së cilës kërkohet opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe detyrimit për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në përgjigjen e saj, Presidentja e Komisionit të Venecias informon se kjo çështje është vendosur për shqyrtim në mbledhjen e Komisionit të datës 6-7 dhjetor 2024.

Sakaq në letrën drejtuar Komisionit të Venecias bëhet një rezyme të asaj që çfarë ka ndodhur, çfarë parashikon Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe mënyra si funksionon Gjykata Kushtetuese.

Komisioni i Venecias pyetet në letër nëse bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese,  mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar.

Po ashtu pyetet nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti. Gjithashtu se cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar.

Komisioni i Venecias pyetet edhe se cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit.

“Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?”, thuhet në letër.

“Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç’raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë krahasuar me kompetencën e gjykatës përkatëse? Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë çështjen në gjykatën e caktuar?”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kuvendit të Shqipërisë”.

Nga ana tjetër, Komisioni pyetet nëse mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi. Dh nëse mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë një kategori të re subjektesh aplikuese të ndryshme nga ato taksativisht të listuara nga Kushtetuta.

“Duke qenë se çështjet për të cilat kërkojmë opinionin e Komisionit të Venecias kanë rëndësi për ekuilibrat në demokraci dhe zgjidhjen e tensionit të krijuar nga situata të pasigurisë juridike në vendin tonë, për të cilat Kuvendi do të duhet të marrë masat e përshtatshme sa më parë që të jetë e mundur, ne do ta vlerësonim së tepërmi opinionin Tuaj në një kohë sa më të shkurtër”, mbyllet letra.

Çfarë vendosi Kushtetuesja

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dërgojë menjëherë në Kushtetuese mocionin e deputetëve për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

“Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi nuk është ekzekutuar nga Kuvendi. Përmes vendimit, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të Gjykatës Kushtetuese”, tha Zaçaj.

Sipas saj, vendimet e Kushtetueses kanë efektet dhe forcën e ligjit që asnjë organ s’ka të drejtë t’i vërë në diskutim.

“Organet shtetërore duhet t’i zbatojnë”.

Vendimi ka efekt detyrues si me pjesën urdhëruese ashtu edhe me pjesën arsyetuese.

Zaçaj sqaroi se, Kuvendi duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës pasi nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare.

“Është në kuadër të ekzekutimit të Gjykatës, e cila ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës për zgjidhjen e konfliktit me Kuvendin (kërkesa e opozitës)”.

Zaçaj gjithashtu bëri me dije se Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e PS-së, e cila me anë të Kuvendi i kërkoi Kushtetueses që të rihapë shqyrtimin gjyqësor dhe marrjen e një vendimi nga Komisioni i Venecias.