Shqipëria

Manastirliu për rishikimin e buxhetit: Më shumë financim për arsimin, mbështetje për mësuesit dhe infrastrukturën shkollore


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, foli sot në Kuvend për reformat e ndërmarra dhe risitë e vitit të ri shkollor.

“Ky vit shkollor e ka gjetur sistemin arsimor më të financuar dhe sot në aktin normativ janë 450 milionë lekë që i shtohen sistemit arsimor dhe pikërisht mbështetjes me paga për mësuesit tanë”, tha ajo gjatë seancës plenare të 12 shtatorit.

Sipas saj, nëse ka sot mësues të motivuar, janë nga rritja e pagave, që është rritja më e lartë e bërë ndonjëherë për ta. Rritja mesatare e pagave për 31 mësues në 950 euro në muaj tashmë është në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, në fjalët e Manastirliut.

“Pagat janë rritur për edukatoret në çerdhe, për punonjësit socialë dhe psikologët në shkolla dhe për oficerët e sigurisë”, shtoi ajo, duke folur dhe për sistemin e ri të kualifikimit të mësuesve që mundëson që mësuesit jo vetëm ta përfitojnë më shpejt gradën e kualifikimit, për “Mësues Specialist”, “Mësues të Kualifikuar” dhe “Mësues Mjeshtër”.

Gjithashtu ministrja u ndal edhe te Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve që synon trajnimin dhe kualifikimin e 16 mijë mësuesve në vazhdim.

Manastirliu nënvizoi edhe investimet në infrastrukturë.

“Në këto vite falë investimit të qeverisë shqiptare ne kemi mundur që procesi i transformimit, rindërtimit dhe rehabilitimit të shkollave të jetë ai më i madhi i bërë ndonjëherë duke bërë të mundur që vetëm gjatë vitit 2024 të jenë 100 shkolla të cilat janë rehabilituar apo rindërtuar, mes tyre 25 shkolla të reja që kanë hapur dyert më 9 shtator dhe 40 kantiere në të gjithë vendin, të cilat tashmë kanë nisur për të kthyer dhe këto shkolla në standarde bashkëkohore”, shpjegoi ajo.

Ministrja përmendi po ashtu edhe programin për rritjen e aftësive digjitale të nxënësve.

“Janë 216 laboratorë të rinj Smart, duke përfshirë më shumë se 35 fëmijë nga klasa e parë në klasën e tretë për të cilët synojmë që të zhvillojnë aftësitë digjitale. Dhe nëpërmjet një kredie nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, qeveria shqiptare është e angazhuar që në dy vitet e ardhshme 654 laboratorë SMART të investohen në sistemit tonë parauniversitar duke garantuar gjithashtu një kurrikul të re të Teknologjisë dhe Informacionit”, theksoi.

Në mbyllje u ndal edhe te mbështetja e nxënësve me nevoja të veçanta, me shtimin e numrit të mësuesve ndihmës dhe me kthimin e shkollave speciale për këta fëmijë në qendra burimore.

Një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është dhe mbështetja për ‘Lëvizjen Sportive në shkolla’, me shtimin e ekipeve sportive në disiplina të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore