Shqipëria

Manastirliu: 950 euro paga mesatare për mësuesit, plan për transformimin e sistemit arsimor


Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit dhe Sportit, ka shpallur një plan të gjerë për transformimin e sistemit arsimor në Shqipëri.

Fokusi është të sigurojë shërbime arsimore cilësore dhe të aksesueshme për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.

Manastirliu foli në Kongresin e PS-së për reformat transformuese të qeverisë për arsimin shqiptar.

Sipas saj, me synimin e përmirësimit të cilësisë së arsimit, një nga hapat kyçe është rritja e pagave për mësuesit.

“Viti 2024 do jetë viti i rritjes historike të pagave për mësuesit, duke e çuar për herë të parë pagën mesatare të mësuesve në 950 euro. Me rritjen e pagave, jo vetëm mbështesim mësuesit në sistem, por synojmë të tërheqim dhe të mbajmë individë të talentuar në profesionin e mësuesit për Shqipërinë e sotme por edhe për Shqipërinë e të nesërmes”, ka thënë ajo.

Një pjesë thelbësore e planit është dhe Programi Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve që synon të ofrojë trajnime efektive për mësuesit në lëndët kryesore të shkencave dhe gjuhës.

Ajo ka theksuar se ky plan do të nisë vitin e ardhshëm.

“Për mësuesit në 2024 do të nisim Programin Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve, që do të mundësojë trajnime për praktikat efektive të mësimdhënies në matematikë, gjuhë e shkenca, për të pasuruar aftësitë pedagogjike, në funksion të rritjes së nivelit të njohurive dhe nevojave të çdo nxënësi”.

Sakaq, ministrja foli edhe për planin “Shkolla 2030” që synon të transformojë arsimin parauniversitar, çka do të ndodhë duke përmirësuar kurrikulën, duke zhvilluar kompetencat e nxënësve dhe duke i orientuar ata drejt karrierës së tyre të ardhshme.

Sipas Manastirliut, në rrugën drejt modernizimit, investimet në ndërtimin e 150 shkollave deri në vitin 2026 dhe rritja e aksesit në teknologjinë digjitale, janë thelbësore.

Kjo përfshin shtrirjen e 650 laboratorëve SMART në 2025 në shkolla për të përmirësuar përvojën e mësimit për nxënësit.

Nga ana tjetër, Reforma në Arsimin Profesional është një tjetër hap drejt forcimit të një sistemi arsimor gjithëpërfshirës, që shtrihet përtej rrugëve tradicionale akademike.

Manastirliu ka ravijëzuar se këtu qeveria synon jo vetëm të mbështesë talentet dhe aftësitë e të rinjve, por dhe t’i orientojë drejt një karriere që siguron punësim të sigurt.

Për të përballuar kërkesat e tregut të punës, qeveria dhe Ministria e Arsimit synojnë të ndërtojnë një dimension të ri për arsimin e lartë.

Kjo do të bëhet duke ndërthurur programe të përbashkëta dhe duke zgjeruar ofertën akademike edhe përtej kufijve për të përshtatur nevojat e tregut të punës.

“Arsimi i Lartë do të hyjë në një dimension të ri, dimensionin evropian dhe Kolegji i Evropës – Kampusi i Tiranës është shembulli më domethënës. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me tërheqjen e studentëve ndërkombëtarë, por me krijimin e mundësive për studentët shqiptarë të kenë Europën këtu, duke vënë gurin e parë të themelit për hapjen e filialeve e kampuseve të huaja në vend. Synimi ynë është Ndërkombëtarizimi i Universiteteve, zgjerimi i programeve dhe diplomave të përbashkëta me universitete prestigjioze në botë, me synim njohjen ndërkombëtare të universiteteve tona dhe nxitjen konkurrencën mes të diplomuarve në Shqipëri.”

Ky hap përpara në fushën e arsimit, sipas saj, shënjestron përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar dhe përshtatur sistemin arsimor sipas standardeve ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore