Kosova

Maliqi për pranimin e propozimit evropian: Dilema tani është se kur do të krijohet Asociacioni


Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi.

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi për pranimin e propozimit evropian nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka sqaruar se palët janë pajtuar vetëm për tekstin kryesor, mirëpo akoma jo edhe për zbatimin.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, sipas tij Kosova ka humbur vite për t’u kthyer sërish aty ku ishte.

“Kur e lexon tekstin e marrëveshjes dhe e sheh ekzaltimin e militantëve për mospranimin e asociacionit nuk habitesh aspak se si njerëzit besojnë në mitologji fetare të tipit “Jezusi e ktheu ujin në venë!”. Marrëveshja thjesht rikonfirmon se Kosova i ka humbur tetë vite kot me çmenduri politike për t’u kthyer aty ka qenë. Te shishja e ujit. Venë ka vetëm në sytë e besimtarëve”, ka shkruar Maliqi.

Ai thekson se nuk duhet të ketë dyshime nëse do të themelohet Asociacioni.

“Dilema këtu nuk është nëse asociacioni do të krijohet ose jo, por kur do të krijohet. Serbia e do si hap të parë dhe zhbllokues të hapave të tjerë, Kosova me gjasë po e kushtëzon me marrëveshjet e tjera dhe me korrjen e përfitimeve. Pak a shumë si parimi i qeverive paraprake: “nuk ka marrëveshje për asgjë pa u arritur marrëveshje për gjithçka”.

Me këtë marrëveshje Kosova veçse ka pranuar që Serbia të mos e njohë.

“Dokumenti është plot me dykuptimësi. Në hyrje të tekstit Kosova efektivisht e pranon një fusnotë të dytë apo edhe ia zgjat jetën fusnotës së parë, teksa flitet se palët e arrijnë marrëveshjen “pa paragjykim ndaj pikëpamjeve të ndryshme të Palëve mbi çështje fundamentale, përfshi ato mbi statusin”. Pra Kosova pajtohet me idenë që Serbia të mos e njohë”.

Kurse në disa pika thotë Maliqi “Kosovës i hapen shtigje”, por që “nuk japin garanci dhe varen nga vullneti i shteteve mike për ta ndihmuar”.

“Pra kërkojnë proces paralel diskutimesh me ta. Serbia zotohet (Pika 4) se nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

“Çështja është se asgjë nuk e pengon Rusinë dhe Kinën që ta kryejnë këtë punë për Serbinë në OKB dhe as 5 shtetet në Evropë për të vazhduar të na pengojnë në NATO dhe BE. Kosova vitin e fundit në vend se të investojë energji diplomatike te kjo çështje, vendosi të harxhojë kot mirëbesim dhe kreditë te shtetet mike me aventurat pa krye në veri”.

Propozimi franko-gjerman që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua shtatorin e vitit 2022, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në praninë e ndërmjetësuesve evropianë.

Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky propozim parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë. Aty nuk përmendet njohja reciproke.

Lexojeni tekstin e plotë të dokumentit franko-gjerman që tani është pagëzuar zyrtarisht me emrin “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Zyrtare: Publikohet Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë – Asociacioni brenda

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore