Malaj: Shqipëria shihet si vend me potencial të lartë për investimet e huaja direkte

"Shqipëria, shihet si një vend me potencial të lartë për Investimet e Huaja Direkte"
SHFLETO
Rajmonda Basha
02.10.2024 20:22
Loading Icons...

Ministri i Financave, Petrit Malaj i pranishëm në takimet e zhvilluara në Berlin theksoi se pala shqiptare ndau pikëpamjet se angazhimi në rang rajonal dhe më gjerë duhet të jetë i përbashkët sa i takon adresimit të sfidave të së ardhmes.

Sipas Malajt, ato janë : gjeopolitika, demografia, ndryshimet klimaterike apo edhe zhvillimet e vrullshme të teknologjisë.

Ministri veçoi takimin me Lars Hendrik Roller, duke e cilësuar një mundësi të shkëlqyer për të ndarë progresin që po bën Shqipëria sa i takon negociatave me BE-në, kur dhe pak ditë na ndajnë nga çelja e kapitujve të parë.

“Shqipëria, shihet si një vend me potencial të lartë për Investimet e Huaja Direkte, falë investimet të mëdha infrastrukturore, zhvillimit të turizmit dhe përmirësimit të klimës së biznesit dhe këtë e konfirmoi edhe takimi që patëm me drejtues të kompanive nga më prestigjiozet”, u shpreh Malaj ndërsa ndau momente nga takimet në rrjetet sociale.

“Krijimi i sinergjisë me qëllim identifikimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e zgjidhje të përbashkëta përballë sfidave globale, mbetet një domosdoshmëri”, shtoi ai.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shpreh dje se Dialogu Global i Berlinit mbetet një nga forumet më të rëndësishme dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë rast për të promovuar veten e saj në të gjitha këto forume ndërkombëtare.

Gjithashtu “për të bërë të ditur për të gjithë investitorët e huaj se tashmë vendi plotëson çdo kusht për t’u konsideruar si një vend i Bashkimit Evropian”.