Financa

Malaj prezanton rishikimin e buxhetit: Nevojë për të shtuar investimet në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi


Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Kuvend një akt normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit, i cili është i dyti rishikim brenda vitit, duke rritur të ardhurat në vlerën e 27 miliardë lekëve.

Gjatë një fjale në Kuvend, Malaj theksoi se si janë rritur pritshmëritë dhe se si nevojat për investime të shtuara në infrastrukturë, bujqësi, arsim dhe shëndetësi kanë çuar në këtë rishikim.

Ministri tha se ndryshimet mbështeten në një sërë faktorësh realë dhe projeksionesh të pritshme. Sipas tij, akti synon ndryshime edhe në kahun e shpenzime, duke alokuar financime shtesë në sektorët prioritarë.

“Ky akt adreson edhe nevojën për zbatimin në kohë të kodit të ri zgjedhor, ku elementi që financohet ka të bëjë me regjistrimin e zgjedhësve jashtë Shqipërisë, adreson nevojën për të nxitur më tej bujqësinë, me këtë akt përhiqemi të akomodojmë nevojat shtesë të ministrisë së brendshme për kompensimin ushqimor të punonjësve të policisë dhe orët shtesë gjatë sezonit turistik”, nënvizoi ndër të tjera ministri.

Më tej, shtoi: Ndryshimet mbështeten në një sërë faktorësh reale dhe projeksioneve të pritshme. Akti synon ndryshime edhe në kahun e shpenzime, duke alokuar financime shtesë në sektorët prioritarë, kemi shtesë 450 milionë lekë për arsimin. Shpenzimet publike në arsim zënë 3.2% PBB. 900 milionë lekë për bujqësinë, 500 milionë shkojnë për grante për fermerët dhe 400 milionë lekë shtesë që shkojnë për investime në sektorin e ujitjes dhe kullimit.

Albanian Post ndërkaq më parë, ka analizuar detajet se ku këto fonde shkojnë, në fushat përkatëse, sipas dikastereve.

Një rritje të fondit do ta ketë bujqësia, me 500 milionë lekë. Sipas Malajt, përmes kësaj rritjeje, do të mbështetet skema e granteve të fermerëve.

250 milionë lekë shkojnë për Ministrinë e Shëndetësisë, për të financuar projekte të shërbimit të kujdesit parësor dhe dytësor.

Ministria e Brendshme do të marrë një “boost” të madh, duke kapur vlerën e 1.3 miliardë lekëve si buxhet, shtesat e të cilit shkojnë për kompensimin ushqimor të efektivëve të Policisë dhe pagesat për orët shtesë gjatë sezonit të verës.

Fondi për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit po ashtu shkon në masën 300 milionë lekë, për shpërblimin e sportistëve që kanë arritur rezultate të larta.

Rriten shpenzimet edhe për Ujësjellës – Kanalizimet në vlerën 2 miliardë lekë. Do të vijohet të financohet në infrastrukturën qoftë kombëtare qoftë lokale apo rurale.

Po ashtu, përfitojnë edhe Forcat e Armatosura për sigurimin e jetës dhe misionet jashtë vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore