Shqipëria

Majlinda fiton ndaj Vetonit


Ajo do të jetë sërish në krye të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Sipas burimeve të Albanian Post (AP), Majlinda Bregut i është vazhduar mandati si sekretare në këtë institucion.

Përballë saj kanë kandiduar edhe dy të tjerë: Veton Surroi nga Kosova dhe një kandidaturë nga Sllovenia.

Nga të tre grupacionet, votat më të shumta ka arritur t’i marrë Bregu ku sipas burimeve të AP-së, vendet që e kanë votuar mandatin e parë e kanë mbështetur sërish.

Ajo çfarë mbetet për tu theksuar është se për të parën herë Shqipëria dhe Kosova dalin me dy kandidatë të veçantë për këtë post.

Por, teksa në rastin e Shqipërisë Bregu është një kandidaturë konsensuale brenda politikës, në Kosovë kandidatura e Surroit ka qenë pa një marrëveshje.

Kjo gjë, është bërë për faktin që Kryeministri Albin Kurti pati bërë një premtim ndaj tij, për të marrë postin e ministrit të Jashtëm.

Mirëpo, për ta larguar vëmendjen nga kjo gjë ai ka zgjedhur t’i jap këtë kandidaturë pavarësisht faktit se ka qenë e ditur se nuk do të ketë mbështetje.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë përkundër këtij fakti ka kryer një lobim të madh për zgjedhjen e Surroit – mbi të gjitha tek vendet e ish-Jugosllavisë – duke bërë njëkohësisht edhe një “mashtrim” të vogël duke thënë se janë siguruar shtatë vota për figurën e tij.

Ndërkohë që në realitet votat e  ndara në tre grupe, siç mëson AP i takojnë më së shumti Majlinda Bregut.

Në fakt, kjo lëvizje mund të cilësohet si një “gafë e madhe” për arsyen se ky rast kishte qëllim më madhor sesa thjesht drejtimin e RCC. Kjo u bë për të provokuar Shqipërinë.

Thashethemi i bërë nga ministria – se Shqipëria ka vetëm votën e Serbisë – ishte vetëm për këtë.

Mbi të gjitha, ishte për të ardhur keq se si e kishte ndërtuar Kosova narracionin për lobimin e saj ndaj Surroit.

Nga ana tjetër ka një të dhënë të radhës interesante, ku Turqia për mandatin e ardhshëm mund të ketë një kandidaturë shumë serioze.

Teksa zyrtarizmi i Bregut pritet të behet në takimin e radhës të ministrave të Jashtëm të Ballkanit.

Politikania shqiptare u kurorëzua me këtë post më 23 prill të 2018-ës.

“Së bashku do të përpiqemi të bëjmë zgjedhje të mençura, që nxisin e mbështesin dialogun me të gjitha grupet në shoqëri. Nuk do të jetë e lehtë, e di. Do të jetë një sfidë ‘të notosh’ në mes të situatave të vështira ekonomike, shoqërore dhe politike”.

Kështu persiati Bregu gjatë fjalës së saj në “rrëmbim” të postit.

Dhe, jo pak gjëra u arritën në këtë katër vjeçar.

Kontributi i saj në 4-vjeçarin e parë

Projekti madhor “RoamFree”, me dakordësim unanim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kishte si lobuese Bregun nga viti 2019.

Kështu, siç tha dhe vetë ajo “kjo lëvizje do të sjellë një përafrim të heqjes së tarifave roaming me gjithë vendet e Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, nuk mbaron vetëm me Ballkanin. Në tavolinën e nënshkrimit të marrëveshjes për uljen e tarifave të Roaming mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, përpos të tjerëve, ishte dhe sekretarja Bregu.

Karriera e Bregut daton herët. Në vitin 1992 ajo punoi si spikere lajmesh, për të vijuar me profesionin akademik si pedagogë në vitin 1996.

Në vitin 2004 ajo u emërua si koordinatore kombëtare e Institutit të parë Kombëtar Gjinor të krijuar në Shqipëri.

Eksperienca e saj mediatike dhe karriera akademike me kohë të plotë përfundoi në vitin 2005 kur ajo u përfshi në politikë. Për tre legjislatura radhazi (2005-2017) ajo u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë, si deputete e Partisë Demokratike.

Në korrik 2005, Bregu u zgjodh kryetare e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Gjatë viteve 2013 – 2017, ajo ka drejtuar Komisionin e Integrimit Evropian të Kuvendit të Shqipërisë. Nga viti 2015-2017 ajo ka drejtuar edhe Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, i cili është organi më i lartë konsultativ për Integrimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore