Gjykata Speciale

Mahmuti: S’i kam lexuar akuzuat e Speciales, më shkaktojnë nervoz të madhe – janë të pavërteta


Bardhyl Mahmuti

Ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, po e vazhdon dëshminë e tij për të dytën ditë në Gjykatën Speciale me kërkesë të avokatëve të Pjetër Shalës i cili akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar kur supozohet se u keqtrajtuan njerëz.

Ai po përgjigjet në pyetjet e prokurorit Filippo De Minicis, cili e ka pyetur nëse ka pasur njohuri për akuzuat që i vihen në barrë Shalës.

“Lidhur me akuzat e ngritura kundër Pjetër Shalës kam mësuar nga mediat, asnjëherë nuk kam hyrë në faqen e Dhomave të Specializuara”, tha ai.

“Ju garantoj që asnjë dosje që lidhet me të gjitha dosjet e prokurorisë nuk i kam lexuar, sepse kur i lexoj të gjitha shpifjet për sa i përket akuzave më shkakton një nervoz të madhe, sepse e di që janë të pavërteta”.

Ai ka theksuar se gjatë takimit me avokatët e Shalës kishte biseduar vetëm për përmbajtën e librit të tij.

“Çdo që kanë kërkuar të sqarojnë me rrugëtimin tim politik ua kam treguar”.

Ndërsa një ditë më parë, Mahmuti ka treguar se ka qenë i angazhuar në mbrojtjen politike të UÇK-së, për të arsyetuar në rrafshin diplomatik domosdoshmërinë e luftës çlirimtare të UÇK-së.

“Kam shkuar në Shqipëri si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Gjatë luftës kam pasur dy funksione, kam qenë përfaqësues politik i UÇK-së dhe anëtar i kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës”, theksoi Mahmuti.

Pjetër Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.

Transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore