Muzikë

Magjia Taylor Swift


Nëse do të pyesni se kush ishte Taylor Swift: Pas disa vitesh mund të jetë titulli i një kënge. Sepse një fenomen i tillë ka shumë pak precedentë: si Beatles që përmenden në këngën e famshme të Stadio, Swift ka zhvendosur ekuilibrin dhe ka çuar gjithçka pak më tej.

Jo vetëm në një kuptim muzikor. Si Fab Four, ajo krijoi marketing, ekonomi, modë, madje duke u bërë një ekuilibër politik i aftë për të ndryshuar konsensusin dhe votat elektorale dhe duke u bërë një objektiv për antagonistët e saj (republikanët) që shohin tek ajo një rrezik konstant, një kërcënim që duhet luftuar me çdo kusht.

Në shfaqjen e saj të pafundme dhe kolosale, në Milano për dy mbrëmje me radhë, është e lehtë të identifikohen arsyet e shumta të suksesit të saj: aftësia për të krijuar komunitet me audiencën e saj, modeli estetik tërësisht femëror, por asnjëherë vulgar, imazhi i saj si ‘vajza e derës fqinje’ e sinqertë, por jo naive, madje plotësisht e vetëdijshme dhe e gatshme për të kërkuar rolin e saj si protagoniste.

Dhe fuqia e saj si një kantautore e aftë për të shkruar melodi të drejtpërdrejta dhe aspak banale, vargje, të cilat përshkruajnë shëmbëlltyrën e një artisti që shkatërroi çdo rekord të mundshëm ndërkohë që shumëkush nuk e pa të vinte.

Taylor Swift u jep miliona fansave të saj ndjenjën se është me të vërtetë një prej tyre: ajo është pop, pak melankolike dhe pak e zemëruar, gjithmonë e gatshme të ndajë, të përfshijë, të japë mesazhe shprese.

Kur parakalon në pasarelë e koncertit prej dhjetëra e dhjetëra metrash, me imazhin e shfaqur në ekranet gjigante pas saj, duket vërtet sikur luan me të gjithë të pranishmit.

Një iluzioniste e imazhit, por është gjithashtu e aftë të përshkruajë të sotmen pothuajse si askush tjetër.

Kult i imazhit, shije e balancuar mes vintage dhe së ardhmes, jetë sociale praktikisht e përsosur, mesazhe të tërthorë dhe të ndërgjegjshëm, marketing dhe strategji të afta të lëvizin GDP-në e gjigantit amerikan: bota, tani për tani, është e gjitha në këmbët e saj.

The Eras Tour, Arena e Amsterdam. 4 korrik 2024

Miss Americana (nga titulli i dokumentarit kushtuar asaj të paraqitur në Festivalin Sundance 2020) pushton Evropën.

Po, mbretëresha e Pop-it Taylor Swift, superylli tashmë fitues i 12 Grammy-ve, që revista Time e shpalli personazhin e vitit në vitin 2023, ka pushtuar edhe Kontinentin e Vjetër me turneun e saj Eras, i cili tashmë ka thyer çdo rekord.

Zonja e vërtetë e Box Office-it, me turneun amerikan të vitit të kaluar, ajo madje i dha një “rritje” 4.6 miliardë dollarëve PBB-së amerikane. Dhe filmi i koncertit me të njëjtin titull theu të gjitha rekordet e arkëtimeve botërore.

Efektet ekonomike kur ajo kalon janë gjithmonë dhe kudo të prekshme: në Shtetet e Bashkuara, qytetet e prekura nga eventet e saj regjistruan menjëherë mbushjen e hoteleve dhe restoranteve, si dhe një rritje të tregtisë në përgjithësi.

Edhe pse nuk munguan efektet negative, ato që ekonomistët i quajnë tashmë Swiftlation: bashkë me shfaqen vjen edhe një rritje e përgjithshme e çmimeve.

“Efekti Swift”

Me 200 milionë kopje të shitura në mbarë botën, tashmë ajo është kampione absolute në të ardhura. E vetmja artiste – baraz me Beatles – që ka vendosur 11 këngë në të njëjtën kohë në Billboard 200, paradën e hitit të SHBA.

E aftë për të çliruar aq shumë fansat – ndodhi në Seattle një vit më parë – sa shkaktoi një tërmet me magnitudë 2.3, i cili më pas u bë pjesë e asaj që ekspertët tashmë e përkufizojnë si “Efekti Swift”.

Sot thuhet se ajo do të ketë edhe fuqinë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të 2024: analistët politikë me siguri tashmë po përpiqen të matin se sa vota do të lëvizë me pozicionet e saj progresiste dhe pro-LGBTQ+.

Me formulën “Fenomeni Taylor Swift”, ndikimi i saj tashmë është objekt i studimeve akademike: Universiteti prestigjioz i Harvardit i kushtoi asaj një kurs në të cilin u regjistruan 300 studentë.

“The Eras Tour” n5 Johan Cruijff Arena di Amsterdam. 5 korrik 2024

Ajo është madje misioni i vetëm i gazetarit Bryan West, i punësuar nga grupi botues Gannett me detyrën ekskluzive të mbulimit të saj.

“Si një yll pop, ajo është në ulëse me Elvis Presley, Michael Jackson dhe Madonna; si kantautore ajo krahasohet me Bob Dylan, Paul McCartney dhe Joni Mitchell. Si një biznesmene, ajo ndërtoi një perandori me vlerë mbi një miliard dollarë”, shkruante gazetari, Sam Lansky për kantautoren në artikullin që shoqëron kopertinën e Time me një foto të trefishtë – i vetmi artist që ka marrë një nder të tillë në gati një shekull të kopertinave.

“Si një personazh i famshëm – që si grua që është ndodhet vazhdimisht nën vëzhgim – ajo ka mësuar të përdorë vëmendjen që tërheq. Dhe në 2023 diçka ka ndryshuar. Të diskutosh për atë që ajo bën është bërë si të flasësh për politikën ose motin: një gjuhë aq e njohur sa nuk ka nevojë për kontekst. Ajo është protagonistja e botës”.

Në themel të kaq shumë suksesi, pretendon New York Times, është marrëdhënia e pabesueshme e besimit që ajo ka mundur të ndërtojë me fansat e saj – “Swifties” siç e quajnë ata veten – me gjithë mençurinë e një vendalije digjitale e aftë për të intriguar oborrin e saj duke mbjellë të dhëna dhe mesazhe të fshehura në të gjitha projektet muzikore.

Fan “swifties” në Paris La Defense Arena di Nanterre, përpara Koncertit. 10 maggio 2024

Jo vetëm kaq, ajo ka fituar respektin e kolegëve muzikantë duke sfiduar mënyrën se si etiketat kryesore muzikore i shpërblejnë artistët në platformat e transmetimit.

Pa harruar që ishte edhe pioniere e #MeToo, duke denoncuar dhe çuar në gjyq DJ David Mueller, aq sa në vitin 2017 përfundoi në kopertinën e Time në mesin e “Silence Breakers” përkrah akuzuesve të mëdhenj të Harvey Weinstein.

Një artiste me zemër të artë, në çdo qytet ku performon bën mijëra donacione për të ndihmuar njerëzit në vështirësi.

Një bujari që, si të gjitha veprimet e saj, u imitua menjëherë: donacionet për Bankën e Ushqimit u rritën në kupë të qiellit.

Mbretëresha e Country

E lindur në vitin 1989, ajo ka lindur në Reading, Pensilvani. U dashurua me muzikën country që fëmijë, vetëm në moshën 6-vjeçare. Në moshën 12-vjeçare mori kitarën dhe shkroi këngën e saj të parë.

Debutimi si këngëtare erdhi në US Open Tenis ku u vu re nga një ekspert i yjeve të reja, Dan Dymtrow, ish-menaxheri i Britnety Spears.

Pasi e kuptuan talentin e saj të parakohshëm në 2004, prindërit vendosën të transferoheshin në Hendersonville, Tennessee, një periferi e Nashville, ku ata shpresonin t’i jepnin një shtysë karrierës së saj. Siç ndodhi në të vërtetë.

Në fakt, në kryeqytetin e muzikës Country ajo performoi në “Bluebird Cafe” dhe këtu tërhoqi vëmendjen e Scott Borchetta, një pilotë i makinave të garave, i kthyer në producent rekord, i cili e bëri 14-vjeçaren Tylor – në vitin 2006 – artisten e parë të etiketës që ai sapo kishte themeluar, Big Machine Records.

Kështu filloi një epokë suksesesh e cila, megjithatë, do të kishte një epilog dramatik (por, siç do ta shohim, shumë formues për Swift).

Albumi i daljes që mban emrin e saj regjistrohet çdo ditë pas shkolle. Por e neglizhon programin aq shumë sa përfundon duke lënë studimet (e diplomohet privatisht disa vite më vonë).

Është suksesi i parë: arrin në vendin e 19-të në Billboard, duke marrë shumë vlerësime pozitive. Shoqata Ndërkombëtare e Këngëtarëve të Nashville madje e vlerëson atë si “Kompozitore dhe Artiste e Vitit”. Ajo ishte vetëm 16 vjeçe, bjonde me kaçurrela.

Në nëntor 2008 ajo publikoi albumin e saj të dytë: ikonikun ‘Fearless’, gjysmë milioni kopje të shitura në shtatë ditët e para, duke e bërë atë artisten e parë femër në historinë e muzikës Country që ruan vendin e parë në top listë për 11 javë rresht falë këngës single ‘Love Story’, duke e kthyer atë në një yll global.

41st Annual Academy of Country Music Awards – Arrivals, 40th Annual CMA Awards, Taylor Swift del në Miami Dolphins vs Detroit Lions – 23 nëntor 2006

Në moshën 18-vjeçare ajo ishte tashmë shumë e famshme: Fitoi çmimin MTV Video Music Award por teksa po falënderonte në skenë, në TV live, ndodhi një episod që do të ndikonte në të ardhmen e saj.

Reperi Kanye West del në skenë. Ai e ndërpret atë në mënyrë agresive: “Ti nuk e meriton çmimin, videoja e Beyonce ishte më e mirë”.

Taylor mbetet e shatngur, e poshtëruar. Ajo mendon se sharjet nga publiku i drejtoheshin asaj. “M’u deshën vite për të kuptuar se ato ishin për të (K.West)”, do të thotë ajo më vonë.

Ai episod më pas do të ketë një pasojë edhe më të vështirë për t’u menaxhuar.

Gjashtë vjet më vonë – tani jemi në 2015, viti në të cilin Swift është më e nominuara në MTV Awards me 13 nominime dhe gjithashtu më të shpërblyerat, duke qenë se ajo merr në shtëpi katër statuja – West i kushton asaj një varg nga kënga ” Famous” : “Ndjehem sikur unë dhe Taylor mund të bëjmë akoma seks. Pse? E bëra të famshme atë kurvë”.

Taylor reagon e indinjuar, por reperit i del në mbrojtje bashkëshortja e tij, mbretëresha e reality show-t, Kim Karadashian, duke përhapur regjistrimin e një bisede telefonike mes West dhe Swift ku duket se këngëtarja i miraton ato tekste.

Mbi të lëshohet një “stuhi” mediatike (fjala më e ëmbël është “Liar”, gënjeshtare) që e trondit aq sa e shtyu të rrinte në heshtje për një vit.

Ndërkohë West përfshin gjithashtu një statujë të Taylor-it, e zhveshur në një nga videoklipet e tij muzikore ku ai shtrihet në shtrat me gruan e tij. Vetëm shumë më vonë do të publikohet regjistrimi i plotë i bisedës mes dy artistëve: ku rezulton se vargu i dorëzuar prej saj nga reperi ka qenë shumë më i ëmbëlsuar.

52nd Annual GRAMMY Awards. Los Angeles, 31 janar 2010

Ndërkohë ka pasur albume të tjera, suksese të tjera: 2010 është viti i ‘Speak Now’ dhe revista prestigjioze muzikore Rolling Stone e pagëzon zyrtarisht “Queen of Pop”, mbretëreshë e popit.

Ajo hyn për herë të parë në listën e “Global Scrooges” të Forbes: në vendin e katërt me 45 milionë dollarë të fituara, në të njëjtin nivel me supermodelen Gisele Bundchen dhe prezantuesen televizive Ellen DeGerenes.

Albumet pasojnë përsëri: ‘Red’, më pas ‘1989’, dhe gjithashtu kolona zanore e ‘Hunger Games’.

Ngacmimet

Ndërkohë, një gjë tjetër e keqe ndodh: gjatë një koncerti në Denver në vitin 2013, DJ David Mueller i prek të pasmet. Një foto (nga përpara) e kap momentin mjaft qartë. Ajo e raporton atë. Shkon në gjyq dhe merret në pyetje (“E provokoi ajo?”).

Swift fiton, por me hidhërim.

Është një përvojë që e shënjon. Praktikisht një pioniere e #MeToo, në vitin 2017 përfundoi për herë të parë në kopertinën e Time, por jo vetëm: në krah të saj ishte aktorja Ashley Judd e cila ishte e para që denoncoi hapur producentin e filmit Harvey Weinstein.

Tree Paine, përgjegjëse p5r mardhëniet publike të Swift, në gjykatën e Denver për çështjen civile kundër David Mueller. 10 gusht 2017

Në të njëjtin vit u publikua ‘Reputation’, albumi i fundit që ajo regjistroi për Big Machine. Përgjigje, që nga titulli, ndaj provokimeve të West, por edhe ndaj DJ-së që e kishte ngacmuar.

Arriti në krye të top-listave në 14 vende dhe turneu me të njëjtin emër fitoi 370 milionë dollarë, një nga turnetë për femra me fitime më të larta të të gjitha kohërave.

Në një nga videot, ‘Look What You Made Me Do’ (Shiko çfarë më bëre të bëj), ajo ua këndon – fjalë për fjalë – të gjithë armiqve të saj.

Klipi është plot me referenca simbolike. Nga fraza që mund të lexohet si eptiaf “këtu qëndron reputacioni i Taylor”, një referencë e qartë për të shumtët, përfshirë mediat, që kishin njollosur emrin e saj, te gjarpërinjtë, një referencë për akuzat e Kim Karadashian.

Bizhuteritë që dalin më pas duket se tregojnë lakminë për të cilën ajo ishte akuzuar.

Kafazi i artë, ai në të cilin – sipas shtypit – ajo do të mbahej larg realitetit, nga stafi i saj. Dhe së fundi ajo vetë e cila heq qafe imazhin e saj të kaluar. Një pamje paraprake e asaj që do të ndodhë në të vërtetë.

Ndarja me Big Machine Records dhe grindja për të drejtat e saj

Marrëdhënia me producentin diskografik Scott Borchetta në fakt është thyer.

Ajo e shpjegon vetë në një letër të gjatë të postuar në rrjetin social Tumblr në vitin 2018.

“Për vite me radhë kam kërkuar, jam lutur që të jem në gjendje të jem pronare e përmbajtjes sime. Në vend të kësaj, mua më është ofruar vazhdimisht shansi për të nënshkruar një disk të ri me Big Machine Records”.

Kështu ajo largohet, shkon në Universal.

“E dija që sapo të nënshkruaja, Borchetta do ta shiste etiketën, së bashku me të ardhmen time. Më duhej të merrja një vendim shumë të vështirë për të lënë pas të kaluarën”.

Kjo është pikërisht ajo që ndodh. Pa e paralajmëruar fare, Borchetta shet. Për një armik të Taylor, Scooter Braun, ish-menaxheri i Kayne West, Justin Bibier dhe Ariana Grande, i cili në të kaluarën e ka bullizuar dhe ngacmuar vazhdimisht.

“Më kujtohet kur Kim Kardashian orkestroi përhapjen e një pjese të telefonatës, regjistruar në mënyrë të paligjshme dhe Scooter lejoi klientët e tij të më bullizonin në internet”, shkruan ajo sërish.

“Ose kur Kanye West organizoi një video muzikore porno hakmarrëse, në të cilën një manekin me tiparet e mia shfaqet lakuriq. Tani, Scooter më ka zhveshur nga puna e jetës sime, të cilën nuk më është dhënë mundësia ta blej. Në thelb, trashëgimia ime muzikore qëndron në duart e dikujt që është përpjekur ta shkatërrojë atë për vite me radhë”, vazhdonte Swift.

Taylor Swift e Scott Borchetta në backstage të Taylor Swift Reputation Stadium Tour në MetLife Stadium. East Rutherford, New Jersey 21 korrik 2018

Në fakt, të drejtat për të gjithë muzikën që ajo kishte shkruar i takojnë atij, “të shoqëruara me videot që kisha prodhuar me paratë që fitoja duke luajtur në lokale, pastaj në klube, më pas në arena dhe në fund, në stadiume”.

Letra përfundon me një paralajmërim.

“Faleminderit Zot, unë e lë vetëm të kaluarën time në duart e Scott-it, jo të ardhmen time. Shpresoj që artistët e rinj që e kanë ëndërr muzikën ta lexojnë gjithë këtë dhe të mësojnë më mirë se si të mbrojnë të drejtat e tyre gjatë negociatave. Ju meritoni të zotëroni artin që krijoni”.

Dhe vazhdon me një goditje të fundit: “Tani ata do të kontrollojnë përgjithmonë një grua që nuk donte të lidhej me ta”.

Mesazhi shpejt bëhet viral, aq sa hashtag-u #WeStandWithTaylor rilansohet nga Lady Gaga dhe Rihanna, Selenza Gomez, Adele, Cara Delevigne dhe Miley Cyrus mes shumë të tjerëve.

Kështu filloi një grindje afatgjatë që frymëzoi këngë të tjera, në fakt ajo flet për “my stolen lullabies“, ninullat e mia të vjedhura, në “My Tears Ricochet” (në albumin Folklor i publikuar në korrik 2020).

Ndërsa “He’s got my past, frozen behind glass, but I’ve got me” (Ai ka të kaluarën time, të ngrirë pas xhamit, por unë kam veten” është një varg nga “It’s Time To Go” (në albumin Evermore të publikuar në dhjetor 2020).

Ajo e merr veten shpejt. E vërtetë, humbi regjistrimet origjinale, por historia e shtyu atë të ri-regjistronte, njëri pas tjetrit, gjashtë albumet e saj të para Taylor Swift, Fearless, Speak Now, Red, 1989, Reputation në dy vitet e ardhshme.

Duke i rishikuar me bashkëpunime të rëndësishme dhe duke i pasuruar me këngë të pa publikuara.

Angazhimi politik

Pikërisht përvojat e shumta të këqija të së shkuarës, burrat që përfituan dhe e përdorën ose e tradhtuan, e shtyjnë atë të hedhë hapin e parë politik.

Ajo ndihet fajtore që nuk ka folur kundër Trumpit, siç shpjegon vetë në dokumentarin Miss Americana: “Të gjithë më thanë: nuk mund të flasësh për politikë nëse je këngëtare Country”.

Ose më saktë me një zhanër të lidhur me Amerikën më konservatore.

Por ndërkohë jemi në zgjedhjet afatmesme 2018, të cilat mbërrijnë menjëherë pas betejës për konfirmimin në Gjykatën e Lartë të gjyqtarit kontrovers Brett Kavanaugh – i akuzuar për ngacmim.

Karriera e Taylor-it po lulëzon dhe ajo nuk dëshiron më të heshtë.

Pasi diskutoi – dhe debatoi – me stafin dhe babain e saj (“Do të keni gjysmën publikut në koncerte”, i thonë ata), ajo mbështet kandidatët demokratë në zgjedhjet e shtetit të saj përmes mediave sociale: Phil Bredesen në Senat dhe Jim Cooper në Dhomë.

Ajo ekspozon veten, duke iu drejtuar 112 milionë ndjekësve të saj direkt përmes Instagramit, duke shpjeguar se, nëse në të kaluarën ka qenë “ngurruese” në idenë për të ndarë opinionet e saj politike, tani ka ndryshuar mendje.

“Në dritën e ngjarjeve në jetën time dhe në botë gjatë dy viteve të fundit tani mendoj ndryshe”, shpjegon ajo.

“Unë besoj në luftën për të drejtat e LGBTQ dhe besoj se çdo formë diskriminimi bazuar në orientimin seksual dhe gjininë është e gabuar. Unë besoj se racizmi që shohim në këtë vend ndaj njerëzve me ngjyrë është i tmerrshëm. Unë nuk mund të votoj për dikë i cili nuk do të jetë i gatshëm të luftojë për dinjitetin e të gjithë amerikanëve, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, gjinia apo kë ai do”.

Ajo që vërtet e tmerron atë është republikanja Marsha Blackburn.

Njëra, shpjegon ajo, “që kërkon të eliminojë ligjin që mbron gratë nga dhuna në familje dhe përndjekja”.

Angazhimi i saj publik, megjithatë, nuk ishte i mjaftueshëm: Blackburn u zgjodh. Por Swift ndërkohë ka thyer një tabu të re.

Kështu, në shtator 2023, mjaftoi një histori në Instagram për të shtyrë 35 mijë të rinj të regjistroheshin brenda një dite për të votuar, gjë që në Amerikë nuk është një e drejtë automatike: të aftë për të gjeneruar trafik rekord në platformën e pavarur Vote.org me një postim të vetëm, deri në 1226 për qind.

Se sa vota ajo mund të lëvizë ende, mbetet për t’u demonstruar. Por sigurisht që lidhja me Travis Kelce-n e forcon “Efektin  Swift” në politikë dhe pavarësisht çdo deklarate të tyre.

Kapiteni – kujton Politico – është në fakt një nga sportistët që në të kaluarën u gjunjëzua gjatë himnit në mbështetje të bashkëlojtarëve afrikano-amerikanë që denoncuan brutalitetin e policisë.

Më pas ai bëri reklamë për vaksinën Pfizer dhe gjithashtu u shfaq në një reklamë për birrën Bud Light, e cila nuk pëlqehej nga konservatorët për bashkëpunimin me transgjinorin TikToker Dylan Mulvaney.

Influencër hezitues, ndoshta. Por të pajisur me mjaftueshëm fuqi të butë për të qenë në gjendje të paktën të shtyjë të rinjtë të votojnë.

Travis Kelce n. 87 i Kansas City Chiefs dhe Taylor Swift gjatë Super Bowl LVIII në Allegiant Stadium të Las Vegas. 11 shkurt 2024

Këngëtari “Mbreti Midas” dhe teoritë e konspiracionit

Sigurisht, spektri i forcës së saj i tmerron strategët republikanë.

Sepse siç e përmendëm edhe në fillim, vitin e fundit, “Swift Factor” është ndjerë në gjithçka ku ajo ka vënë sytë.

Muzika, sigurisht, por edhe kinemaja, madje edhe sporti.

Me Hollivudin e sprovuar rëndë nga greva e skenaristëve që zgjati gati pesë muaj në 2023, publikimet vjeshtore dukeshin të destinuara të shuheshin, me rrezikun për t’i dhënë goditjen përfundimtare kinemave, tashmë në krizë nga Covid.

Më pas, në shtator të vitit të kaluar, Swift çuditërisht njoftoi shpërndarjen e filmit me regji të Sam Wrench rreth Eras Tour: pasi kishte negociuar drejtpërdrejt me zinxhirin e kinemasë AMC, duke anashkaluar ndërmjetësit tradicionalë të studios.

Mbërriti në kinematë në mbarë botën më 13 tetor dhe ishte një bum i menjëhershëm në arkëtime.

Në fillim të lidhjes me Kelcen, atëherë, mjaftoi që një të dielë të parë të shkonte në stadium për të brohoritur për Kansas City Chiefs, kapiteni i të cilëve atë radhë ishte i dashuri i saj, duke bërë të fluturonte edhe NFL-ja.

Liga amerikane e futbollit, e cila në fakt i kushton 10 histori ngjarjes në llogarinë e saj TikTok, madje duke ndryshuar shkurtimisht biografinë: “9/24/23. Taylor ishte këtu”.

Edhe rrjeti Fox që transmetonte ndeshjen i dha pothuajse më shumë bujë pranisë së saj sesa ndeshjes, duke “shkëputur” kamerat drejtpërdrejt nga ndeshja nëntë herë për t’i fokusuar tek ajo dhe duke tërhequr 24.3 milionë njerëz, pamja më e transmetuar televizive e javës me një rritje të audiencës femërore në grupmoshën 18-49 vjeç me 63 për qind.

Taylor Swift dhe Gracie Abrams gjatë “Taylor Swift | The Eras Tour” në stadiumin e Wembley a Londra. 23 qershor 2024

Kjo nuk mjaftoi.

“Efekti Swift” – e cila u ul pranë Donna Kelce-s, nënës së Travis, në stadium – u ndje edhe tek ai. Në orët pas ndeshjes ai fitoi 300 mijë ndjekës në rrjetet sociale, pa shitjet e marketingut të tij të rriten me 400 për qind.

Natyrisht, edhe aksionet e Chiefs u rrit gjithashtu.

Një ndikim i tillë qe i mjaftueshëm për të çliruar paranojën e konservatorëve, të cilët, s’ka nevojë të thuhet, menjëherë thirrën për konspiracion, duke pretenduar se pjesëmarrja e saj në Super Bowl në shkurt ishte rënë dakord edhe me Presidentin Joe Biden dhe se tani do të mjaftonte që ajo thjesht të deklaronte mbështetjen e saj për Biden për të dërguar të rinjtë e magjepsur prej saj në votime.

Një version absurd i rilançuar nga influencues pro-Trump, në talk show të krahut të djathtë, populistë të të gjitha llojeve.

Dhe të mendosh se, nëse ajo me të vërtetë dëshiron t’i japë një shtysë demokratëve, do të mjaftonte shumë më pak.

Më e pëlqyera nga amerikanët (59 për qind e pëlqejnë muzikën e saj) do t’i duhet vetëm të vërë në dispozicion të fushatës të dhënat e mbledhura për fansat e saj: profilet e atyre që e ndjekin, blejnë disqet dhe marketingun e saj.

Me 279 milionë ndjekës në Instagram dhe 4.3 milionë blerës, ajo ka më shumë të dhëna se një multinacionale.

Urrejtja politike ndaj saj ka bërë që disa deepfake të kenë qarkulluar edhe në faqet më konspirative, me pak fjalë, foto porno të krijuara me inteligjencë artificiale.

Në fakt, janarin e kaluar ishte viktima e saj më e famshme.

E goditur, edhe një herë, në feminilitetin e saj. Dhe në fakt ajo tha se u trondit menjëherë nga imazhet pornografike të përhapura përmes X me fytyrën e saj.

Megjithatë, fansat u mobilizuan menjëherë për ta mbrojtur atë, duke lëshuar hashtagun #ProtectTaylorSwift në të njëjtën platformë, e cila fjalë për fjalë mbyti imazhet ofenduese, duke i bërë ato të vështira për t’u gjetur.

Taylor Swift gjatë Super Bowl LVIII mes Kansas City Chiefs dhe San Francisco 49 në Allegiant Stadium të Las Vegas. Shkurt 2024

Albumi i fundit

Ndërkohë, 19 prillin e kaluar, u publikua albumi i saj i fundit “The Tortured Poets Department”, si të mëparshmit plot mesazhe të fshehura në ‘Breakup songs’ të shumta, këngët për ndarjet në dashuri, të cilat janë specialitetet e saj dhe shumë referenca letrare për Emily Dickinson, poetja e famshme e së cilës, siç është zbuluar, ajo është një pasardhëse e largët.

Albumi i njëmbëdhjetë në studio, që erdhi me një surprizë.

Pak orë pasi e hodhi në qarkullim, ajo shtoi një album të dytë surprizë, “The Angology”, me 14 këngë shtesë.

“Është ora 2 e mëngjesit dhe mund ta zbuloj: The Tortured Poets Department (Departamenti i Poetëve të Trazuar) është një sekret i dyfishtë i albumit. Kam shkruar kaq shumë ‘poezi të trazuara’  gjatë dy viteve të fundit dhe doja ta ndaja me ju, kështu që këtu është kapitulli i dytë”.

Zemërimi i asaj që ka vuajtur në të kaluarën është edhe në këtë album: sidomos në këngën ‘Who’s Afraid of Little Old Me?’ (Kush ka frikë nga ajo që isha).

“E shkrova vetëm, ulur në piano në një nga ato momentet kur u ndjeva e hidhëruar për të gjitha gjërat që u bëjmë artistëve tanë si shoqëri dhe kulturë. Ka shumë për këtë temë në album. Çfarë u bëjmë shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve tanë? Ne i bëjmë ata të kalojnë nëpër ferr. Ne shikojmë atë që ata krijojnë dhe më pas i gjykojmë. Na pëlqen të shikojmë artistët që vuajnë”.


Natyrisht, albumi u vendos menjëherë në krye të Top Ten të Billboard dhe jo vetëm falë kopjeve të shkarkuara përmes transmetimit, por me 2 milionë kopje fizike të shitura: tashmë më i shituri i 2024-ës.

Është gjithashtu podiumi i saj i katërmbëdhjetë në paradën e hiteve: një rekord që e bën atë të kapërcejë rekordet e artistëve të shumtë, madje duke barazuar rezultatin me 14 vendet e para të Jay-Z.

Me pak fjalë, vetëm Beatles mbeten përpara saj, me 19 albume në vendin e parë. Ndërkohë, me një pasuri prej 1.1 miliardë, ajo ka hyrë edhe në një renditje shumë më ekskluzive: atë të miliarderëve të hartuar çdo vit nga Forbes.

Falë, në fakt, verës së paharrueshme ku futi në xhep 190 milionë dollarë pas taksave nga faza e parë e turneut, 35 milionë dollarë nga dy javët e para të shfaqjeve të filmit kushtuar Eras Tour dhe 500 nga honoraret e muzikës.

500 të tjera vijnë nga rritja e vlerës së katalogut të saj muzikor dhe ajo ka 125 milionë dollarë pasuri të paluajtshme, duke përfshirë gjashtë shtëpi dhe një avion privat prej 10 milionë dollarësh.

Fuqia e saj e ripërtërirë gjithashtu e lejoi atë të përfshihej në një betejë të mëtejshme. Në shkurt, Universal Music vendosi t’i mohojë licencën e videove të artistëve të saj në TikTok, rrjetit social kinez.

Megjithatë, ajo kërkoi që këngët e Departamentit të Poetëve të Trazuar të ishin të disponueshme në aplikacionin më të dashur nga të rinjtë.

Ajo ishte në gjendje ta bënte këtë pikërisht sepse tani zotëron të gjithë të drejtat e autorit të punës së saj pas vitit 2018, ndërsa Universal është vetëm distributori.

Duke bërë këtë, ajo arriti të shtyjë Universal të hyjë në një marrëveshje të re me TikTok, e cila zëvendëson dhe zbaton atë të mëparshmen, gjithashtu duke u dhënë mundësi më të mëdha ekonomike artistëve.

Swiftonomics: Gruaja që trondit tregjet

Më e madhe se Olimpiada, më e shikuar se Super Bowl dhe më popullore, se Madona.

Ju mund të zgjidhni rendin e rëndësisë, por rezultati nuk ndryshon: në moshën 34 vjeç, Taylor Swift është ngjarja më tërheqëse e popit në botë, një produkt i brendshëm bruto (PBB) ambulant, e vetmja qenie në planet që mund të ndikojë në inflacionin e një kontinenti.

Për koncertin e saj në Paris në Arena Défense ajo tërhoqi pesë herë më shumë amerikanë se Olimpiada.

Çmimet e hoteleve u rritën me 36 për qind. Është kështu kudo që ajo shkon. Ekziston një fenomen i quajtur Swiftynomics ose Swiftonomics, i cili mund të përmblidhet kështu: media flet për mijëra gra millenial nga periferitë urbane amerikane si fansat më të mëdhenj të Swift, por nëse shkoni në një koncert të Eras Tour të saj do të vini re burra dhe gra, të rinj dhe të moshuar, prindër, fëmijë, gjyshër, nipër e mbesa, njerëz që vijnë nga qytete dhe njerëz nga zonat rurale.

Këngët e saj shkojnë përtej demografisë, deri në atë pikë sa mund të flitet për një bazë potenciale prej 137 milionë amerikanësh.

Studimi i një kompanie kërkimore, QuestonPro, zbuloi se Eras Tour, me të ardhurat e tij prej pesë miliardë dollarësh, ka një ndikim të barabartë me produktin e brendshëm bruto të 50 vendeve të kombinuara. Çdo person që shkon të dëgjojë yllin e popit shpenzon mesatarisht 1 mijë e 300 dollarë në tre ditë. 71 përqind thonë se ia vlente, 91 përqind do ta bënin përsëri.

“The Eras Tour” në stadiumin Santiago Bernabéu të Madridit. 29 maj 2024

Turneu, i cili filloi në mars të vitit të kaluar në Arizona dhe do të përfundojë në dhjetor në Kanada, përfshin 152 ndalesa. Të gjitha biletat janë shitur. Njerëzit janë të lumtur dhe shumë bëjnë biznes të madh.

Pasi këngëtarja kishte mbajtur tre koncerte në Çikago, në qershor të një viti më parë, guvernatori i Illinois J. B. Pritzker shpalli rekordin në prenotimet e dhomave të hotelit. Gjashtë koncertet në Los Anxhelos e rritën produktin e brendshëm bruto të qarkut me 320 milionë dollarë. Kolorados u rrit me 140 milionë. E njëjta gjë në Cincinnati, Ohio dhe Kansas City, Misuri.

Vizita në Tokio solli 228 milionë dollarë për ekonominë japoneze, 59 milionë për atë të Mexico City, si dhe në Edinburg, Liverpool dhe Cardiff.

Fuqia e saj ekonomike njihet nga të gjithë. Rezerva Federale, Banka Qendrore Amerikane, e përmendi me mirënjohje në qershor 2023, duke nënvizuar se “maji ishte muaji më i fortë për të ardhurat nga hotelet në Filadelfia që para pandemisë, kryesisht për shkak të fluksit të të ftuarve për koncertet e Taylor Swift”.

Ndikimi konsiderohet i ngjashëm me një Super Bowl, ngjarja sportive më e njohur në Amerikë, në të cilën dy skuadrat më të mira të futbollit konkurrojnë për titullin. Këtu, turneu i Taylor është një Super Bowl i organizuar në 100 qytete.

Sipas Shoqatës së Udhëtimit, fansat e yllit të popit kanë gjeneruar një xhiro prej dhjetë miliardë dollarësh vetëm në transport. Dhe analistët në Institutin Ekonomik Mastercard presin një ndikim të fortë në inflacionin evropian këtë verë. Taylor do të jetë kudo, nga Hamburgu në Madrid, nga Londra në Dublin, Amsterdam, Varshavë dhe Vjenë.

Në koncert n5 Groupama Stadium në Lion. 2 qershor 2024

Vitin e kaluar, çmimet u rritën në qiell për shkak të mbërritjes së Beyoncé në Stokholm. Këtë vit nuk ka asnjë konkurrent.

Ajo është një yll i palodhur, e aftë të shkojë nga një koncert në Australi, në një darkë në një çati në Nju Jork, 20 orë më vonë. Dhe në mes të kësaj centrifuge, ajo arrin të kontrollojë të gjithë kompaninë e saj: ajo mban 85 për qind të të ardhurave nga shitja e biletave dhe një pjesë e riinveston në projekte sociale të lidhura me komunitetet e përfshira në turne.

Fitimet përcaktohen edhe nga një aspekt social jo margjinal: ndryshe nga gjysmë shekulli më parë, prindërit dëgjojnë fëmijët e tyre, ndonjëherë duke u përpjekur të dëgjojnë muzikën e tyre. Pra, nëse vajzat në Amerikë shikojnë në ndeshje futbolli me baballarët e tyre, nënat dëgjojnë të njëjtën muzikë si vajzat e tyre.

Koncerti bëhet një çështje familjare dhe ajo e Swift është një çështje për miliona familje: 20 për qind e të intervistuarve thanë se shkuan me prindërit e tyre. 31 për qind me fëmijë dhe pothuajse 20 me vëllezër apo motra, ose të dyja.

71 për qind shkuan për të dëgjuar Swift duke kënduar live për herë të parë. Më 25 ajo e bëri këtë dy deri në dhjetë herë.

Tre përqind e grupeve ndoqën Taylor edhe më shumë se dhjetë herë. Mos mendoni vetëm për turmat e vajzave që bërtasin: 58 përqind e spektatorëve janë midis 35 dhe 64 vjeç, 37 përqind janë midis 18 dhe 34. Dhe nën 18 vjeç, është më pak se 5 përqind.

Koncertet tërheqin mesatarisht 54 mijë fansa çdo mbrëmje. Dhe kur dritat ndizen dhe ajo del në skenë, askush nga publiku nuk mendon se ka përballë një grua që sapo ka hyrë në listën e miliarderëve të hartuar nga Forbes.

Paradoksi i stilit Taylor: E paarritshmja shumë e kapshme

Për të deshifruar stilin e Taylor Swift, duhet nisur nga vetëdija se për të, veshja është më shumë se një zgjedhje estetike.

Ylli ka bërë një art të hedhjes së mesazheve subkoshiente për jetën e saj private dhe profesionale përmes muzikës, intervistave, paraqitjeve të saj publike; prandaj, thonë ekspertët e kësaj teme, të njëjtën gjë mund ta bëjë vetëm me garderobën e saj.

Dhe në fakt, mënyra e saj e të veshurit është krejtësisht në përputhje me pritshmëritë e audiencës. Taylor Swift është princesha e popit dhe vishet si e tillë. Dhe çelësi i suksesit universal është fakti se shumë e shumë e gjejnë veten në këngët e saj, në rrëfimet e saj, në zhgënjimet e saj të dashurisë. Dhe, rrjedhimisht, edhe në rrobat e saj.

E thënë kështu, gardëroba bëhet kështu një pikë themelore e kontaktit me audiencën. Taylor ka luajtur gjithmonë fort dhe mirë duke qenë një libër i hapur për fansat dhe duke pasur përvoja të ngjashme me të tyren në çdo mënyrë.

Me këto premisa, ajo nuk mund të shfaqej kurrë në çmimet Grammy me një fustan në mish si Lady Gaga, apo edhe me një pamje si Billie Eilish, e cila mbërriti në Oscar me një lloj uniforme dadoje angleze të dizajnuar nga Chanel.

Dhe as nuk mund të vishej me tematikë si Zendaya, e cila kaloi nga moda fantastiko-shkencore tek promovimi i Dune 2, deri në pamjet e frymëzuara nga tenisi për Challengers pa pasur gajle.

Albumi pop më i mirë vokal dhe album i vitit për “Midnights”, me Julien Baker, Phoebe Bridgers dhe Lucy Dacus të grupit indo americano boygenius. Edizioni 66-të i Grammy Awards. Los Angeles 4 shkurt

Në një farë mënyre, Taylor është përtej modës. Ajo ka sy blu dhe kaçurrela bjonde, është e gjatë dhe e hollë, ka të dashur të famshëm dhe miq të bukur e të njohur: është prototipi i “vajzës perfekte”, femërore dhe asnjëherë e pafytyrë.

Dhe fjalë për fjalë vishet sipas pjesës, me një qasje fituese, e cila ndjek një strukturë shumë precize. Në turne, për shembull, ajo ndërron kostumet e trupit dhe kostumet e veshura me diamant të rremë, fustane të lehta dhe romantike si në përralla.

Ashtu si shumë kolegë të saj, ajo gjithashtu porosit kostumet nga stilistë të mëdhenj si Versace, Cavalli apo Alberta Ferretti, por rezultati është shumë më i butë se sa ajo që kërkojnë Beyoncé dhe Madonna, të cilat përdorin të njëjtat marka.

Në skenën e Taylor-it triumfojnë tonet pastel dhe byrynxhyk, teminat dhe kristale, palat dhe vello. Dhe, duke gjykuar nga magjepsja e dhjetëra mijëra fansave të pranishëm në çdo shfaqje, ajo funksionon.

Për tapetin e kuq substanca nuk ndryshon: valëzime perfekte, buzë të kuqe flakë dhe fustane sirene si një perëndeshë e Hollivudit (ose një mbretëreshë e mbrëmjes së maturës). Pikërisht ajo që shumë ëndërrojnë të veshin në raste të ngjashme, në fakt.

Taylor Swift merr pjesë në 66° GRAMMY Awards në Crypto.com Arena të Los Angeles. 4 shkurt 2024

Ajo e ndjek këtë arsyetim edhe kur është “jashtë detyrës”. Edhe në këtë rast, Taylor shmang rreziqet, edhe sepse ato nuk do të ishin në përputhje me narrativën e saj.

Minikiltet, palltot e stilit vintage dhe çizmet pin-up që ajo preferon i përshtaten dhe përzierja e markave luksoze dhe markave më pak të shtrenjta është perfekte për t’i bërë fansat të ndihen edhe më afër saj.

Dhe edhe kur pamja e saj kushton shuma absolutisht të ndaluara, si ajo prej 50 mijë dollarësh (përfshirë veshjet dhe bizhuteritë) e veshur për Super Bowl-in e fundit, të fituar nga Kansas City Chiefs të Kelce-s, ndjenja që ndjen kur e shikon është se ajo është e përsosur, por gjithsesi e “arritshme”.

Ka shifra që vërtetojnë suksesin e kësaj strategjie të saj: çizmet 500 dollarëshe (që nuk janë të lira, por nuk janë as të paarritshme) të markës Reformation që ajo i përdori shumë herë dimrin e kaluar u quajtën “këpuca e vitit” dhe shiten rregullisht.

Pasi u fotografua duke u kapur për dore me Kelce në audiencën e Coachella-s me një çantë Stella McCartney mbi supe, kërkimet për markën u trefishuan.

Byzylykët e miqësisë prej rruaza që shkëmbejnë spektatorët në koncertet e saj janë stolitë e reja për të pasur, pavarësisht nëse jeni adhurues apo jo. Dhe hulumtimi i ri nga faqja e internetit Boohoo.com ka zbuluar se stili i saj është më i kërkuari në Google, me një mesatare mujore prej gati 108 mijë kërkimesh.

Kitarat dhe melankolia: vetmia e yllit

Gjëja e habitshme në lidhje me muzikën e Taylor Swift, dhe veçanërisht historitë që ajo tregon në këngët e saj, është se sa melankolike mund të jenë ato, të shoqëruara me një ndjenjë të pashuar vetmie.

Është edhe më befasuese nga sa mund ta imagjinoni sepse, përkundrazi, ajo është e rrethuar shpesh nga mijëra e mijëra njerëz, si gjatë koncerteve të pjesës amerikane të turneut të fundit, gjatë të cilit ajo shkroi shumicën e këngëve të albumit, por edhe si në mijëra rastet e muajve të fundit që e kanë shfaqur në media duke promovuar fillimisht një film për emisionet e saj live dhe më pas një libër.

Këngët e albumit të ri të publikuar në prill, Departamenti i poetëve të trazuar, tregojnë historinë e gëzimit dhe fillimit të ndritshëm të marrëdhënieve, por edhe fundin e tyre shpesh të hidhur.

Albumi u krijua me kujdes për të mbajtur të gjallë vëmendjen tek ajo, tekstet e mbushura me të dhëna dhe sinjale që i atribuohen jetës së saj private dhe historitë e saj të vërteta ose të supozuara të dashurisë, enigma që do të zbuloheshin ose të tilla që të ruanin përgjithmonë një perde të padepërtueshme supozimesh.

Ndërsa kur publikoi albumin e saj të fundit, Midnights, i publikuar në tetor 2022, Swift u bë artistja e parë që zuri të 10 vendet në tabelën e këngëve të Billboard Hot 100, 31 këngët e reja në versionin luksoz të albumit të ri ecën edhe më mirë. Departamenti i poetëve të trazuar shiti 2 milionë e 610 mijë kopje në javën e parë, në të dytën ra në 439 mijë kopje të shitura dhe të dyja javët albumi u ngjit në vendin e parë.

Shifra e shitjeve të javës së dytë të Taylor Swift është më e lartë se e çdo albumi tjetër jo vetëm për këtë vit, por për nëntë të fundit, e tejkaluar vetëm nga 25 e Adele, e cila në 2015 shiti 1 mijë e 162 milionë kopje në javën e dytë.

“The Tortured Poets Department” në Spotify

Por, mbi të gjitha, 439 mijë kopjet e Poetëve të trazuar në javën e dytë tejkalojnë 407 mijë kopjet e shitura, në javën e parë të një muaji më parë, nga Cowboy Carter e Beyonce.

Në Itali, albumi i ri i Taylor Swift ka arritur diskun e artë në vetëm dy javë, rezultat i paarritur më parë nga artistja në Itali.

Albumi i njëmbëdhjetë i karrierës së kantautorit rekord, The tortured poets, mbetet i qëndrueshëm për të dytën javë radhazi në vendin e parë në top listë dhe vjen pas ‘1989’ (Taylor’s Version), i publikuar më 27 tetor 2023 dhe i certifikuar me diskun e artë në Itali, që përfaqëson ri-regjistrimin e katërt të diskografisë së Taylor Swift, pas Fearless, Red dhe Speak Now.

Po, sepse Taylor Swift është personifikimi i artistit modern që ndërthur shpirtin e një poeti, inteligjencën e një mjeshtri shahu dhe syrin largpamës të një investitori ekspert titujsh dhe burse.

Në fakt, është ndër artistët që për të pasur kontroll të plotë të edicioneve të tyre, u morën sërish me këngë të vjetra për t’i regjistruar sërish.

Në vitin 2021 ajo ribotoi, pasi e kishte riprodhuar dhe kënduar plotësisht, albumin e saj Fearless i cili fitoi Grammy në 2008, i vetmi nga veprat e saj që shiti më shumë se 10 milionë kopje në Shtetet e Bashkuara, albumi që e bëri të njohur në mbarë botën, duke u renditur gjithashtu i pari në Mbretërinë e Bashkuar.


— Taylor Swift (@taylorswift13) March 24, 2021

Swift e njoftoi atë në nëntor, një ditë pas një tjetër listimi për shitje dhe blerjen pasuese për 300 milionë dollarë të të gjithë katalogut të saj të vjetër të këngëve nga fondi i investimeve Shamrock Capital: kantautorja tha që për të rikthyer kontrollin e plotë të muzikës së saj do të rezononte dhe do të ribotonte gjashtë albumet e para të regjistruara në etiketën Big Machine, të cilën ajo filloi ta bënte me Fearless, e ndjekur nga afër nga Red dhe Speak Now.

“E di se kjo do të ulë në mënyrë të pashmangshme vlerën e mastera-ve të mi të vjetër”, shpjegoi Swift në një postim në Twitter, “por kjo është mënyra e vetme për mua që të rifitoj krenarinë që dikur ndjeja duke dëgjuar këngë nga gjashtë albumet e mia të para”.

Më shumë se një poete, një menaxhere që kontrollon plotësisht veten.

“The Eras Tour” në Decines-Charpieu, Francë. 2 qershor 2024

Marrë nga La Repubblica, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore