Kosova

Macron: Ua kemi bërë të qartë autoriteteve të Kosovës, është gabim të vazhdohet kështu


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar për situatën në Veri të Kosovës, pasi protestuesit serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, ku ka kritikuar autoritetet e Kosovës për vendimin që Policia t’i asistojë për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

“Shumë qartë, ka një përgjegjësi të autoriteteve kosovare në situatën aktuale dhe një mosrespektim të një marrëveshjeje, e cila megjithatë ishte e rëndësishme dhe e cila ishte nënshkruar vetëm disa javë më parë”, ka thënë Macron në një konferencë për media në Bratislavë të Sllovakisë.

Ndërkaq, kreu i Francës ka theksuar se “ne ua kemi bërë shumë të qartë autoriteteve të Kosovës se ishte gabim të vazhdohet me këto zgjedhje”.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ashtu nga Bratislava tha se është i brengosur për masat që ka ndërmarrë SHBA-ja kundër Kosovës, për shkak të situatës në Veri të Kosovës, por asnjëherë i frikësuar.

“Jam i brengosur pothuajse gjatë gjithë kohës, por asnjëherë i frikësuar. Po punojmë shumë që të gjejmë një zgjidhje për këtë”, ka thënë Kurti.

Ai më tej tha se nuk mund t’i urdhëron kryetarët e rinj të komunave në Veri të kalojnë në zyra të tjera jashtë objekteve komunale – siç po kërkojnë protestuesit serbë e komuniteti ndërkombëtar – pasi sipas tij kjo do t’i binte sikur “po angazhohem në krijimin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele serbe në Veri”.

“Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijimin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele. Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri, ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë”, shtoi ai.

Ndryshe, dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan të hënën. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.

Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën dhe të martën nga persona të panjohur në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë shoviniste.

Kjo situatë u krijua pasi që Policia e Kosovës asistoi për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zveçanit, duke hasur në kundërshtimin e serbëve lokalë.

Ky veprim i autoriteteve kosovare u kritikua nga e tërë bashkësia ndërkombëtare.

Madje, nga Departamenti Amerikan i Shtetit deklaruan se ky veprim do të ndikojë në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe ShBA-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore