Lajme

Macron gjen menjëherë pasuesin e Thierry Breton si Komisioner Evropian


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka reaguar menjëherë duke propozuar ministrin e tij të Jashtëm në largim, Stéphane Séjourné si Komisioner Evropian “i fokusuar në çështjet e sovranitetit industrial dhe teknologjik dhe konkurrencës evropiane”.

Kështu bën të ditur gazeta “Le Figaro”, duke cituar njoftimin zyrtar të Élysée-s.

“Stéphane Séjourné ishte president i grupit Renew (centristë dhe liberalë) në Parlamentin Evropian gjatë legjislaturës së mëparshme dhe plotëson të gjitha kriteret e kërkuara. Angazhimi i tij evropian do ta lejojë atë të zbatojë plotësisht këtë axhendë sovraniteti”, shton presidenca.

Élysée-ja nënvizoi po ashtu se që nga Presidenca franceze e Këshillit të BE-së në vitin 2022, Macron ka mbrojtur gjithmonë Francën duke marrë një portofol kyç të Komisionerit Evropian, të fokusuar në çështjet e sovranitetit industrial dhe teknologjik dhe konkurrencën evropiane.

Emmanuel Macron falënderoi gjithashtu Thierry Breton, “një komisioner i shquar evropian”, i cili “ka kontribuar fuqishëm në avancimin e një politike të sovranitetit evropian në fushat dixhitale (DSA/DMA), mbështetjen për bazën e mbrojtjes industriale dhe teknologjike evropiane si dhe në favor të elasticitetit të tregut të vetëm të Bashkimit Evropian gjatë krizës COVID.

Komisioneri i Tregut të Brendshëm, Thierry Breton njoftoi të hënën se do të jepte dorëheqjen me efekt të menjëhershëm, duke deklaruar se presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, me të cilën kishte një marrëdhënie të krisur, kishte kërkuar tërheqjen e tij nga presidenti francez.

Sipas tij, Ursula von der Leyen i kishte ofruar Francës në këmbim “në hapin e fundit” të formimit të kolegjit të saj të ardhshëm, si një “kompromis politik”, “një portofol gjoja më me ndikim për Francën”.

Dorëhiqet komisioneri i fuqishëm evropian, pas “krisjeve” me Von der Leyen

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore