Përballje

Lyon triumfon me përmbysje, gjejnë fitoren edhe Napoli e West Ham


Kanë përfunduar edhe ndeshjet e fundit të xhiros së tretë të grupeve në Ligën e Evropës.

Takimi më interesant, ishte ai mes Sparta Praga-s dhe Lyon-it, në të cilën triumfuan këta të fundit pas një ndeshje spektakolare.

Ishin vendasit nga Republika Çeke të cilët realizuan dy gola të shpejtë brenda 19 minutash me anë të mesfushorit Lukas Haraslin.

Por, reagimi i francezëve erdhi pak minuta para se të shkonin në pushim skuadrat, ku Ekambi realizoi golin për 2:1.

Në pjesën e dytë Lyon-i ishte shumë kërkues dhe arritën të shënojnë tre gola. Së pari Aouar barazoi shifrat në minutën e 52-të, pastaj Paqueta kaloi në epërsi francezët dhe përsëri Ekambi shënoi për 2:4.

Dhe krejt në fund, çekët arritën të shënojnë, për rezultatin përfundimtar 3:4.

Me këtë fitore skuadra e Lyon-it përforcon vendin e parë të Grupit A, me nëntë pikë të grumbulluara, ndërsa Sparta e Praga-s është në vendin e dytë me katër pikë.

Ndërkohë vendin e tretë në këtë grup e mban Rangers, të cilët triumfuan me rezultat 2:0 ndaj Brondby.

Ndeshje interesante u zhvillua edhe mes Napoli-t dhe Legia-s, të cilën e fituan italianët me rezultat 3:0.

Përkundër përpjekjeve të mëdha, gola nuk pati në pjesën e parë, derisa në të dytën Insigne zhbllokoi shifrat në minutën e 76-të, pastaj Osimhen dyfishoi epërsinë katër minuta më vonë dhe në fund Politano vulosi rezultatin përfundimtar në 3:0.

Me këtë fitore, Napoli ngjitet në vendin e dytë me katër pikë, ndërsa Legia mbetet përsëri lider i Grupit C, me gjashtë pikë të grumbulluara.

Duel interesant u zhvillua edhe në Grupin D, aty ku Eintracht Frankfurt mposhti Olympiacos-in me rezultat 3:1.

Borre, Ture dhe Kamada shënuan për ekipin gjerman, ndërsa grekët arritën golin e vetëm me anë të El Arabi-t.

Me këtë fitore, Frankfurt ngjitet në krye të tabelës me shtatë pikë, kurse Olympiacos mbetet e dyta me një pikë më pak.

Edhe sfida e Grupit B, mes PSV Eindhoven dhe Monaco-s ishte interesante, e cila përfundoi me rezultat 1:2 në favor të këtyre të fundit.

Ndërkohë, West Ham shënoi fitore të lehtë në shtëpi përballë Genk-ut me rezultat 3:0, Real Sociedad mposhti në udhëtim Sturm Graz-in 0:1 dhe Galatasaray fitoi minimalisht në udhëtim te Lokomotiva e Moskës me shifrat 0:1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore