Lajme

LVV s’do e votojë rekomandimin e opozitës për refuzimin e raportit të ZRRE-së për shtrenjtimin rrymës


Mimoza Kusari Lila

Grupi i Lëvizjes Vetëvendosje të mërkurën në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës nuk do ta votojë rezolutën me rekomandime të opozitës për refuzimin e raportit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Këtë qëndrim e ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së Kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendsoje, Mimoza Kusari-Lila në Komisionin për Ekonomi ku ka raportuar kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Megjithatë, kryesuesi Fejzullahu ka thënë se rezolutat e tilla nga Kuvendi për parandalimin e shtrenjtimit të rrymës nuk janë obligative për ZRRE-në.

Deputetja Kusari Lila ka propozuar që pragu i rritjes së çmimit të mos jetë 600 kilovatë orë, por në 800 Kilovatë orë.

Lidhur me këtë Fejzullahu theksoi se e kanë të vështirë të lëvizin nga pragu prej 600 Kilovatë orë.

Ymer Fejzullahu dhe Ferat Shala

Ndryshe në Komisionin për Ekonomi kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, ka pranuar se katër komunat veriore me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin e ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Kjo me arsyetimin se ZRRE-ja është duke zhvilluar një proces gjyqësor sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike në atë pjesë të vendit.

Fejzullahu, ka potencuar gjithashtu se kompania KEDS ka qenë institucioni i vetëm i cili ka kërkuar dhe është pajtuar me ndryshimin e strukturës tarifore të energjisë elektrike dhe se kjo kompani ia ka borxh mbi 50 milionë euro Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Prej shtatorit e deri tani KESCO nuk i ka paguar faturat e KEK-ut për energjinë që e ka marrë. Është arsyetuar për shkak të mungesës së mjeteve për kryerjen e këtyre pagesave. Mund të jetë mbi 50 milionë euro borxhi që KESCO bashkë me KEDS-in ia kanë KEK-ut”, ka thënë Fejzullahu.

Kryesuesi i ZRRE-së, gjatë raportimin në komision është pyetur nga kryesuesi i këtij komisioni deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, se pse në “raportin konsultativ ku është propozuar shtrenjtimi i rrymës është i mbështetur në subvencionimin e Qeverisë prej 75 milionë euro”.

Pra, Shala ka kërkuar nga Fejzullahu që ta shpjegojë se ku është baza ligjore e kësaj dhe se a është ZRRE-ja mbi Qeverinë e Parlamentin.

Ndërsa, Fejzullahu tërthorazi i është përgjigjur kësaj pyetjeje duke thënë se nuk është hera e parë që Qeveria ndan mjete në këto raste.

“Nuk është hera e parë që Qeveria ndan mjete për konsumatorët. Edhe në të kaluarën janë ndarë rreth 50 milionë euro, edhe atë kohë kanë qenë të destinuara për subvencionimin e importit”, tha ai.

Shala, gjatë komisionit ka nënvizuar se raporti i ZRRE-së nuk është i pavarur dhe se duket sikur është përpiluar së bashku me qeverinë.

“Sipas leximit tënd, ndoshta nuk është i pavarur. Ky paraqet raport profesional nga stafi i ZRRE-së”, iu përgjigj Fejzullahu, pa dhënë shumë detaje.

Fejzullahu, në komision ku po raporton për propozimin e shtrenjtimit të rrymës në Kosovë ka potencuar se ka qenë e domosdoshme që ZRRE-ja ta shqyrtojë në mënyrë të jashtëzakonshme ndryshimin e tarifave për energjinë elektrike.

Për Fejzullahun situata në vend është rënduar kur është prishur një pjesë e termocentralit “Kosova B”, i cili i ka shkaktuar miliona euro shpenzime për energjinë e importuar.

“Kosto ditore e mungesës së këtij gjeneratori ka qenë rreth 1.5 milion euro me çmimin e tregut. Prandaj ZRRE-ja ka qenë e obliguar që të hapë shqyrtimin e jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore