Kosova

LVV, PDK e LDK e konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Osmani


Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë shprehur të gatshme të marrin pjesë në takim me presidenten, Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shprehur gatishmërinë e saj të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani. LVV “të gatshëm të takohen me Presidenten kurdo që ajo i thërret”, ka thënë sekretari për media dhe komunikim, Arlind Manxhuka.

Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nëpërmjet zëdhënësit të saj, Faton Abdullahu ka konfirmuar pjesëmarrjen ën takim.

Abdullahu ka thënë se PDK asnjëherë nuk iu është shmangur takimeve institucionale dhe se do të marrin pjesë edhe në takimin e së hënës.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) nëpërmjet deputetit Arben Gashi e ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në tëkim ani pse kryetari i këtij subjekti politik ka deklaruar se nuk do të pranojnë shtyrjen e zgjedhjeve.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka bërë të ditur se subjekti i tij politik ende nuk ka vendosur se a do të marrë pjesë në këtë takim.

Mirëpo, ai ka thënë se pikërisht në ditën kur do të mbahet takimi, pra të hënën do të dalin me një njoftim për këtë çështje.

Shoqëria Civile në Kosovë ka reaguar të shtunën lidhur me letër rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) dërguar presidentes për shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të situatës pandemike, mirëpo pa dhënë asnjë detaj.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), i ka rekomanduar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen.

Sipas tyre, mbajtja e zgjedhjeve lokale paraqet rrezik “për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore