Lajme

Letra e IKSHPK-së për presidenten “më shumë politikë se pandemi”


Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), i ka rekomanduar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale paraqet rrezik “për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet”.

Rekomandimi i IKSHPK-së për presidenten lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve lokale

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2020 kur kërkohej shtyrja e zgjedhjeve për shkak të pandemisë dhe mundësisë së përhapjes së virusit, kishte bërë një fushatë kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

Madje Grupi parlamentar i LVV-së kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, presidentin e atëhershëm Hashim Thaçi.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Besianës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e këtij subjekti politik.

 

Por, si duhet lexuar letra e IKSHPK-së si veprim politik apo rekomandim profesional?

Për Albanian Post, publicisti Halil Matoshi ka thënë se rekomandimi i IKSHKP-së më shumë ka të bëjë me politikë se sa me pandemi.

“Rekomandimi i IKShPK-së është i porositur nga Albin Kurti sepse nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje dhe ia kërkoi shtyrjen si favor Naser Ramadanit, të cilin e kritikoi ditë më parë duke ia përkujtuar fundin në këtë post”.

Matoshi rikujton se dikur Ramadani rekomandonte që të mbahet mbledhja e Kuvendit kur duhej të bëhej Kurti kryeministër e Vjosa presidente.

“Po ky Naser Ramadani e rekomandonte mbledhjen e Kuvendit kur duhej të zgjidhej Qeveria dhe Presidentja, kurse tash e bën të kundërtën”.

Po kërkohet “suspendimi i demokracisë” nga Kurti e Osmani vlerëson Matoshi.

“Kjo tendencë është antikushtetuese dhe dëshmon prirjen autoritare të Osmanit dhe Kurtit. Ata dy po mësyjnë suspendimin e demokracisë në Kosovë. Ata duhet të ndalen sot! Nesër është vonë!”, thotë ai.

Edhe gazetari Bujar Vitija i cili mbulon ngjarjet nga shëndetësia, për Albanian Post ka thënë se letra e Institutit të Shëndetit Publik nuk përbënë profesionalizëm.

“IKSHPK vitin e kaluar ka rekomanduar mbajtjen e seancës së Kuvendit për shkarkimin e Qeverisë Kurti 1, për lirimin e masave për fushatën e zgjedhjeve në muajin shkurt, dhe lejimin e dasmave dhe diskotekave me masat e 12 gushtit kur kishim mbi 1 mijë raste pozitive”.

Vitija konsideron se “IKSHPK-ja në letrën drejtuar Presidentes është thirrur në situatën epidemiologjike si arsyetim për shtyrjen e zgjedhjeve”, por rekomandimet e më hershme që kishte nxjerr “nuk kishin qenë në përputhje me situatën”.

Rënia e rasteve pozitive dhe numri i hospitalizimeve dhe vdekjeve sipas gazetarit Vitija janë “dy faktorë kryesorë që tregojnë përmirësimin e situatës epidemiologjike” andaj ai konsideron se letra e IKSHPK-së “nuk duhet të merret seriozisht”.

Gjatë periudhës së pandemisë, drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani “më shumë i ka shërbyer politikës në këto raste sesa ka qenë në krye të profesionit të tij si epidemiolog”, thotë Vitija.

Megjithatë, është kundër mbajtjes së fushatës zgjedhore me grumbullim të qytetarëve, “për të mos rrezikuar shëndetin e tyre dhe përhapjen e virusit”.

Ndërsa drejtor i Projekteve, Demokraci Plus Albert Krasniqi ka shkruar se analiza “profesionale” e IKSHPK-së “më shumë po i ngjanë një pamfleti partiak sesa një vlerësimi profesional”.

Ai ka shkruar se dokumenti nuk përmban asnjë të dhënë që mbështet rekomandimin për shtyrje të zgjedhjeve.

“Për më tepër, po bije në kundërshtim edhe me shifrat që një ditë më parë na i prezantojë Kryeministri për përmirësim të gjendjes me pandeminë”.

Besimi në IKSHPK sipas Krasniqit tashmë është i luhatshëm.

“Si mund t’i besojmë parashikimeve të IKSHPK-së për muajt e ardhshëm, e cila u akuzua nga kjo Qeveri se ka bërë rekomandime të gabuara për hapjen gjatë verës, si dhe ka llogaritur gabimisht që diaspora do të vije e vaksinuar?!”, ka shkruar ai.

Kur kërkohet mendimi profesional i institutit duhet të ofrohen edhe detajet.

“Sot, IKSHPK do të duhej të dilte me protokolle të detajuara se si të zhvillohet fushata e të organizohen zgjedhjet në kohë të pandemisë”, ka shkruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore