Kosova

LVV-ja në ankth për zgjedhjet e reja në Francë, rreshtohet kundër radikalëve të djathtë


Albin Kurti dhe Emmanuel Macron

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia që udhëheq pushtetin ekzekutiv në Kosovë, ka bërë thirrje që diaspora kosovare të votojë kundër të djathtës ekstreme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Francë, duke shprehur drojën për pasojat që mund të vijnë nga një fitore potenciale e forcave populiste, nacionaliste e euroskeptike, veçanërisht për Kosovën.

Suksesi i Tubimit Kombëtar (RN) në zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) në qershor të këtij viti e shtyu presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme – cikli i parë i zgjedhjeve do të zhvillohet më 30 qershor, kurse i dyti më 7 korrik.

E fitorja e së djathtës ekstreme në Francë – sondazhet e nxjerrin Tubimin Kombëtar të Marine Le Penit në epërsi – në bazë partisë kosovare, jo vetëm që do të rrezikonte “ëndrrën evropiane” të Ballkanit Perëndimor, por do të përhapte narrativat destruktrive të ekstremit të djathtë kundër Kosovës.

“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘Nouveau Front Populaire’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës”, ka konsideruar ky subjekt.

“Jemi të bindur që populli francez do të reduktojë mbështetjen e këtij kërcënimi të ekstremit të djathtë. Për këtë gjë, si asnjëherë më parë, është e nevojshme dhe e domosdoshme bashkimi i të majtës socialdemokrate si e vetmja mundësi për të ruajtur vlerat që janë ndërtuar me mund dhe sakrificë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shtuar LVV-ja mes tjerash.

E djathta ekstreme është mjaft e pranishme në rajon, duke qenë se rrjetet evropiane të krahut të djathtë ushqehen nga flukset e dezinformatave që vijnë nga Rusia dhe në thelb kalojnë përmes Serbisë. Prandaj, retorika armiqësore e radikalëve mund të ketë implikime për kosovarët.

Rikonfigurimi i PE-së (s’)do të sjellë ndryshime për Kosovën – vështirë të ripërtërihet besimi i Scholzit e Macronit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore