Kosova

LVV-ja ankohet sërish që “as pas 2 ditësh” ndërkombëtarët s’e dënuan djegien e lokalit në Zveçan


Ilustrim

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mefail Bajqinovci, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, kritikoi bashkësinë e organizuar ndërkombëtare që “as pas 2 ditësh” nuk reaguan/dënuan djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, në orët e para të së premtes të 8 marsit 2024.

“Po kalojnë dy ditë prej se kur grupe kriminale dogjën lokalin në pronësi të nënkryetares së komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniç. Ende asnjë reagim dënues nga bashkësia ndërkombëtare e ambasadorët e vendeve të huaja”, shkroi ai, një ditë pas ankesës së deputetit tjetër të pushtetit, Armend Muja, i cili shprehu pakënaqësia që “as pas 24 orësh” nuk erdhi reagimi.

“Kanë kaluar mbi 24 orë nga djegia e lokalit të nënkryetares së komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniç. Natasha është një serbe e Kosovës. Deri tani askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar dhe as nuk e ka dënuar sulmin”, shkroi Muja të shtunën, duke etiketuar ambasadën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi të premten “elementet kriminale” në këtë pjesë për zjarrvënien e qëllimshme, ndërsa nënkryetarja serbe që funksionon nën sistemin kosovar, akuzoi Listën Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – për djegien e lokalit të saj. Megjithatë, ky subjet politik mohoi “akuzat e rreme” të shtunën, duke pretenduar të kundërtën.

Edhe në të kaluarën, në këtë pjesë të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, ka pasur incidente të ngjashme. Përkundër se situata në pjesën veriore është më e qetë pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore