Kosova

LV-ja qorton 23 komunat që s’e përkrahën faljen e tatimit në pronë: Është një mundësi e humbur nga komunat e drejtuara nga PDK, LDK e AAK


Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi 23 komunat e drejtuara nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e kanë përkrahur Ligjin për tatimin në pronë, që mundëson faljen deri në 100 euro për qytetarët.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje, kjo është një mundësi e humbur që të gjitha këto komuna nuk shfrytëzuan mundësinë e lehtësimit të borxhit të qytetarëve në këtë fundvit përmes ligjit që parashihte faljen e tatimit në pronë deri në shumë 100 euro”, thuhet në reagim.

“Nuk ka asnjë shpjegim e arsyetim të qëndrueshëm, të bindshëm apo në favor të qytetarëve për kuvendet komunale që drejtohen nga shumica PDK, LDK, AAK për të mos ta zbatuar këtë mundësi që ua dha ligji i iniciuar nga Qeveria”.

Sipas LV-së, në janar të këtij viti Qeveria u zotua se do t’i mbështeste komunat në lehtësimin e barrës së tatimit në pronë për qytetarët, duke filluar nga ata më në nevojë dhe për këtë Qeveria inicioi ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

“Në të u përcaktua përfitimi për të gjithë tatimpaguesit nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro. Por ligji i miratuar nga Kuvend nga mazhoranca e LV-së me partnerët e saj u dërgua në Gjykatë Kushtetuese nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit që vjen nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj. Qëllimi ishte bllokimi dhe vonimi i zbatimit të ligjit, pra faljes deri në 100 euro i tatimit në pronë”.

Tutje në reagim theksohet se në fund të nëntorit 2023, Gjykata Kushtetuese konkludoi se Ligji nuk kishte asnjë pikë kundërkushtetuese dhe i njëjti hyri në fuqi.

“Kur në fundin e vitit 2022 kishte hyrë në fuqi përllogaritje e re për tatimin në pronë, subjektet opozitare dhe kryetarët e komunave nga radhët e tyre ngritën zërin duke pretenduar se po flisnin në emër të qytetarëve dhe pamundësisë për ta paguar tatimin e rritur. Qeveria dhe mazhoranca jonë në Kuvend veproi. Komunat e udhëhequra nga LV-ja asamblistët tanë anekënd Kosovës ndërmorën nismën e propozimit në Kuvende Komunale për faljen deri në 100 euro të tatimit në pronë”.

Sazan Ibrahimi

Ditë më parë, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një bisedë për Albanian Post kishte thënë se kanë analizuar statistikat e secilës komunë në rast se një vendim i tillë do të merret dhe kjo do të përbëjë humbje në vlerën prej 28 milionë eurove.

“Nëse komunat marrin vendim për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë, atëherë investimet kapitale do të bien rreth 28 milionë euro. I kemi statistikat e secilës komunë që nëse bëhet një veprim i tillë deri në 100 euro, dëmi financiar do të jetë rreth 28 milionë euro”, sqaronte Ibrahimi për AP.

Për një vendim të tillë, sipas tij ishte dashur të paralajmërohet më herët. Kjo pasi që komunat kanë miratuar buxhetet e tyre për vitin 2024.

Në Kosovë, përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëhiqet nga Hekuran Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore