Shqipëria

Lutjet e ndryshme për të njëjtin Jerusalem


Sytë nuk janë vetëm për të parë, por edhe për t’u parë.

Sy si këto, zor se do të shihni në shkrepje të tjera!

Është çelur pranë Galerisë së Artit Tiranë ekspozita “Jerusalemi nuk është thjesht një qytet”, e cila përmbledh 120 fotografi, të shkrepura ndër vite nga artisti Dmitry Brickman – një ngjarje kryeqytetase për të kremtuar edhe nisjen e javës kulturore të Izraelit në Shqipëri.

Imazhet e epiqendrës fetare të botës janë edhe thelb i një bashkëjetese (shpesh jo të lehtë) fetare, në Jerusalem.

Aq sa, një krahasim, u bë edhe në çeljen e ekspozitës nga vetë autori, mes Shqipërisë dhe Izraelit, përtej faktit se këta të fundit i kanë shumë më të theksuara problematikat se sa vetë bashkëjetesa fetare shqiptare.

Megjithatë, Brickman nuk është kursyer.

Ai nuk ka shpërfaqur një cinizëm semitik e as një log antisemit në kornizimet e tij.

Të gjithë janë ashtu si duken, si asnjë, ose si gjithkush.

Ndoshta shqiptarët e kanë disi edhe për zemër këtë temë, që kur Fan Noli shkroi “Izrailitë dhe Filistinë”, dramën e njohur me tre akte në spektrin biblik.

Por vlerat që përçohen aty janë universale.

Po aq universale, sa edhe vetë autori i ekspozitës e përkufizon.

“Kam 15 vjet që dëgjoj lutje të ndryshme, ndoshta rreth 25 lloje lutjesh nga fe të ndryshme. Të gjitha ato për të njëjtën gjë. Në të njëjtin Jerusalem”.

Kështu i përshkruan ai krijimet e tij jetësore, të cilat nuk gjallojnë, por tregojnë.

Sy fëmijësh, të rinjsh, të moshuarish, burrash e grash, izraelitësh e palestinezësh… gjithçka!

Nuk ka bërë “kurban” asnjë Brickman, për të treguar se ai mur i lotëve në Jerusalem, nuk është ndarës, por përbashkues.

Një mur që lotët nuk i pështyn, por i përthith. Një mur që dëgjon miliona lutje të ndryshme, në të njëjtin Jerusalem.

Një Jerusalem, që mund të shihet e shijohet tashmë nga publiku shqiptar, përgjatë gjithë javës kulturore izraelite në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore