Sport

Lumbardh Dellova e fiton çmimin “Ylli i Javës”


Lumbardh Dellova është shpallur futbollisti më i mirë i javës së 33-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke e fituar çmimin “Ylli i Javës”.

Futbollisti i Ballkanit e fitoi këtë çmim, pasi në ndeshjen kundër Dritës ishte i pakalueshëm në mbrojtje si dhe në fund shënoi golin vendimtar, që i solli fitoren portokallezinjve (2:1) dhe i la në garë për titullin e kampionit.

Pasi mori këtë çmim mbrojtësi i Ballkanit u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme, derisa beson se skuadra e tij edhe në tri ndeshjet e mbetura do të arrijë fitore dhe në fund do ta mbrojë titullin e kampionit.

“Kjo është hera e parë që shpallem ‘Ylli i Javës’ dhe është një kënaqësi e madhe sidomos për faktin që unë vij nga reparti i mbrojtjes dhe kam arritur që të jem më i miri në xhiron e 33-të në Albi Mall Superliga”, tha Dellova.

“Fitorja e djeshme ndaj Dritës është shumë e rëndësishme për ne, ngase tani jemi barazuar me pikë me Dritën dhe tri ndeshjet e radhes do të jenë tri finale për ne. Falënderoj shumë bashkelojtarët dhe stafin teknik për mbështetjen qe na japin dhe punën që e bëjmë bashkërisht”, shtoi ai.

“Besoj që Ballkani do të arrijë që ta mbrojë titullin kampion dhe më pas na pret një punë e madhe në ndeshjet e Evropës për ta ripërsëritur suksesin e vitit të kaluar”, tha Lumbardh Dellova për faqen zyrtare të FFK-së.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Enes Shosholli, Avni Shala dhe Bujar Guta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore