Lajme

“Lukashenko shtrohet në spital pas takimit me Putinin”


Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko u shtrua në një klinikë në Moskë pas një takimi me dyer të mbyllura me Vladimir Putin.

Lajmi vjen nga Valery Tsepkalo, kundërshtar i diktatorit të Bjellorusisë, kandidat për president të vendit, ish-ambasador në SHBA.

Ai është bashkëshorti i Veronika Tsepkalo, një nga tre kandidatet femra kundër Lukashenko-s në zgjedhjet e gushtit 2020.

“Aktualisht ai mbetet nën vëzhgim”, shkruan Valery Tsepkalo në një postim të gjatë. “Janë mobilizuar specialistë kryesorë për t’u marrë me gjendjen e tij kritike. Ai iu nënshtrua procedurave mjekësore që përfshinin pastrimin e gjakut. Për shkak të gjendjes së tij, Lukashenko nuk mund të transportohet në një vend tjetër. Përpjekjet për të shpëtuar diktatorin bjellorus synojnë të largojnë spekulimet rreth përfshirjes së pretenduar të Kremlin-it në helmimin e tij. Pavarësisht nëse shërohet apo jo, mjekët paralajmërojnë mundësinë e rikthimit”.

Fotot më të fundit të Lukashenko-s datojnë më 25 maj, kur ai mori pjesë në Këshillin e Lartë Ekonomik Euroaziatik, organi më i madh mbikombëtar i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, i planifikuar në Kremlin.

Thashethemet për sëmundjen e dyshuar të Lukashenkos janë nxitur javët e fundit nga mungesa e diktatorit në ceremoninë vjetore të flamurit në Minsk, ku ai u zëvendësua nga kryeministri Roman Golovchenko, i cili lexoi një mesazh prej tij.

Edhe në mungesë të ndonjë lajmi zyrtar, londinezja “Financial Times” kishte folur tashmë për një shtrim në spital, i cili pothuajse me siguri u bë më 13 maj, sipas burimeve të opozitës.

Hipotezat: nga një virus në miokardit. Tashmë në Moskë më 9 maj, me rastin e paradës ushtarake të Ditës së Fitores, ai dukej i tronditur.

Udhëheqësja e opozitës Svetlana Thikanovskaya shkroi në Twitter: “Ne jemi gati të kthehemi në demokraci”.

Marrë dhe përshtatur nga Corriere della Sera për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore