Shqipëria

Luhatjet e euros s’kanë të ndalur, ulje e ngritje të ndjeshme ndaj lekut në javën e fundit


Një rritje e cila nuk zgjati shumë ishte ajo e euros në mesjavën e fundit të marsit, kur kursi arriti në vlerën e këmbimit pranë 105 lekëve.

Por, në fundjavë, gjithçka i është kthyer “normales së re” dhe euro këmbehet tashmë sërish me 102.87 lekë – një vlerë konstante prej 103 lekësh është mbajtur në muajt e fundit në këmbimin valutor vendas.

Ajo e të mërkurës mund të shihet edhe si një anomali e euros megjithatë, pasi kapi vlerën e 104.63 lekëve në këmbim.

Mirëpo zbritje kanë pasur edhe valuta të tjera, duke u lidhur konkretisht me rastin e euros.

Për shembull, dollari amerikan zbriti më tej në 95.37 lekë, nga 96.52 që ishte në mesjavë.

Edhe paundi britanik, nga 121.94 lekë në mesjavë u këmbye sërish me 120.34 lekë gjatë fundjavës.

Ndikimi më i lartë, sipas ekspertëve bankarë, duke iu referuar të mërkurës anomalike në kurs, i atribuohet kërkesës nga banka të veçanta, të cilat mendohet se për nevoja të pozicioneve të tyre ose për kërkesë të klientëve të veçantë kanë shfaqur një kërkesë shumë të madhe për valutë, duke e tërhequr kursin në rritje.

Por, në tërësi, sipas ekspertëve, nuk ka ekzistuar në treg ndonjë bazë e gjerë kërkese për euro, që të ndikonte kësisoj në një luhatje të kursit me një pikë e gjysmë.

Flluska e tillë e krijuar mund të ketë reflektuar edhe një shenjë paniku në treg, por e cila u tejkalua në çështje ditësh.

Aktualisht, kursi Euro-Lek është në rënie me 9.5% krahasuar me të njëjtën ditë të një viti më parë. Tendenca rënëse vjetore e kursit është përshpejtuar gjatë pjesës së dytë të muajit mars.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vitin e kaluar deficiti i llogarisë korrente zbriti në minimumin historik prej 191 milionë eurosh, në rënie me 78% krahasuar me vitin 2022.

Deficiti i llogarisë korrente vlerësohet në më pak se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 6% që kishte qenë një vit më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore