Kosova

“Lugina e Preshevës patjetër të jetë e përfshirë në marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë”, intervistë me kryetarin e ri të KKSH-së, Nevzad Lutfiu


Nevzad Lutfiu

Përfshirja e Luginës së Preshevës në marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë me patjetër, meqë ky është rast i vetëm ne Evropë e shumë i rrallë në botë ku shteti e diskriminon një pakicë vetëm për shkak të përkatësisë etnike, ka thënë në një intervistë për Albanian Post kryetari i ri i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu.

Në zgjedhjet e kuvendit të elektorëve të KKSH-së, koalicioni i krijuar mes Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Lëvizjes së Progresit Demokratik (PVD) dhe Partisë Demokratike (PD), bashkërisht fituan shumicën e mandateve të këshilltarëve në këtë institucion, duke bërë që në krye të KKSH-së të vijë një emër i ri siç është, Nevzad Lutfiu.

Lugina e Presheves

Kryetari i ri i KKSH-së, i cili e zëvendëson në këtë pozitë Ragmi Mustafin, tregon për AP se pozicioni i tyre është shumë i qartë në drejtimin e këtij institucioni, pasi që thotë se shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës duan hiç më pak se “ato të drejta që i gëzojnë serbët në Kosovë”.

“Patjetër, është shansi i fundit që të ndryshoj gjendja sociale dhe ekonomike në Luginë të Preshevës”, potencon Lutfiu për AP.

Lutfiu deri më tani ka qenë këshilltar komunal në Komunën e Bujanovcit, dhe njëkohësisht zëdhënës i Lëvizjes e Progresit Demokratik (PVD).

Nevzad Lutfiu

Ndërsa, pozitën e tij të re, ai e sheh si më të rëndësishme se ato që ka pasur deri më tani, pasi që siç thotë vetë Lutfiu se “të qenurit në krye të KKSH-së, është detyrë jashtëzakonisht e vështirë sepse do përfaqësosh shoqërinë më të diskriminuar në rajon”.

“Prandaj, me një ekip profesional e një vullnet të madh do të bëjmë çmos që të ngrisim cilësinë në arsim, do ta zhvillojmë kulturën në vendin tonë duke pasur parasysh se kultura është identiteti ynë”, renditi ai disa nga prioritet e tij në krye KKSH-së.

Përveç kësaj, ai foli edhe për ndihmën financiare prej 2 milion eurove që Qeveria e Kosovës e kishte ndarë për Luginën e Preshevës.

Mënyra se si janë ndarë këto mjete kishte shkaktuar një debat në opinion publik, madje kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, kishte akuzuar kryetarin e deri tanishëm të KKSH-së, Ragmi Mustafin, që nga pozita e kryetarit, bashkë edhe me këshilltaren e kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinanin, zëvendës-kryeministrin Besnik Bislimi, ministrin Liburn Aliu e të tjerë se kanë keqpërdorur një fond prej 2 milionë eurove të ndarë nga Qeveria e Kosovës për Luginën.

Shqiprim Arifi

Por, përveç tyre edhe Lutfiu – i cili ende nuk e ka marrë zyrtarisht mandatin në krye të KKSH-së, ka kritika për mënyrën se si janë shpërndarë këto fonde, pasi që ai beson se këto duhet të shpërndaheshin për një qëllim më madhor.

“Një nga sfidat më të mëdha te Luginës së Preshevës është emigrimi, ky fenomen duhet te trajtohet dhe parandalohet, prandaj kam kërkuar që këto mjete të ndahen për këtë qëllim”, shpjegon ai për AP.

Intervista e plotë e Nevzad Lutfiut për Albanian Post

Albanian Post: Cilat janë prioritetet e juaja në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar?

Nevzad Lutfiu: Të qenurit në krye të KKSH-së, është detyrë jashtëzakonisht e vështirë sepse do përfaqësosh shoqërinë më të diskriminuar në rajon.

Secila fushë që është në kompetencë të KKSH-së ka rëndësi shumë të madhe për shoqërinë shqiptare.

Prandaj, me një ekip profesional e një vullnet të madh do të bëjmë çmos që të ngrisim cilësinë në arsim, do ta zhvillojmë kulturën në vendin tonë duke pasur parasysh se kultura është identiteti ynë, do t’i japim një rëndësi të veçantë mediave shqip në Luginë të Preshevës, dhe natyrisht përdorimi i gjuhës shqipe dhe simboleve do të ketë një trajtim special në mënyrë që komuniteti ynë t’i ketë të gjitha të drejtat që na takojnë.

Albanian Post: Si e keni parë punën e kryetarit të deritanishëm, Ragmi Mustafi?

Nevzad Lutfiu: E kam kritikuar publikisht kur kam menduar se nuk e ka bërë punën në mënyrën më të mirë dhe e kam përkrahur publikisht kur kam menduar se e ka bërë punën në mënyrën më të mirë.

Albanian Post: Në marrëveshjen e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë shqiptarët që jetojnë në Serbi nuk u përmenden fare për dallim nga serbët që jetojnë në Kosovë. Cili është pozicioni i juaj në raport me këtë marrëveshje?

Nevzad Lutfiu: Përfshirja e Luginës së Preshevës në marrëveshjen finale duhet të jetë patjetër, është rast i vetëm ne Evropë e shumë i rrallë në botë ku shteti e diskriminon një pakicë vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Prandaj pozicioni ynë është shumë i qartë, duam ato të drejta që i gëzojnë serbët në Kosovë.

Albanian Post: A do të kërkoni që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Nevzad Lutfiu: Patjetër, është shansi i fundit që të ndryshoj gjendja sociale dhe ekonomike në Luginë të Preshevës.

Albanian Post: Si e vlerësoni qasjen e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në raport me Luginën, dhe a do të kërkoni mbështetje më të madhe?

Nevzad Lutfiu: Republika e Kosovës e ka bërë një hap shumë të madh në raport me Luginën e Preshevës, e kam fjalën për buxhetin e caktuar për shqiptaret e Luginës së Preshevës.

Ndërsa presim që dhe Shqipëria t’i ofroje mbështetje institucionale shqiptareve te Luginës se Preshevës.

Albanian Post: Qeveria e Kosovës ka ndarë 2 milion euro për Luginën e Preshevës, por për këto mjete, ka pasur akuza nga faktorë politik atje për mënyrën se si janë shpërndarë. Si e keni parë ju tërë këtë proces?

Nevzad Lutfiu: Për mënyrën e shpërndarjes jam paraqitur dhe unë, e kam kritikuar mënyrën se si janë shpërnda këto mjete. Një nga sfidat më të mëdha te Luginës së Preshevës është emigrimi, ky fenomen duhet te trajtohet dhe parandalohet, prandaj kam kërkuar që këto mjete të ndahen për këtë qëllim.

Albanian Post: Shqiptarët që jetojnë në Luginë, nuk kanë pothuajse fare të drejta, madje siç e dimë ju ndalohet edhe përdorimi i flamurit kombëtar. Çfarë do të bëni ju në mënyrë që t’i shtyni përpara kërkesat e banorëve atje, dhe cila do të jetë qasja juaj në raport me qeverinë në Serbi?

Nevzad Lutfiu: Do vazhdojmë të kërkojmë mbështetjen e Kosovës dhe Shqipërisë vazhdimisht, mbështetja e dy shteteve tona është jetike, është ajo e cila e ruan substancën kombëtare ne Luginë të Preshevës.

Ne raport me Serbinë, do t’i kërkojmë të gjitha të drejtat që na takojnë, do të jemi në koordinim dhe me miqtë tanë ndërkombëtar.

Albanian Post: Cilat janë kërkesat tuaja për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama?

Nevzad Lutfiu: Për këtë do të flas në detaje në ditët kur do ta marr mandatin e kryetarit te KKSH-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore